Kam vendosur të mos harxhoj asnjë grimë energjie nga bateritë e aparatit tim të thjeshtë fotografik për të fiksuar atmosferën festive në prag të festave të fundvitit në kryeqytetin e Shqipërisë. Bashkia ka vendosur drita dekorative dhe një pemë gjysëm-të madhe në qendër të Tiranës. Ajo pemë, e njëjta prej tri viteve, është stolisur si mos më mirë me drita shumëngjyrëshe ndërsa në krye të saj mban në yll të madh me pesë cepa. Disa herë kam menduar të fiksoj diçka nga kjo atmosferë për ta sjellë në blogger-in tim personal por më pas kam vendosur të bëj censurë. Shumë mirë që nuk kam gjëra më të mëdha se kaq në kompetencë se kushedi ç`dreqin do kisha katandisur!
Përse e kam marrë këtë vendim proteste?
Sepse dritat e vjetruara dhe zbukurimet dekorative në të vërtetë nuk paraqesin realitetin. Njerëzit nuk janë fare të gëzuar! Jo vetëm se këtë vit kanë më pak para për të shpenzuar gjatë festave të fundvitit, por edhe sepse jeta e tyre ka ndryshuar krejt nën ritmin pa ritëm të ditë-netëve pa energji elektrike në këto temperatura të acarta e të pazakonta për Tiranën. Gjithçka ka ndryshuar. Ora dhe vendi ku mund të pish një çaj, të takosh një të njohur, apo të kërkosh një libër të ri në librari, tani kushtëzohen nga energjia elektrike. I njëjti shkak të kushtëzon kohën kur mund të hysh në internet, të ndjekësh një film apo të punosh në kompjuter. Po, po, gjithçka ka ndryshuar. Për keq fatkeqësisht në këtë vit 2007, por jo vetëm! Kam filluar të aplikoj një shprehje ngushëlluese: Më mirë do të bëhet se më keq s`ka ku vete!
1 comment:
Ah sa e ndjej kete shkrimin tend:( Me dhemb vertet ne shpirt kur mendoj qe nje vend kaq i vogel sa ky yni te vuaje nga nevojat me imediate, si driat dhe uji! Akoma me keq tani qe dritat do sherbenin aq shume per t'u ngrohur trupin e shpirtin bashke, se pa drite sundon nje erresire totale!
Eh moj Shqiperi e mjere
qe s'u bere asnjere
vend i ngrohte
e vend i ndere
per keta shqiptare te mjere!
Post a Comment