Thursday, August 28, 2008

Vere 2008!

Festa e Birres, Korce 2008




JALE 2008

Sunday, August 10, 2008

Me ne fund, pas gjithe ketyre diteve me vape dhe me stres ne Tirane, Bregdeti i Vlores, i Himares dhe pastaj Korca dhe Pogradeci, jane zgjidhja perfekte per pak relaks...

Thursday, August 7, 2008

Kafshatë që s`kapërdihet!

Ti s`ke si ta mbash mend atë dhuratë, unë kurrë nuk ta pata premtuar! Megjithatë, nuk kam dashur asnjëherë që të të mungojë, madje premtimi im për të, ka munguar prej frikës se nuk do të arrija ta përmbushja atë zotim. Të cilin sa e sa herë e pata rrahur në mendje duke imagjinuar gëzimin dhe buzëqeshjen tënde, kur ta merrje në duar. E dija se do të gëzoheshe më fort prej idesë se dikush mendon per ty, sesa prej pasjes së saj, por kjo nuk kish rëndësi!
Po kthehem nga pazari. Shtëpia nuk është si më parë. Ka mbetur një derë, katër mure dhe çatia, ja kaq. Gjithçka kisha i shita gradualisht dhe me çmime të lira. Tregtarët nuk donin t`ja dinin. Më jepnin më pak para, ç`ka për mua ish një ditë më shumë pa ushqim. Unë kthehesha dhe pasi ushqehesha filloja të mendoja për ditët që do të vinin shpejt, duke më kthyer në të njëjtën gjendje si më parë. Kam menduar shpeshherë se bëja një gabim të pafalshëm kur ushqehesha. Truri sikur fitonte forcë dhe vihej në mendime duke më bërë ta parandjej rrezikun se një ditë, do të detyrohesha ta shisja dhuratën e më pas, s`do të kisha asgjë tjetër për të këmbyer me ato letra të fëlliqura që quhen para. Sa herë ushqehesha e mendoja më fort e me një tablo më të qartë fundin tim te afërt prej urisë. Është e çuditshme por ja që në disa rrethana, stomaku, ai organ jetësor me të cilin isha tallur pothajse një jetë të tërë, madje e kisha parafytyruar me neveri, fiton një avantazh të madh e të përkohshëm mbi trurin e uritur. I cili sa e sa herë më kish thënë dhe kish vendosur që të kujdesem aq për çka kisha në shtëpi, sa asnjë grimë pluhur apo lagështirë të mos flinte qetë për asnjë çast mbi orenditë, tani të zhdukura krejt. Ato nuk janë më. E humba librin e verdhë ku ish radhitur kryevepra e Migjenit mbi skamjen, mbi urinë, mbi mjerimin si kafshatë që s`kapërdihet. Libri s`është më, tani prej urisë shumë vargje truri s`ka forcë ti kujtojë, por dicka mbaj mend dhe shpeshhëerë e recitoj për të gjetur forcë (kafshatë që s`kapërdihet asht or vlla mjerimi), as dhurata jote nuk është më. Nuk është as e imja, nuk e di e kujt është. Ishte gjëja e fundit që shita. Si të gjitha të tjerat, edhe atë e shita me çmim të lirë, sepse dëshën të më linin pa ngrënë. Ndërsa e lëshoja nga duart, ishte rasti i parë në jetën time 63-vjeçare, që mallkova, mallkimi ish për blerësin e saj. Nuk e di as vetë përse e bëra, si i ndjerë në faj më pas, mallkova edhe veten. Pse kisha uri?! Pse duhej të ushqehesha! Asgjë s`më ka mbetur, veç urrejtjes së skajshme që po përtetoj për paratë. Dhe urrejtja ka qenë e rrallë në jetën time por mund të them, ndoshta ndjenja më e fortë e saj veç dashurisë për atë vajzë me të cilën shpresat e venitura dhe besimi në atë botë, më bëjnë të dëshiroj të bashkohem me të në jetën e përtejme. I katandisur keq në këtë gjendje ku jam, po harxhoj më shumë me cigare sesa me të ngrënë. Tani kam të holla edhe për pak ditë. Pastaj nuk e di çfarë të bëj. Po më çmend fakti se nuk e mbajta premtimin që të pata dhënë në mendjen time, atë më të lartën dëshirë që pata përjetuar këto kohë. Ja pra, tani, unë jam një hiç, një njeri i pa ngopur me bukë, një ëndërrimtar i pandreqshëm, i cili si çdo ëndër që e shkatërroi mizorisht ashtu si e kish krijuar, e dërrmoi edhe ëndërrën për dhuratën. Ajo çka mendoj tani është se kur të kthehem në shtëpi e të qëndroj më këmbë derisa të lodhem, pastaj, do të ulem në dysheme. Do ti vë shpatullat pas murit dhe ashtu, me duart mbi gjunjë, do ti shtyj orët derisa të më kaplojë gjumi... Por jo, nuk do të dorëzohem, fundi i shpejtë është kënaqësia e vetme që më ka mbetur. Për të fundit herë, por si gjithnjë, nuk do ti dorëzohem fatit, por do ta vendos vetë atë. Në të vërtetë ajo çka mendoj tani, është të kthehem përsëri në treg. Do të kërkoj blerësin e dhuratës, ti jap paratë dhe ta marr mbrapsht e ta çoj në shtëpi. Duhet të shpejtoj hapat, të kthej mbrapsht gjithçka mund të kthehet para se këmbët të më lëshojnë dhe shikimi të më mjegullohet prej urisë 4-ditore. Tani nuk e imagjinoj aspak çfarë do të ndodhë pasi të kthehem në shtëpi. Me vetëdije do të shkoj të bëj si të thashë më lart. Pasi të më kaplojë gjumi do të mbetem aty për disa ditë e më pas do të më gjejnë. Do të jem aty në dysheme, i shuar bashkë me një cigare të konsumuar deri në filtër, që ka mbetur mes gishtave të mi të ngrirë dhe...me dhuratën që të pata premtuar, aty pranë teksa e përkëdhel një fllad i lehtë që hyn prej dritares së hapur, që pothuajse nuk ndihet fare!
Tiranë, qershor 2002

Wednesday, August 6, 2008

Për hajër na koft!

D. Alia kish shalue gjogun e tij dhe kish marrë udhën për në Vuthaj. Turravrapi i kalit me rrahjet e patkonjve në bark të tokës, pushka e gjatë që mbërrinte deri mbi kokën e burrit të gjatë sa lisi, zhurma metalike që i shkonte pranë, kish lajmëru krejt zonën se D. Alia ish nis për udhë. Zakoni i krijuem tash sa vite e kërkonte që kushdo që e shihte në nevojë gruan apo fëmijët, në mungesë të tij, ti ndihmonte si vllaznit e motrat e shpisë, e sapo kali i bardhë e pushka e gjatë të shfaqej në kthim, me rrahjet e patkonjve mbi bark të tokës, pushkën e gjatë që dukej prej së largu dhe zhrumën metalike që i shkonte pranë, ti çonte sevap D. Alisë për ndihmën që i ish dhënë familjes së tij. Shpërblimi sigurisht, do të ish 10-fish për besnikërinë e treguar. Prej vitesh ndër rrugë t`gurta ish ndëgjue zhurma e patkonjve në që lshojin xixa ndër rrasa e gurë gjatë trokut të kalit thimosh, çka shoqërohej me një zhurmë të dytë që vinte prej lëvizjes së krahores mbushur me granata e fishekë që mulonte shtatin e D. Alisë. Në bel një tjetër rreth i mbushun me fishekë, shkonte e zgjerohej në anë të djathtë, aty ku ish vendos arma e dorës me krahun prej druni mbi të cilin gdhend nji shqiponjë e zezë mbështetun mbi shkambin e një mali...
D. Alia e ndjeu djersën e kalit prej ngrohjes së shalës dhe vendosi me ndalu. Ia liroi frenin gjokut dhe me një lëvizje të shpejtë u gjend në tokë. Nuk kish ndodh kurrë që D. Alia ta kish afrue kalin ndër burime të ujit duke qëndrue hipun edhe pse nuk ish zakon i burrave me zbrit prej kali. Ata edhe pushk kur qëllojin merrnin nishan duke qëndrue mbi kurrizin e kafshës nga e cila nuk zbrisnin as në kohën kur kali afrohej ndër burime për të çmallun etjen që e kish kaplue ndër rrugë t`gurta, shpate të thepisura malesh e livadhe të rrafshta të Malsisë. E tërhoqi kalin deri ndër vrella t`Çeremit dhe aty, e la të pinte ujë. Mbasi e hodhi rripin e gjatë të frenit të kalit në degë të një lisi, A. Dlia doli mënjanë e filloi me dredh një cigare, ndërsa kali, pinte e pinte ujë të ftohtë e më pas e ngrinte kryet prej burimi me çlirue gojën e mpirë prej akullit të shkrimë që rridhte prej nji të çame t`gurit. Në atë kohë, një grua e bukur, por shtatzanë, u afrue tek burimi me dy enë prej druni. Ish nis prej fshatit për me mbush ujë. U dëgjue zhurma e shkrepsës me xingur e shoqërueme nga një dritë vetëtime e më pas, tymi i duhanit maxharr filloi me u ngrit në kupë të qiellit.
“Ç`ka asht aj fëmijë në bark t`ksaj motre?”-pyeti D. Alia pa e hedh vështrimin mbi gruen e bukur që e kish mbulue kokën me një shami të bardhë e ish skuqun prej turpi.
“A je si je S. Alia, a je burrë i fortë!”- u përgjigj gruaja pa e shkëput vështrimin prej toke. “Filxhanët po thonë se asht çikë, po nuk di çka me tregue”, vazhdoi më tej përgjigjen ajo, duke afrue enën prej druni në rrasë të gurit mbi të cilën rridhte uji deri poshtë në burinë prej druni t`pajës.
Nji krismë e fortë u dëgjue në ato vise e malet filluan t`ja përcjellin zhurmën njëra-tjetrës pa e humbun.
“Koft me jetë të gjatë, asht grueja e djalit tem”, tha D. Alia që kish shalue gjogun e po bahej gati me vazhdue udhën përpjetë në male deri në kapërcim të Apleve. “Lajmëroe të zotin e shpisë, se dorën e saj e ka kërkue D. Alia për djalin e tij. Për hajr na koft pra, e kofshi të bekuem”, tha D. Alia, e zani i tij u dëgjue i përziem me goditjet e patkonjve t`kalit në bark të tokës ndër tinguj të ngjitun me zhurmën metalike që e kish burimin në lëkundjen e krahores me fishekë...
Njizet vite ma vonë, kur çifti u martue në nji dasëm t`madhe, D. Alia kish vdek me kohë, po bëmat e tij nuk ishin harrue. Ai do ta kish mbërrit kët çast për të cilin mes malesh qëlloi me armë në at festë të vetme njizet vjet ma parë, nëse s`do kish zbrit prej malsie në breg të Durrësit me i ba pritë në fushë t`betejës turrit të formacioneve të ushtrisë italiane që msynë Shqipërinë. Në ditë të dasmës së djalit, shpirti i D. Alisë prehej i përqafuem prej valve të detit e diellit të ngrohtë, në nji vend ku askush nuk ish kujtue me shënue nji varr, e babai i nuses në dasëm të çiftit, çoi një shëndet në nder të tij e ma pas, si piu me fund nji gotë raki, nxuerr alltinë prej brezi, qëlloi dy herë në ajër e ma pas tha: Për hajër na koft! Nuse e dhandërr u përqafuen të gëzuem prej fatit se ishin njoft mes tyne, e ishin rrëmbye në zjarr të dashnisë, para se të kishin marrë vesh për fjalën e besën që njizet vjet ma parë, babai i dhandrrit kish përjetue krejt i vetëm kur me gjogun e tij ish nis në nji udhëtim të gjatë me gjogun e tij shoqëruem prej goditjes së patkonjve në bark të tokës ngjitun me zhurmën metalike që e kish burimin në përplasje e takim të predhave të pushkës së gjatë që qëndrojshin në krahoren që kish mbulue shtatin e gjatë sa lisi të D. Alisë.

Tuesday, August 5, 2008

Kriza financiare dhe sindromi i ‘97

SPARTAK NGJELA
Kur Partia Demokratike erdhi në pushtet, në shtator të vitit 2005, gjendja kishte nisur të përkeqësohej. Kapitali ndodhej në tronditjen e klientelizmit që kishte krijuar politika inefeciente e Nanos; bankat kishin mbledhur shumë depozita, përqendrimet e kapitalit shqiptar donin një klimë ligjore për të investuar; kurse qarqe ndërkombëtare financiare, po kërkonin klimë të favorshme që të hynin në Shqipëri, pasi e kishin konceptuar që bota shqiptare në Ballkan, ishte brenda interesit amerikan. Të gjitha këto, pa dyshim se ishin në interesin tonë; por që të filloje eskalimin për ndryshimin e gjendjes, patjetër që duhej të nisnin njëherësh katër reforma të mëdha: a) reforma e tregut për qarkullimin e kapitaleve, bashke me një reformë drastike të sistemit bankar, për të krijuar banka agresive të tipit amerikan, duke i nxitur që edhe ato të ishin vetë investitorë të mëdha në një krah, por edhe të rrisnin në maksimum shërbimet kundrejt kapitalit. Dhe rritjes së prodhimit. Këtu duhej të hynte edhe një reformë drastike në bujqësi, ku bankat duhej të mbështesnin futjen e kapitalizmit në fshat; b) reforma institucionale ne sistemin legal, në mënyrë që të garantoje maksimalisht funksionimin e ligjit, të frenoje informalitetin, dhe të garantoje me ligj investimet, duke krijuar urgjent një gjykatë tregtare. Gjykatë kjo që do të garantonte funksionimin e kontratave, sepse ne vuajmë shumë nga anitikontraktualizmi; gjë që ka sjellë frikën e investimeve të kapitalit shqiptar e të huaj; c) reformë administrative, e cila duhej të riformulonte institucionalisht vetë Këshillin e Ministrave në fillim, dhe të gjitha ministritë më pas. E gjitha ligjore në një krah, por edhe menaxheriale në krahun tjetër, duke përthithur të gjithë individët që kanë studiuar në Perëndim, e sidomos të gjithë ata që punojnë në Perëndim brenda sensit menaxherial; dhe d) reformë në arsim.
1. Kjo duhej të ishte tabloja jonë, në mënyrë që të përmbysnim gjendjen neopuniste që ishte krijuar në tetëmbëdhjetë vjetët e postkomunizmit në Shqipëri. Por, asgjë e tillë nuk ndodhi; përkundrazi, gjendja u përkeqësua edhe më shumë. Që në fillim kryeministri Berisha e mori situatën e drejtimit të shtetit me një karakter agresiv dhe patologjik. A thua se e kishte sjellë Zoti në pushtet, dhe që kishte harruar se PD-ja kishte rënë nga pushteti, krejtësisht nga marrëzitë e tij antimenaxheriale që i bëri shtetit në periudhën 1992-1997. Edhe në shtator të vitit 2005 ai qëmtoi dhe vendosi në drejtim ata për të cilët vetë kishte thënë se ishin injorantë dhe pa asnjë aftësi drejtuese. Në fakt Berisha kishte mbajtur ata në parti krejt si parazitë nga frika e intelektualizmit të lartë shqiptar, i cili kishte kohë që nuk pranonte për t’u drejtuar nga Berisha. Pastaj thirri edhe ca kalamaj, që nuk dinin asgjë nga administrimi, dhe as që kishin menduar ndonjëherë se ku kishin qenë mangësitë e administrimit dhe të drejtimit të shtetit dhe tregut shqiptar; dhe nisi me këta që të drejtojnë në një mënyrë krejt primitive. I paditur që të kuptonte tregun dhe kapitalizmin, Berisha mendoi se duhej trembur gjithkush, të dyja anët e medaljes: edhe politika edhe kapitali. Injorant, që nuk e ka kuptuar kurrë këtë sistem, dhe në fakt nuk kishte sesi, sepse edhe gjeni të kishte qenë, një mjek komunist i ardhur nga provinca e largët, nuk mund të instalojë dot tregun e lirë dhe demokracinë liberale institucionale në një vend. Prandaj dhe gjendja u keqësua e u keqësua, derisa aktualisht jemi mu në prag të shpërbërjes financiare të shoqërisë.
2. Por si ka ardhur kjo gjendje? Duke e parë konkretisht dhe nëpërmjet shifrave; konstaton se qeveria “Berisha” asnjëherë nuk i ka realizuar investimet. Një dëm i madh ky për ekonominë. Me administratën që ka, me ministrat që vetë i ka drejtuar, dhe me paaftësinë e tij që e karakterizon në çdo moment të drejtimit, kuptohet se investimet nuk mund të kryhen. Ti edhe mund t’ia mbledhësh paratë kapitalit dhe shoqërisë, edhe arbitrarisht, por a je në gjendje që t’i absorbosh. Paratë hiqen nga tregu, në mënyrë që të investohen, për t’u kthyer sërish në treg; sepse në të kundërt, përse i heq ato nga tregu. E pra, kjo mungesë e madhe e investimeve shtetërore, kur shteti është investitori më i madh, kuptohet se gjithmonë ka akumuluar mungesë paraje në treg, dhe ka ngadalësuar qarkullimin e parasë. Ky fenomen, që ka zgjatur tre vjet, tani duket se është edhe më akut. Aspekti i dytë që ka të bëjë sërish me këtë çështje, është ngritja e çmimeve. Ky sigurisht që aktualisht është një fenomen botëror, por në Shqipëri ka nisur më herët. Kështu që risku i tij, sigurisht që është dyfishuar. Në funksion të kësaj, duhet thënë se rritja e çmimeve nuk është një fenomen parcial, kjo rritje është trend. Dhe është një trend i cili të paralajmëron shumë kohë përpara. Por imagjinoni një shtet që nuk prodhon, si Shqipëria, që gjithçka vjen nga importi, sesi duhet ta përjetojë një trend të tillë. Sepse, në një krah rriten çmimet, kurse në treg nuk ka para, ngaqë investitori shtet nuk mund të investojë paranë që ka marrë nga tregu. Kjo e bën edhe më të rëndë në shoqëri rritjen e çmimeve. Por që të dyja këto ndodhi, përplasen tek bankat, sepse, kur s’ka para, nuk ka as akumulim, kur nuk ka akumulim s’ka kursime, dhe kur s’ka kursime, bie niveli i depozitave bankare. Por bankat kanë dhënë kredi, të cilat duhen larë. Po s’ka kursime dhe në treg gjithashtu nuk ka investime, kreditorët nuk mund të kthejnë paratë, sepse nuk kanë shitur prodhimin. E shihni sesi kemi hyrë në një rreth vicioz, që mund të na rrëzojë bankat, njëlloj sikurse na ndodhi më vitin 1997 me kompanitë rentiere? A nuk e dini pse ranë ato kompani? Sepse nuk kishin më depozitues... Kurse tani, shiheni me vëmendje, të gjitha bankat kanë rritur interesin bankare. Të cilat po shkojnë deri në 7%. Sigurisht për të mbledhur depozita; veçse, kuptohet se kjo nuk mund të jetë zgjidhje.
Situata është shumë e rëndë; dhe prandaj duheshin marrë masa, të paktën që dy vjet përpara. Nëse qeveria aktuale do të dinte si të luante, ne tani nuk do ta kishim ndierë thuajse farë krizën botërore, sepse do të kishte filluar prodhimi i brendshëm. Prodhimi i brendshëm tani do të kishte qenë i favorizuar, sepse, duke qenë çmimet kaq të larta, do të kishte hyrë patjetër në tregun shqiptar, i cili, për nga kostoja e lartë, që nga rënia e komunizmit nuk e kishte qasur fare prodhimin shqiptar në shumë degë të ekonomisë. Por si mund të fillonte prodhimi i brendshëm në Shqipëri, kur qeveria aktuale, që në nismë të saj, sulmoi kapitalin, a thua se kishte ardhur si në vitin 1945-1946 për ta shpronësuar, ose për ta hequr kapitalizmin nga prezenca ekonomike në Shqipëri? Saliu kishte marrë “sëpatën e dardharit” e po i binte trungut, pa e ditur që, duke rrëzuar lisin e kapitalit, po bllokonte ekonominë. Qindra milionë dollarë e euro dolën jashtë Shqipërisë; dhe tregu kërrusej tek shihte një punist demode që drejtonte qeverinë me koshiencën ekonomike të një mjeku shqiptar dhe të një kryeministri që asnjëherë nuk e ka ditur se ç’është efecienca ekonomike; ç’është qarkullimi i kapitaleve dhe sidomos, ç’është bota financiare.
3. Financa në kapitalizëm është alkimi; kurse dëmi që i është shkaktuar tregut shqiptar nga loja banale që ka luajtur qeveria Berisha, i kalon të 800 milionë euro. Imagjinoni, që i gjithë ky dëm i ka rënduar aktualitetit, domethënë vitit 2008; dhe prandaj ky vit duhet të jetë limiti i fundit i rezistencës së një shpërthimi, apo të një kraku financiar. Sepse shikoni se çfarë po ndodh: ndonëse çmimet janë rritur mbi 60%, inflacioni s’ka lëvizur fare, ose shumë pak. Si mund të ndodhë kjo në një ekonomi që funksionon normalisht? Kjo anomali, do të ishte e ngjashme me atë që do t’i ndodhte një njeriu të drobitur, të cilit, ndonëse i rritet temperatura me shifra maksimale, zemra i punon shumë ngadalë; sepse është në prag të shuarjes së tij, domethënë vdekjes. Prandaj, mendoj se çështja e krakut financiar është e afërt, ndoshta disamujore. Bankat, me të drejtë kanë dhënë kredi, por ato nuk mund ta mendonin që qeveria po akumulonte para si Harpagoni, sepse, nuk e kishin imagjinuar që një qeveri mund të drejtohet edhe me mjeke, me ragionierë, dhe sidomos me inat kundrejt kapitalit, në një ekonomi shume sensibile dhe që kërkonte përkrahje e jo dhunë kundër saj. Dhe duhet të kujtohemi, që nëntëdhjetë për qind e kapitalit të kredituar është investuar në ndërtim. Kapitali shqiptar kurrë nuk i është drejtuar prodhimit deri tani, sepse nuk ka pasur kurrë një qeveri profesionale që ta kuptonte se kriza jonë është në menexhment, dhe si pasojë në mungesën absolute të prodhimit industrial. Por, mungesa e parave në treg, përkatësisht e investimeve, ka sjellë rënien e blerjeve në pasurinë e paluajtshme, domethënë në banesa. Kjo, sigurisht shtrëngon firmat e ndërtimit të cilat nuk mund të lajnë dot kreditë e marra. Mosshlyerja e kredive në afat, ka sjellë pështjellimin bankar. Dhe bankat presin, presin, por iu kanë rënë edhe depozitat e kursimeve: atëherë, çfarë do të ndodhë?
3. Të gjithë kësaj tabloje, që tërhiqet zvarrë nga ngritja e çmimeve, vjen e u shtohet edhe sindromi 1997, i cili ka mbërthyer kryeministrin aktual. Nuk mjaftonte kjo krizë në treg, por në mars të këtij viti kryeministrit i shpërtheu edhe Gërdeci. Dhe në Gërdec, Berisha ishte vetë investitori kryesor i fabrikës së vdekjes, asaj që shpërtheu dhe vrau 26 shqiptarë të pafajshëm. E gjithë kjo ngjarje, që ka involvuar brenda vetes direkt Berishën, është e barasvlershme me çështjen e manipulimit të zgjedhjeve të qershorit të vitit 1996, ku edhe atëherë ishte përfshirë vetë Berisha. Edhe atëherë u kap si autori i atij manipulimi, por edhe tani u kap si investitori kryesor i fabrikës së Gërdecit. Edhe më 1966, pati kundërvënie të hapur dhe mospranim të zgjedhjeve nga të gjitha institucionet perëndimore, dhe sidomos të politikës amerikane; por edhe tani po njëlloj- Gërdecin nuk po ia pranon askush, por sidomos politika amerikane, sepse çështja po hetohet paralel këtu, por edhe në Amerikë. Kurse Berisha vijon të thotë nonsense, sepse nuk e di çdo të thotë investigim amerikan; sepse ende nuk do ta kuptojë se hetimi i Senatit amerikan, dhe hetimet e pushtetit gjyqësor në Amerikë, nuk ka forcë që t’i bllokojë. Por gjithsesi, kur kjo çështje korruptive lidhet me krizën financiare që spikat, gjendja bëhet edhe më e rëndë. Dhe po ta shohësh me vëmendje, edhe më 1966, çështja korruptive e manipulimit të zgjedhjeve, u shoqërua me një krak financiar, që erdhi nga kompanitë rentiere. Por edhe tani, çështja korruptive e Gërdecit, vjen e po shoqërohet me një krak financiar, që pritet të vijë nga bankat. Edhe atëherë, iu kujtohet sesi disa muaj para sesa të shpërthente realisht kriza, të gjitha kompanitë rentiere rritën normën e interesit, deri në kufij absurdë? Sepse ato kishin nevojë për depozita të reja. Por, a nuk e shihni edhe tani sesi bankat po rrisin pareshtur normat e interesit, madje edhe duke i reklamuar kudo? Sepse edhe këto kanë nevojë për depozita të reja, që të shlyejnë interesat e klientëve depozitorë, ngaqë nuk po iu kthehen kreditë. E pra, a nuk e shihni sesi Berisha gjendet sërish në sindromin e vitit 1997 - një përfshirje korruptive e tij në manipulimin e zgjedhjeve, e papranuar nga e gjithë politika perëndimore; dhe sërish po kështu; një përfshirje korruptive me një fabrikë vdekjeje, të cilën sërish nuk po mund ta kapërdijë politika perëndimore dhe ajo amerikane, sidomos? Dhe bashkë me të, gjithmonë e shoqëruar me një krak financiar. Ja ky është sindromi 1997.
4. Partia Demokratike dhe qeveria aktuale, nuk ka asnjë mundësi që ta shpëtojë situatën. E para që vetë partia nuk ekziston. Ajo prej kohësh është një fantazmë që iu desh Berishës për t’u ricikluar, dhe prandaj gjendet jashtë një formacioni politik inteligjent, të cilit duhet t’i kërkosh ndihmë profesionale. Kurse lidershipi aktual i saj, nuk ka mundësi të bëjë asgjë. Sidomos me largimin e Topit, ata nuk kanë më askënd që të krijojë një involvim të ri, që të krijojë më në fund një qeveri të re, dhe pastaj, me një ndërhyrje drastike, autoritare, profesionale dhe me fantazi, të këtë mundësi të shpëtojë gjendjen. Sepse u duhen bashkëbisedues me kapitalin që të fitojnë besimin e tij; u duhen njerëz që të dinë se çfarë është reforma akute, dhe si duhet kryer ajo; dhe më në fund u duhen njerëz të besuar që të kenë mbështetjen e gjerë në Perëndim, e sidomos në Amerikë. Të gjitha këto i mungojnë sot Partisë Demokratike, e sidomos lidershipit të lartë të saj, i cili duket sikur po pret shkatërrimin e Berishës, në mënyrë që të marrë ndonjë copë. Fakti që pret në një mënyrë të tillë, kuptohet se nuk di të bëjë gjë. Kurse Berisha vetë, duhet ta kuptojë se ai nuk e shpëton dot gjendjen, as gjendjen dhe as veten. Madje, këto tani janë të lidhura: Berisha e zbut rrezikun që i kanoset, vetëm nëse dilet nga kjo gjendje. Por si?
Megjithatë, le të presim vjeshtën, e pastaj të flasim sërish.
Botuar më 5 gusht 2008 tek “Panorama” (www.panorama.com.al)

Monday, August 4, 2008

Tiranës po ja marrin frymën!

“Mjetet zjarrfikëse nuk kishin asnjë mundësi të afroheshin tek pallati 15-katësh që gjendej mes tymit dhe flakëve. Nga distanca në të cilën vepruam, ishte shumë e vështirë të kontrollonim situatën”.
Pedagogët na thoshin në Fakultet, se paragrafi i një artikulli me citim, konsiderohet “kokë dembele”. Megjithatë ata linin të hapur mundësinë që një artikull të fillohet që në paragrafin me parë me fjalë në thonjëza, por vetëm në ato raste kur ajo që themi është shumë e rëndësishme. Në këtë rast, besoj se ajo që thuhet është e rëndësishme jo për shkak se punonjësi i zjarrfikëseve kullonte në djersë teksa thoshte fjalët të cilat i vendosa në hyrje të këtij postimi, por sepse bëhet fjalë për jetën e 200 banorëve të Tiranës.
Pak ditë më parë ata u gjendën papritur në një situatë emergjente. Disa punëtorë që saldonin në bodrumin e pallatit kishin gabuar, shkëndijat dhe temperatura e lartë bënë të tyren, instalimet marën flakë bashkë me materialet tjera. Rreth 200 metra nga vatra e zjarrit ndodhej një depozitë nafte me plot 4 mijë litra, e cila përdoret për furnizimin e gjeneratorëve që vendosen në punë në mungesë të energjisë elektrike. Pallati u mbush me tym, kati i parë ishte në flakë, energjia elektrike u ndërpre bashkë me lëvizjen e ashensorëve.
Nxitimi i zjarrfikëseve, shpeshherë i kritikuar, ishte i kotë. Ato nuk mundën të afroheshin aq pranë pallatit sa të mbulonin me ujë gjuhët e flakëve dhe të izolonin origjinën e tymit që kish ndaluar frymën e mbi 100 personave të cilët kishin mbetur në pallat. Rreth 50 prej tyre arritën të zbresin shkallët gjysëm të asfiksuar dhe morën ndihmën e parë sapo arritën në oborr. Rreth 50 të tjerë ndodheshin në rrezik. Një situatë e tillë duket ishte parashikuar në kohë nga ata që kërkuan ndihmën e repartit të forcave speciale RENEA. “Merimangat” shqiptare u ngjitën me litarë nëpër ballkone dhe arritën të nxjerrin nga rreziku pleq e të mitur që ndodheshin në prag të vdekjes. Mes tyre ishte një 7-vjeçar, të cilin gjyshërit e tij nuk kishin mundur ta ndihmonin për shkak se kishin mbetur në dhomën tjetër të apartamentit të izoluar nga tymi. Ai fëmijë ndoshta do ta harrojë ngjarjen që ndodhi pak ditë më parë, mbase nuk ka qenë fort i ndërgjegjshëm për gjithçka po ndodhte, por e vërteta është se jetën ia shpëtoi ai efektiv i RENEA-s që e nxori nga kthetrat e vdekjes duke zbritur gjashtë kate me litarin që i digjte duart prej nxehtësisë së fërkimit.
Nëse do të ndodhte në ndonjë vend perëndimor, kjo ngjarja pa dyshim do të kishte shkaktuar një debat të fuqishëm publik lidhur me efektshmërinë e zjarrfikëseve, sistemin e sigurisë kundër zjarrit dhe mënyrën si janë ndërtuar dhe po ndërtohen pallatet në Tiranë. Kryeqyteti ynë po betonohet çdo ditë e më shumë. Hapësirat e gjelbërimit dhe të frymëmarrjes po i zënë tonelatat e gurta të betonit aq sa lëvizja, frymëmarrja, shikimi, është bërë tejet i vështirë. Nëse një veturë kalon mes dy pallateve në Tiranë, atëherë duhet patjetër të ndalosh dhe të gjesh vend ku të futesh për të shmangur përplasjen. Ky është një sistem i cili jo vetëm po na kufizon dritën e syve, frymën e mushkërive dhe mundësinë e lëvizjes, por mbi të gjitha po na rrezikon jetën. E cila në rast se po tretet çdo ditë e nga pak si pasojë e ndotjes, mungesës së gjelbërimit dhe orientimit drastik drejt urbanizimit ekstrem, pa dyshim që do të ndodhet para një sfide ekzistenciale në ngjarje të papritura si ajo që ndodhi pak ditë më parë në “Rrugën e Kavajës” në Tiranë.
Një vështrim mbi fëmijën 7-vjeçar që dihaste dhe një prekje në gjoksin e tij, pranë zemrës që rrihte fort në kërkim të oksigjenit që kish filluar të mungonte në gjak, mjafton për të kuptuar sa boshe janë llafet për “Tiranën Europiane”, për “6-fishimin e buxhetit që i dedikohet kryeqytetit”, për “vendosmërinë e KRRTRSH-së për zbatimin e ligjit”, “luftën kundër korrupsionit” dhe “zbatimin e plan-rregullimeve urbanistike” apo broçkullave të tjera që dëgjohen pa fund në këtë vend të sunduar tragjikisht strikt nga kaosi.

Sunday, August 3, 2008

ALFABETI I ALPEVE

DEMIR GJERGJI
A (me prolog)
Jemi një grup gazetarësh të Radio-Televizionit Publik Shqiptar, që kemi marrë udhëtim drejt Alpeve. Me dashamirësinë e një dëgjuesi të pasionuar pas Radio-Tiranës, pronari i një agjencie udhëtimesh, Ymer Hajdini, na ka vënë në shërbim një autobus komod. Një udhëtim si nëpër legjendë që e ka të gjithë fantazinë, ta gjithë elementët dhe arsenalin shprehës të saj... Hipim në traget, ndërsa malet vishen me hijet e njëri-tjetrit, duke iu fshehur me padurim diellit të fortë të një dite të gjatë korriku. Trageti lëviz ngadalë mbi ujërat e ndalura nga diga e Komanit. Shtrati i gurtë i Drinit nuk duket, ndonëse uji është i kthjellët si loti. “Thellësia këtu i arrin të 150 metrat, - thotë Jaho Margjeka dhe vazhdon të na flasë për toponimet që tash sa vjet janë flijuar nën ujë. - Këtu i thoshin: “Ku ka pas thyer qafën Drini”. Këtu ka qenë “Vrella e Verdhë”. Atje, më poshtë atij shkëmbit, vendi ka qenë quajtur “Vau i Ujkut”. Për asnjërin prej këtyre toponimeve s’mund të flasësh me folje të së tashmes. Ato kanë mbetur në të shkuarën e tyre”.
...G (si guri)

Peizazhet shfaqen befasisht pas brinjëve të maleve. Shtëpitë e vetmuara. Arat pak më tej tyre... Më kot kërkojmë rrugët që duhet të nisin nga oborret. Tashmë ato janë tretur në barkun e ujërave si zvarranikë prehistorikë. Mungesa e tyre të krijon idenë se komunikimi i banorëve të atyre shtëpive të vetmuara është më i mundshëm me qiejt se me botën përreth. Por në nisjet e fjordeve të vegjël që hyjnë natyrshëm në qerthullin e maleve, ja tek shfaqet herë një varkë e bardhë, herë një trap i bërë me trungje, herë ndonjë fill i kaltër teleferiku. Janë ato që shpjegojnë enigmën e komunikimit të njerëzve nëpër faqet e liqenit me botën rreth e rrotull e përtej.
Maja të rebeluara drejt qiellit. Shkëmbinjtë duken si të vendosur pranë yjësive! Poshtë tyre mendja e njeriut mahnitet: ç’energji, apo ç’inat rebel e ka kreshpëruar kështu dheun e gurin, duke krijuar këto figura të çuditshme shkëmbinjsh e thyerjesh të thella dheu?
P (si poetët)
Tropoja është vend poetësh. Anton Papleka, Skënder e Mujë Buçpapaj, Hamit dhe Selim Alia, Mehmet Elezi, Besnik Mustafaj, Jaho Margjeka... Krijimtaria më e mirë e tyre mund të përbënte një antologji elitare. Njëri prej këtyre poetëve, Shkëlzen Zalli ia ka ngulur sytë njërit prej shpateve të bardha të këtyre maleve. Pas pak ai nis të tregojë me dorë: “Shikoni poshtë hijes së asaj reje. Është një fytyrë e lashtë burri...ja sytë e hapur fort, ja mjekra, çibuku që po i tymon në gojë... Shih, pak më tej: një fëmijë i shtrënguar ngrohtë nga dy krahë nëne... Po bëhet gati të pijë gji... Po atje! Ja mbi ato larat e borës. I shihni ata flokë të gjatë? Me siguri janë të një floçke që e kanë rrëmbyer dragonjtë nga ujërat...”. Galeria e pikturave që sheh Shkëlzeni është e pafund dhe e pashembullt. Me pak fantazi atë mund ta shijojë çdokush prej nesh... Dhe Shkëlzeni vazhdon të na prejardhjen e emrit të malit që është edhe emri i tij: “Shkëlzen do të thotë vend i shkelur nga zanat. Vjen nga togfjalëshi shkel zana...”. Dhe poetit i duhen mirëkuptuar ato që thotë, sepse gjithçka e thotë shpirtërisht, drejtpërdrejt.
Rr (si rruga)

Bajram-Curri. Veç rrugëve të mëparshme, tani drejt tij vijnë e shkojnë shumë rrugë në ndërtim. S’ka shumë që ka mbaruar autostrada që niset nga Bujani e shkon drejt Gjakovës dhe ja, një tjetër rrugë në ndërtim po shtrihet nëpër luginën e Dragobisë dhe më tej, drejt Valbonës, tjetra ngjitet lartësive me pyje, drejt Çeremit për të shkuar në Palvë e Guci. Rexhë Biberaj, kryetari “i përhershëm” i komunës së Margegajt (Hera e tretë që vendasit ia kanë besuar mandatin e kryekomunarit, por edhe 10 herë të tjera po të kandidojë përsëri atij do t’ia japim”, - të thonë këtu për të), pra Rexha flet me entuziazëm: “30 milionë lekë kemi shpenzuar deri tani nga burimet e brendshme për fillimet e kësaj rruge me gjatë prej 45 kilometrash. Për përfundimin e saj është parashikuar një fond prej 2 miliardë lekësh. Shpresojmë që ato të lëvrohen sa më shpejt nga Ministria e Transporteve”. Projektet e zhvillimit për Komunën e Margegajt arrijnë shumën e 10 milionë euro. Por jo vetëm Margegaj. E gjithë krahina e Tropojës është përfshirë në projekte të fuqishme ndërtimtare. Ja disa prej tyre: krahas rrugës që po zgjatet përkrah rrjedhës së Valbonë, do të shtrihen edhe tubacionet e ujësjellësit për këtë qytet. Kjo vepër do të bëjë të mundur furnizimin e pandërprerë me ujë të qyteti. Nga ana tjetër, kryetari i Bashkisë së Bajram Currit, Nuredin Ahmetaj, përveç atyre që na përmendi Rexha, na numëron edhe të tjera segmente rrugësh në ndërtim, apo që do të fillojnë shumë shpejt: “Krumë-Qafë Prush- Gjakovë, Sopt Rragam-Qafë e Luzhës, Fierzë-Poravë-Dardhë etj. Së afërmi e gjithë kjo krahinë do të jetë lidhur me një rrjet rrugor të standardeve evropiane”, - vazhdon ai. Edhe një fakt tjetër: pothuaj të gjithë ndërtimin e këtij rrjeti rrugor e ka marrë përsipër ta ndërtojë firma “Geci”, pronar i së cilës është Ramë Geci.
Sh (si shpresa)

Qeveria “Berisha” na ka premtuar se në marrëveshje me Malin e Zi, do të hapet një pikë kufitare kalimi mes dy vendeve. Atëherë kjo rrugë do të marrë nam të madh në Ballkan e përtej Ballkanit. Pastaj ai na flet për konkursin e “Miss Globit” që është realizuar në këto peizazhe të mrekullueshme. Një konkurs midis zanave të gojëdhënave dhe vajzave të metropoleve! Si mund të gjendet një simbolikë më kuptimplotë se kjo! Dhe më tej Rexha tregon për shkollën moderne, ku nuk mungojnë as dushet, që ka ngritur me ndihmën e shteteve të fuqishme të botës, tregon gjithashtu edhe për një vizitë që kanë bërë këtu diplomatët e vendeve mike, shfaq idenë e një hidrocentrali zonal, i cili do të ringrihet më i fuqishëm pas shkatërrimit nga ngjarjet e tranzicionit. Ai na kërkon të mos harrojmë që të shënojmë edhe faktin se me Gjakovën ka kohë që është vendosur një marrëdhënie e ngushtë edhe në fushën e arsimit. “Me interesimit e ish-deputetit të Kuvendit të Kosovës, Kamber Kamberi, është bërë e mundur që 50 nxënës nga Margegaj të vazhdojnë shkollën e mesme në Gjakovë. Dhe projektet e tij vazhdojnë me hanet për turistët, ku tradita vendase do të sundojë me të gjithë elementët e saj, me ngritjen e dhjetëra lokaleve elitare. Turistët kanë filluar udhëtimet e tyre gjithnjë e më shpesh këtyre. Rexha na thotë, se çdo vit në këto treva vijnë rreth 20 mijë turistë në vit. Këtë verë numri i tyre pritet të dyfishohet. Deri tani numri i tyre u është afruar 10 mijëve. Në udhëtimin tonë nga Tirana në Bajram-Curri na u bënë bashkudhëtarë një çift gjerman, në rrugën drejt burimeve të Valbonës, pjesë e grupit tonë u bë një djalosh simpatik nga Çekia. (Në bllokun tonë të shënimeve ai e ka shënuar emrin me dorën e vet: Ondrej Bednar). “Në krahasim me vitin e shkuar, turistët janë dy-trefishuar”, - thotë Rexha. Udhëtojnë lirshëm dhe u bën përshtypje mikpritja e malësorëve. “Shoqërinë e tyre dashamirëse është vështirë ta gjesh edhe në metropolet tona”, - shprehen ata. Asgjë e papëlqyer nuk u ka ndodhur deri më tani. As edhe një kapele nuk u ka humbur. Enden nëpër bjeshkë në lirinë e tyre dhe bujnë pa frikën më të vogël aty ku i zë nata”. Ndërsa bashkëfolësi vazhdon të flasë, imagjinata jonë shkon tek Edith Durham. Pa këtë mikpritje në këto anë, ajo nuk do të kishte mundur ta shkruante kurrë “Brenga e Ballkanit” dhe shënime të tjera.
T (si tradita)

“Kjo bukuri ka qenë e ndryrë në shtatë palë dryna për gati 50 vjet rresht nga përbindëshi diktaturë”, - thotë shoferi ynë, Skënder Malaj, duke lëviz me kujdes timonin nëpër rrugën në ndërtim. Duhej të kaloje postbllok pas postblloku për të ardhur deri te këto mrekulli, - vazhdon Skënderi.
Pas një kthese duket krifa e blertë e një pishe. Ajo ka mbirë dhe është rritur pingul drejt e mbi një shkëmb të bardhë. Grigor Banushi, për një çast mban vështrimin mbi atë dru të blertë e të lartë dhe thotë i çuditur: “Si ka mundur t’i fusë rrënjët në atë ashpërsi shkëmbi?”, - pastaj fillon përsëri batutat e tij me humor që na shkulin së qeshuri. Pisha e lartë mbi gur mbetet pas krahëve, si simbolika më e saktë e jetës së këtyre anëve.
Tek-tuk në faqet e maleve duken plagët e zjarreve që kanë rënë verën e shkuar. Drurë që nxijnë ende mes gjelbërimit që po e merr veten. “Këtë vit, për fat dhe falë kujdesit që po tregohet, deri tani nuk kemi asnjë vatër zjarri. Shpresojmë që kështu të themi edhe në fund të kësaj vere”, - të thonë në Drejtorinë e Zjarrfikësve, në Bajram-Curr... Dhe bjeshkët vazhdojnë ritin e tyre të rritjes, të hijezimit të tokës, të rënies së gjetheve, të dialogut me erërat, të krijimit të varianteve të tjera të miteve e legjendave. Me një ndryshim të vetëm: ky rit i lashtë tashmë nuk shoqërohet më nga gjëma e Vajit të Ajkunës, nga shkëndijime shpatash mbi koka të prera, nga krisma armësh me shënjestër mbi zemra njerëzish, nga ulërima të zemëruara luftëtarësh dhe nga kuje ngashërime nusesh në pritje të dashurive. Tashmë të vetmet kolona zëri dhe sfonde për këto ritet të rritjes së bjeshkës janë gjëmimet e motit, oshtimat e erërave që sjellin borëra e marrin me vete mjegulla, janë blicet e vetëtimave dhe këngët e zogjve të bjeshkës.
Pronari i hotelit, ku jemi vendosur, Bashkim Biberaj, qesh me çiltërsi, kur i dëgjon të thuhen poetikisht këto dhe shton: “Tani në Bajram-Curr janë hapur të gjitha rrugët, portat dhe zemrat. Ai që druhet të vijë, ose e ka të keqen me veten, ose dikujt i ka bërë keq”. Dhe fjalët e tij i vazhdojnë në mënyrën e tyre themelet që po hapen ndërtimet që po bëhen, shëtitjet e qeta edhe në rrugët më të thella e të vetmuara. Plagët e hapura në kohët e trazuara heshtin thellë si thëngjij. Shpresa është se asnjë prej atyre thëngjijve nuk ka për të ndezur më zjarre që djegin jetën. “Këtë shpresë që duhet ta ushqejë përditë shteti, merr forcën e ligjit që vendos drejtësi, - vetëm ai e ka forcën dhe tagrin t’i lërë në gjumë ato tragjedi, - përfundon Bashkimi, pa e hequr nga fytyra të qeshurën e çiltër që duket se ia ka marrë hua fëmijës së tij 6-vjeçar.
Z (si zemra)

Në Gjakovë erdhëm natën. Qytet i gjallë dhe miqësor. Na duket se aty po na presin Ali Podrimja e Din Mehmeti, (Shkëlzen Jetishi po se po. Ai po e shoqëron vazhdimisht me këngë udhëtimin tonë). “ Gjakova, ashtu si dhe Tropoja, është vend poetësh dhe intelektualësh. Prej këtej janë edhe politikanët Fadil Hoxha, Mahmut Bakalli, Astrit Haraçia, ish- ministri i Kulturës, e të tjerë. 40 për qind e intelektualëve të Kosovës janë nga Gjakova”, - thotë Alfons Zeneli, ndërsa futemi gjithnjë e më shumë në ndriçimin e pastër të qytetit. Gjakovarët e kuptonin menjëherë që ishim “prej Shqipnie” dhe për të na nderuar, tregtarët e harronin lakminë e fitimit, duke na e ofruar mallin me çmim më të ulët, kalimtarët ndalonin për të na dhënë dorën, shoferët u bini borive në shenjë njatjetimi. Skënder Gola, drejtori i Radio-Gjakovës. Hyjmë në studiot e thjeshta të radios, që presin një riparim sa më të shpejtë. Kasetat e arkivit, aparaturat, mikrofonat. Ja prej andej është shpërndarë përmbi male e përtej tyre zëri dhe kënga në kohë të ndryshme, ato lajme, emisione dhe ajo muzikë që dëgjoheshin edhe në një pjesë të mirë të Shqipërisë. Izet Margjeka thotë pa i fshehur emocionet: “E dëgjoja gjithnjë Radio Gjakovën. Nuk kam për ta harruar kurrë ankthin e asaj dite, kur papritur valët e kësaj radioje sollën bë veshët e mi vetëm fjalë në serbisht..”. “Po, - e vazhdon bisedën Skënderi, atë ditë erdhën ushtarët me armë deri në dhëmbë dhe helmeta në krye e na urdhëruan të dalim jashtë. Ka qenë dita më e zezë e jetës sime... -Pastaj si i zgjuar nga një ëndërr e keqe, vazhdon: Vitin që vjen do të festojmë 30-vjetorin e radios. Me siguri do t’ju ftojmë kështu siç jeni”. Dhe i qeshin sytë, kur merr miratimin tonë. Mikrofonat duken aq miqësorë në tryezat e studios. Na vjen të ulemi para tyre, t’i hapim e të themi: “Mirë se të gjetëm, Gjakovë!”
...Dalim nga mjediset e radios dhe ecim drejt lagjes më të vjetër të qytetit, Lagjja e Haraçisë. Me ne është edhe korrespondenti i gazetës “Bota Sot”, për Tropojën dhe Gjakovën, Kastriot Shedadi. Ai flet për një shkrim që ka botuar pikërisht në numrin e ditës, i cili bën fjalë për punën e madhe që po bëhet në drejtim të ndërtimit të rrjetit rrugor në këto treva. “Tropoja dhe Gjakova, thotë ai- janë një kontinuitet. Ato gjithnjë kanë qenë shpirtërisht bashkë, pavarësisht nga kufijtë që mund t’u jenë vendosur dhunshëm.. Ecim drejt Hanit të Haraçisë, i ndërtuar në 140-ën. Këtu flinin ata që ndërtuan Xhaminë e Hudumit. Gurët e kalldrëmeve të lagjes së vjetër ndriçojnë mistershëm. Skënderi bën me dorë poshtë, diku në breg të lumit që rrjedh përmes qytetit. Tregon varrin e Maxhar Pashës, që erdhi të mblidhte haraçet për sulltanin. Gjakovarët e kapën, ia prenë kryet dhe, më pas, e varrosën këtu me të gjithat nderet që, sipas tyre, meriton një luftëtar”, - vijon Skënderi. Histori të që sjellin ngjarje dhe fakte gati të pacenuara në të sotmen. Në një birrari karakteristike, në mes të kësaj lagjeje, gati e gdhijmë. Këngë, muzikë humor. Barsoleta që nxjerrin në pah zgjuarsinë dhe prakticitetin, por edhe shpirtin fisnik të gjakovarëve. E lëmë qytetin rreth orës 3 pasmesnate. Autostrada e gjerë zgjatet nëpër tokën shqiptare...
Zh (Me epilog)
Dita e kthimit qëllon e diel dhe trageti është i ngarkuar më shumë se zakonisht. Më shumë janë turistë nga Kosova. Makinat ngjiten një nga një në barkun e tragetit. Brenda tyre fëmijë që flenë, gjyshe me shishe pijesh freskuese apo uji nëpër duar, vajza të veshura lehtë. Shkojnë drejt bregdetit. Disa që e kanë për herë të parë udhëtimin, pyesin: “Sa orë duhen që të shkojmë te deti?”. Valdete Antoni ka hapur diktofonin dhe po regjistron jetëtregimin e një nëne nga Kosova. Tmerre lufte, përpjekje për jetën, kalvar besëtytnish, përpjekje këmbëngulëse drejt një jete njeriu (jo robi). Në gojën e nënës së moshuar ka shumë të shkuar me hasm, por po aq ka edhe të tashme, dhe të ardhme “me Shqipni, me vllazni, me det... Bashkë me mbesat, ajo po shkon në Durrës për pushime Naser Popoçi nga Mitrovica (Pasaoshes, kështu i thotë pasaportës) ku mbiemrin ia kishin shënuar Popovci, “e ka tretëkrejt” si një kujtim që ka turp ta përmendë), pyet, ndërsa i afrohemi digës së Komanit, ku do të zbresim: “Për sa orë mbërrijmë në Durrës?”... Një turist gjerman, i ulur në ndenjësen pranë, i cili gjithashtu, ndalimin e fundit për sot e ka në Durrës, mpreh veshët për të dëgjuar. Me sa duket, kupton pak shqip dhe përpiqet të marrë vesh në do se të mbërrijë në Durrës para muzgut. Dielli është në stacionin e fundit të udhëtimit qiellor. Pas supit të një mali shfaqet fusha e butë, e gjelbër. Në fund të saj është deti. Atje po shkon të bujë dielli. Atje derdhet edhe Drini, i cili ulet urtë e butë në Mjedë, i lodhur e me energji gati të mbaruara, si Halili i Eposit, që ka kaluar një natë në shtrat me tri Tanusha. Miku gjerman po këndon nën zë, mbase ndonjë pjesë nga versioni moderni Nibelungëve... Eposet, dikur larg sho-shoqit, fqinjërojnë miqësisht...
11/07/2008

Saturday, August 2, 2008

Tiranë-Tropojë, përtej klisheve



Vladimir Karaj
Ka njerëz në Tiranën e zhurmshme me tym dhe beton, që mendojnë se për të shkuar deri atje të duhet një grup truprojash të armatosur mirë, të tjerët më pak të goditur nga klisheja të sugjerojnë të paktën një shoqërues…Ndoshta pikërisht për këtë kur ju themi që sapo jemi që jemi kthyer nga Tropoja, një pjesë e mirë shohin me atë vështrimin që të mat nga këmbët te koka për të parë sa burrë je dhe të pyesin (ose kështu na duket) sikur duan të saktësojnë mitin e rrugëve të mbushura me “njerëz të egër”, banda dhe të fortë. Shumë shumë këta njerëz janë në grupin e atyre që e kanë parë Tropojën nga këndi i vetëm i një fotoje apo filmimi të bustit të “Bajram Currit” në qendër të qytezës me të njëjtin emër, e cila shërbente për të ilustruar thuajse të gjitha ngjarjet e kronikës së zezë të vetmet që mbërrinin me lehtësi nga vendi i zhytur në mes të alpeve. Ashpërsinë e këtyre të fundit “njerëzit e Tiranës”, jua mveshën dashje pa dashje njerëzve që jetonin aty, kështu që Tropoja duket po aq ekzotike për ne që shkojmë atje nga kryeqyteti, sa edhe për gjermanin Peter që e takojmë diku pranë “Shpellës së Dragobisë” përgjatë rrugës për në Valbonë, ndërsa ngre kamping diku në buzë të lumit. Pyetjes sonë se nëse ndjehet mirë, ai i përgjigjet me një listë të gjatë vendesh që ka ndërmend të vizitojë, pasi deri tani gjithçka i ka shkuar shumë mirë... Peter dhe miqtë e tij udhëtojnë në dy makina “jashtë-rruge” dhe thonë se kanë të paktën një javë në malet e Shqipërisë. “Po, po, shkëlqyeshëm... unë ja kam kaluar shumë mirë duke u ngjitur në malet tuaja”, thotë ai ndërsa bisedojmë...

(I) Komani...
Nuk pretendojmë se jemi kolombë, madje përkundrazi! Ndërsa po shkruajmë, disa ditë pasi jemi kthyer nga Tropoja dhe i hedhim një sy internetit, kuptojmë se jemi njëfarësoj të vonuar. Kemi humbur vite të tëra pa mundur të shkojmë diku rreth 5-6 orë nga Tirana në një nga vendet më të bukura të Shqipërisë, ku njerëzit nëse të njohin si mik zor se të lënë të paguash në tavolinën e tyre. Të vetmet duele që ne pamë të luftoheshin me gjithë zemër në kafenetë e vogla të qytezës. Përkundër klishesë kupton se njerëzit e egër, ata që grinden orë e moment në rrugët e tejmbushura me makina dhe shajnë majtas e djathtas, i ke lënë në Tiranë.
Kishte kohë që e mendonim udhëtimin. Në mendjen tonë dukej se ishte e vështirë të shkoje deri atje. Tropoja deri atë ditë ishte për ne: “Busti i Bajram Currit i fotografuar në një kënd, në faqen e kronikës së zezë”, ose histori e lexuar në faqe interneti, e në më të mirën e rasteve rrëfim miqsh për ujin e kaltër të Valbonës.
Nga Tirana u nisëm herët në mëngjes të bezdisur njëfarësoj për gjumin e prishur nga zilja e telefonit, për të takuar shoferin po aq të bezdisur nga vonesa jonë. Deri afër Lezhës ishim përgjumësh dhe po kështu edhe pas kafesë të pirë në një nga vendet ku ndalonin fugonat e Tropojës. Prej këtej deri te ura pranë digës së Komanit gjithçka ishte thuajse e heshtur. Këtu ndaluam në radhën e makinave që duhej të futeshin në rrugën njëkalimshe për në “portin” e improvizuar të tragetit. Prej aty, ndërsa po pinim kafen e dytë, mësuam se tani bëheshin tre rrugë vajtje-ardhje tragetesh për në Tropojë.
Pritëm rreth 30 minuta derisa karvani i makinave filloi të lëvizte ngadalë, madje shumë ngadalë për tu futur në një tunel dhe për të dalë në krahun tjetër të digës aty nga duhej të niseshim me tragetin e radhës. Por nuk qe e thënë. Trageti i parë u nis pa na marrë në bord i tej mbushur me makina kryesisht të shqiptarëve të Kosovës, pjesa më e madhe nga Peja që në këtë mënyrë shmangnin një pjesës të rrugës së tmerrshme të Kukësit, duke i dhënë vetes edhe fatin të lundronin në një nga kanionet më të bukura të vendit. Këtë në fakt nuk e dinim. Na e kishin thënë, por asnjëherë nuk je i sigurt për atë që të thonë të tjerët. Miqtë që kemi bërë na shtyjnë drejt një shpellë në ballë të së cilës me shkronja të shtrembëta shtypi është shkruar “VENDISHEJTE”. Një mori dallëndyshesh dhe harabelash i vijnë vërdallë shpellës ndërsa gurët janë mbuluar dikund me qirinj, dikund me dhurata në krye të së cilës qëndron një statujë Shën Mërie që prej sëlargu duket se është bërë me allçi. Trageti i dytë, i riu siç na thonë, na largon vëmendjen prej shpellës dhe lë kohë të bëjmë vetëm pak fjalë mbi bashkudhëtarët dhe të ndërrojmë pesë pare muhabet me një meso-burrë nga Kosova. Pas kësaj shtyhemi në traget. Makinën e kishim lënë andej nga fundi, n[ m[nyr[ q[ t[ mund të zbrisnim ndër të parët, kur trageti të ndalojë në krahun tjetër diku pranë digës së Fierzës. Pak minuta më vonë jemi në ballë të makinerisë që lëviz me pak zhurmë në mes të brigjeve herë të gjelbra e herë shkëmbore, por gjithmonë[ mahnitëse. Udhërrëfyesit që kemi zgjedhur na tregojnë se cilën prej luginave do ndjekë trageti dhe na tërheqin vëmendjen pas formave të çuditshme të shkrepave rreth e rrotull. Ky vend dikur duhet të ketë qenë shumë më i thellë. Ndoshta një luginë e pakalueshme e një lumi të rrëmbyer të cilit i bënë digë dhe e kthyen në liqen. Sidoqoftë majat rreth nesh janë po aq të frikshme.
Trageti nuk duket aq keq. Nuk ka shumë udhëtarë dhe mund të rrish lirshëm në pjesën që ti zgjedh. Balli i tij ku edhe kemi vendosur të ulemi thuajse është krejt i lirë dhe ndërsa era na përplaset në fytyrë dhe na e bën pak të vështirë frymëmarrjen kuptojmë se kemi ikur prej Shqipërisë “industriale” dhe në një udhëtim kohe gjendemi dikund më herët në vite të papërcaktuara me data mes shtëpive të gurit dhe trapeve të vegjël prej druri që ndihmojnë në komunikimin e banorëve të këtyre zonave. Komani para nesh herë mbyllet herë zgjerohet në lugina, ku uji dhe shkrepat sikur luftojnë me njëri tjetrin për çdo pëllëmbë, duke mbajtur të zënë si në grackë banorët e brigjeve dhe shtëpitë e tyre prej guri. “E vetmja mënyrë që njerëzit këtu kanë për tu lidhur me pjesën tjetër janë ato barkat e drurit në breg” na thotë një nga udhëtarët e përhershëm, i cili shoqëron një makinë që transporton kuaj. Në fakt e gjithë zona duket një rezervat i çuditshëm dhe sa më thellë që futemi në liqen aq më shumë na bën përshtypje fakti se në të dy krahët e tij ka njerëz që jetojnë. Prej sëlargu shihet se ata i kanë vjedhur malit pak metra toka, por në të vërtetë prej këtu nuk mund të marrim vesh se me se jetojnë në të vërtetë.
Dëshira për të folur me kapitenin e tragetit na shuhet aty për aty, ndërsa jemi duke u çarë mes shkëmbinjsh që bien thikë e që në fakt pushtojnë gjithë kuriozitetin tonë dhe aftësinë për të admiruar. Majat e bardha pasqyrohen po aq të bardha në ujin e jeshilët të liqenit dhe gjithçka do t’i përngjante një bote çudirash sikur të mos ishin zërat e notarëve që lëshohen prej brigjeve aty pranë drejt e në fund të tragetit, aq sa të gjithë druhen se mos i kishim përplasur. Kur trageti kalon ata janë po aty nga pas duke notuar dhe lëshuar britma, prej fëmijësh që i gëzohen ujit. Mandej ne mund të kthehemi sërish në botën tonë prej shkrepash të cilave herë u afrohemi dhe herë u qëndrojmë larg në varësi të rrugës që zgjedh timonieri. Gjithçka këtu është përtej hamendësimeve, asnjë rrëfyes në mos qoftë mirëfilli një gjeni nuk mund të gjejë me fjalë ndjesitë që provon ndërsa era të rrok ballin dhe ti përpiqesh të shquash përtej horizonteve mjaft të ngushta e të rrëpirëta apo të lexosh nëse mund të lexohen format që natyra a mbinatyra kanë krijuar duke ndryshuar për vite me radhë shkrepat. “Ja atje në majë është një shkëmb që i ngjet sfinksit, duket sikur ka fytyrën e njeriu”, na thotë një nga bashkudhëtarët.
Fotografojmë për ta parë nga afër dhe krijojmë përshtypjen që ndoshta vërtet ai shkrep i përngjet kokës së një qenie fantazmagorike, fundja gjithçka mes shkrepave të bardhë, shkurreve dhe ujit të gjelbër është njëfarësoj përtej botës gri apo të ngjyrosur artificialisht që ne shohim çdo ditë. Madje sikur të mos të ta vritnin syrin grumbujt e bidonëve plastikë të hedhur aty prej udhëtarëve më të hershëm dhe të mbledhur në gjiret e vogla anë bregut, mund të thoshe me plot gojën se njeriu nuk kishte prekur në këto anë. Por ja që njerëzit kishin kaluar këtej edhe më parë, kishin shkarkuar aty mbetjet e tyre, që të mbesin në grykë për gjatë gjithë udhëtimit.“Ndoshta me pak para dikush me një barkë mund t’i mbledhë të gjithë bidonët e kanoçet”, u themi djemve që kemi në krah, ata tundin kokën dhe bëjnë shaka dukshëm mosbesues. Ndërsa mendojmë se vendi sidoqoftë nuk e ka humbur hijeshinë. Plehrat janë vetëm pak llum në fundin e një shisheje me verë të vjetër e të mirë, për të cilën janë kujdesur pak dhe ndoshta nesër do të kujdesen më shumë. Në këtë kohë trageti ka filluar të ulë shpejtësinë, flamuri shqiptarë që ndehej i hapur gjatë gjithë udhëtimit mblidhet për rreth shtizës dhe na duhet pak minuta të zbresim, disa qindra metra para liqenit tjetër, në rrugën që do të na përcjellë prej këtu deri në Valbonë...
Në tentativë për të shkruar diçka më të përtejme, për të parë më thellë kuptojmë se pak kemi mundur të mbledhim. Mjaft klishe, edhe pse të ndryshme nga ato të fillimit, janë ende aty si gurët dhe shkrepat buzë Komanit dhe ne as kemi fuqi as dëshirën për t’i lëvizur, fundit fare çfarë mund të thuash më shumë për këtë vend veçse që je magjepsur prej tij. Ani pse kjo është një klishe, është nga ato të vërtetat...

Marre nga gazeta Standard (www.gazeta-standard.com)
Foto nga: www.drejttropojes.blogspot.com