Të paktë janë në lagjen time këtu në Tiranë ata që e dinë çfarë pune bëj. E them këtë sepse jam i sigurt se nuk do të isha përballur edhe unë me një fenomen “të largët” për mua deri tani, nëse shkaktarët e tij do ta dinin me çfarë merrem. Ja pra, ka disa ditë që mua me shëtit në mëndje fjala aforfe. Po, po, aforfe dhe e di që kur më mundon kjo fjalë? Që atë ditë kur poshtë derës së shtëpisë gjeta një faturë të ngatërruar. Ishte një copë letër që uroj të mos jetë përdorur më parë, në të cilën shkruheshin ca gjëra të ngatërruara si përshembull leximi faktik, leximi mujor, leximi fillestar etj, mbaj mend vetëm shumën në fund: 8670 mijë lekë të reja. Ishte fatura e dritave. Nuk kisha një mendim të gatshëm për këtë që po ndodhte, por e tëra u bë objekt i bisedave të përditshme nga të cilat mësova se fatura që kisha paguar unë, ishte më e larta e gjithë familjeve të njerëzve që unë njoh, e me të cilët komunikoj çdo ditë. Po, po, kisha harxhuar më shumë unë, që shkoj në shtëpi në 00:00 në mesnatë dhe dal nga shtëpia në 08:00 sesa familjet që gatuajnë. Në një nga ditët kur po dilja me nge nga banesa ndalova në shkallë dhe pashë matësin e energjisë elektrike. Isha bërë tmerrësisht kurioz dhe mendova të verifikoj. Shigjeta që mat trafikun e energjisë po rrotullohej me një shpejtësi marramendëse. Jam i sigurt nëse ajo “rrotë” do të ishte në ndonjë makinë, ai automjet do të bënte aksident të rëndë. Kthehem në shtëpi dhe heq të gjitha gjërat nga korrenti, por të gjitha ama. Dal sërish në shkallë dhe shikoj. Shënjuesi i matësit elektrik nuk e kishte zbritur fare marshin. Shikoj tre matësa të tjerë të tri apartamenteve që ndodhen në katin tim. Dy prej tyre nuk lëviznin fare ndërsa i treti rrotullohej ngadalë. Nuk kuptova asgjë. Bëra pagesën diku në katin e parë të apartamentit, aty më kishin thënë të lija paratë, tek një dyqan. Ende nuk jam i sigurt nëse duhet të filloj “të hapem” në lagje për punën që bëj. Nuk e kam bërë jo se nuk kam fare qejf të mburrem, por nuk kam kohë të rri aty, shkoj kur shumica e njerëzve janë në gjumë dhe dal kur dalin ata që janë në punë. Jam i sigurt se nëse do ta kisha bërë më parë, nuk do të kisha shansin të kuptoja këtë fjalën e ngatërruar aforfe ashtu siç kam vite që nuk shijoj një gjobë nga policët rrugorë të cilët e kanë mësuar se jam gazetar. Fundja të gjitha kanë një emërues të përbashkët: korrupsionin që na ka mbërthyer keq.
Sunday, December 23, 2007
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment