Friday, March 28, 2008

Letër e pa dërguar...

Heshtja ime tretur në meditimin tënd
në paqartësinë tënde, sytë e mi
drita e shikimit kredhur, e humbur
në dallgët e të pathënave, valët
përplasen, bien mbi shkëmb
e mbeten, të pa vdekura fjalët

Heshtja ime tretur në ikjet,
pa kohë, pa adresë, pa shkak
Mes kujtimesh të mbaja
Arratisjet tua s`ishin mungesë
Veç largime të përkohshme
Net të gjata bashkëshortësh që
mpiksin foshnjat e dyshimeve

Heshtja ime tretur në dyshime
Në fjalët, prekjet tua, betimet
që dyshimet mi vrasin përkohësisht
ringjallet heshtja ime në dyshime
mashtrimet thërrasin barbarisht

Heshtja ime tretur në arratisjen
E pritshme
Prej viseve tua, prej relievit
Shkëmbor që kisha dashur
Të pathënat, rikthime të paqena

Heshtja ime në origjinë ku më ra koka
Mes gardheve të mosveprimit
Në një rajon të largët, malor
Heshtja ime tretur në një letër
të gjatë, idiote, vrastare
Objekti: Urrejtje pa fund, mall pa limite
Adresa: Mosqenia e saj
Dërguar: Asnjëherë...

...T.Sokolaj, 2008

Sunday, March 23, 2008

"Mos na gërric shumë..."

Së bashku me një kolegun tim, ndodhesha diku në brendësi të fshatit Gërdec, atje ku më tepër se një javë më parë, ndodhi shpërthimi i një fabrike demontimi municionesh luftarake që shkaktoi tragjedinë më të madhe të ndodhur ndonjëherë në Shqipëri. Isha zgjuar në mëngjes me idenë se kjo është një ditë e diel, kur në Tiranë nuk ka shumë aktivitete, me idenë se kaloi një javë nga tragjedia e Gërdecit, dhe, se tani ja vlente të shkoje edhe njëherë atje, për të parë më ftohtë pasojat e asaj që ka ndodhur. Po ecnim në një rrugicë të fshatit, ishim nisur drejt zonës ku ndodhej krateri i shpërthimit, kur një makinë e policisë ushtarake, u shfaq në fund të rrugicës. Prej saj zbritën dy efektiva të policisë ushtarake. Vërshëlluan prej larg ndërsa u nisën me vrap drejt nesh. “Kjo është zonë e ndaluar”, thanë duke na zënë rrugën e më pas duke na thënë se “duhet të ktheheni, kemi urdhër të mos ju lejojmë”. I kërkova një urdhër, policit që në moshë dukej më i madh, i thashë dua ta shikoj atë urdhër zotëri. Hajde të shkojmë tek komandanti tha, është atje poshtë, tek postblloku. Epo mirë i thashë, shkojmë. Në fund të rrugicës, ndodhej po aty ku kishte ndaluar më parë, makina e policisë ushtarake. Njëri nga efektivat hapi derën dhe na ftoi në makinë. Jo zotëri i thashë, unë do të eci në këmbë, dua të shikoj fshatin, nëse mundeni më shoqëroni deri tek komandanti juaj, unë nuk jam kriminel dhe as keqbërës që të më ndaloni, të më shoqëroni me makinë. Kjo ndjesi me nervozoi pak. U thashë se do të ishte mirë sikur të merreshin me banorët e zonës që kanë nevojë për ndihmë dhe të mos harxhonin kohë me gazetarët. Ky natyrisht nuk ishte një incident. Unë nuk e konsideroj të tillë, por pas kësaj që u thashë dy policëve, njëri prej tyre mu kthye duke më thënë “ec ore, mos na gërric shumë”. Ndalova. Iu afrova dhe i kapa uniformën ushtarake në krahun e majtë. “Zotëri i thashë, respektoje këtë uniformë që ke veshur, unë nuk po kërkoj të më respektosh. Ky që përdor ti, nuk mundet të jetë kurrë, fjalor i një ushtaraku që ka vend në NATO”. U step por nuk kisha dëshirë të vazhdoja më tej. U pendova që ia thashë tani këto fjalë, sepse në fakt kisha menduar tja thosha në sy të Komandantit. Fillova ecjen dhe pashë se po afroheshim tek qendra e Komandës. I pyeta ku ndodhej Komandanti. Njëri nga policët më tha se ai ishte lart në zonë. Sa mund të vonohet zotëri. Nuk e di më tha. Unë nuk kam kohë të pres këtu me orë i thashë, por ai si duket nuk e kishte mendjen. Ia përsërita dhe mu kthye gjithë ironi: Përse zotëri doni të hyni në atë zonë, përse doni të filmoni?. E sqarova duke i thënë se unë nuk dua të filmoj, dua të flas me njerëzit, ti pyes. “Kush ti pyesë, ti?, mu përgjigj. Po unë i thashë do ti pyes, kam dëshirë të shkruaj për ata dhe jo për ju. Në këtë kohë mbërriti komandanti, i cili nuk kishte qenë aty. Policët e tij më kishin gënjyer kur më thanë hajde se na pret komandanti poshtë. Ai erdhi pasi kisha pritur rreth 35 minuta. U zemërua me një kolegun tim, u tha ushtarëve se kishin bërë shumë mirë që ishin sjellë në atë mënyrë me të, dhe harroi fare që unë, i kisha bërë një telefonatë dhe i kisha thënë se po prisja një konfirmim nga ai për të hyrë në zonë. Kaloi kufizimin e zonës ushtarake dhe po ecte. I thirra disa herë por nuk ktheu kokën. E telefonova kur kishte hyrë brenda çadrave ushtarake dhe i thashë se të paktën duhej të komunikonte me mua. Përfundimisht unë hyra në zonë dhe mbarova çfarë kisha për të bërë. Ky episod mu fiksua keq në mendje, parë në dritën e një diskutimi që kam pasur këtu e muaj të shkuar me një Komandant të Forcave Speciale Gjermane. E pata takuar në repartin RENEA. “Problemi kryesor i Shqipërisë është reformimi. Unë nuk e di çfarë nënkuptojnë politikanët tuaj me reforma, por unë flas për reformimin e njeriut. Ju keni policë të mirë, ata kanë vullnet dhe aftësi, por më vjen keq kur i shikoj që vijnë në punë sa për të qenë, nuk kanë asnjë ide dhe nuk kërkojnë asgjë më shumë nga vetja. Nuk përpiqen çdo ditë ti japin një kuptim asaj që bëjnë, nuk mundohen të gjejnë forma për tu përmirësuar gradualisht”. Ngjarja e mësipërme dhe dialogu me efektivin gjerman mu kujtuan ndërsa po mendoja edhe unë si shumëkush në këtë vend: A do të ketë ndikim ngjarja e Gërdecit në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO? Pa dyshim që do të ketë ndikimin e saj, por gjithsesi, Shqipëria hyn në NATO atëherë kur ta meritojë. Atëherë kur ushtarët e saj, të paktën në kohën kur kanë uniformën mbi trup, të lënë mënjanë fjalorin prej gangsteri, atë sjelljen prej rrugaçi dhe zyrtari që bën insinuata personale ndaj shtetasve të këtij vendi. Edhe nëse Shqipëria nuk hyn në NATO, për shqiptarët do të jetë një fitore e madhe nëse reformohen këta njerëz, nëse policia ushtarake, apo çdo efektiv i ushtrisë, e konsideron vetën në shërbim të qytetarit dhe partner të denjë e të besueshëm të tij. Unë kam qenë i ftuar në Shtabin e Përgjithshëm të NATO-s, kam qenë edhe në Komandën e Operacioneve në Mons, një qytet thuajse tërësisht ushtarak në Belgjikë. Aty kam pasur rastin të komunikoj me ushtarakë të ndryshëm gjatë qëndrimit disaditor. Nuk më vjen aspak mirë, që ushtarakët grekë, italianë, francezë apo polonezë, u sollën dhe komunikuan me mua në një mënyrë shumë më zyrtare, njerëzore dhe korrekte, sesa ushtarakët e vendit tim, Shqipërisë, të cilët doja të doja me gjithë shpirt, që një ditë të silleshin, të shërbenin dhe të komunikonin me qytetarët si ata, ushtarakët e NATO-s.

Monday, March 17, 2008

Zemra ndalon rrahjet...!


Shume prej tyre, nuk jane mes nesh. Nuk mundem ti percjellim as ne banesen e fundit, jo se nuk deshem, por sepse nuk mundem. Gjithcka u tret, u shua ne gjuhet e tmerrshme te flakeve dhe nen germadhat e shperthimit te madh. Katastrofa nuk beri perjashtim as kete here, ajo erdhi ashtu, misterioze e papritur, por jo e pa paralajmeruar. Ajo ndodhej aty, fare prane nesh, atje ku dikush tentonte barbarisht fitimin maksimal dhe pasurimin ne kohe te shkurter permes mungeses se kontrollit, pergjegjesise dhe permes mundit te atyre qe iken, atyre qe s`jane me, atyre te cilet rrezikuan aq shume, per nje jete me te mire, te cilen nuk munden ta jetojne dot!

Friday, March 14, 2008

Dita e Verës, festë jo vetëm në Tiranë...



Ne Tirane dhe ne Elbasan u zhvilluan sot festime me rastin e Dites se Veres. Ne fakt mengjesi mberriti me nje diell te shndritshem dhe te ngrtohte, ndersa te gjithe tentonin qendren e Tiranes. Aty ku ne fakt nuk kishe ku te qendroje nga njerezit e shumte dhe kaosi qe shoqeron zakonisht grumbullimet publike. Ne anet e rrugeve shitej ne tezga embelsira tradicionale e Festes, Ballokumja, ndersa ne Bulevardin kryesor te Tiranes ishte organizuar nje koncert festiv ku interpretuan disa kengetare shqiptare. Vemendja kryesore ne fakt, ishte perqendruar ne Elbasan, atje ku te gjithe pranojne se tradita ka percaktuar qendren e kesaj feste. Kryeministri Berisha deklaroi se kishte refuzuar nje takim me aleatet e tij ne Qeveri pasi qe me pare ne axhenden e tij te dites se sotme, ishte parashikuar pjesemarrja ne ceremonine festive dhe aktivitetet e organizuara ne Elbasan me rastin e Dites se Veres.

Wednesday, March 12, 2008

Dita u err
Netët sterrë
Kjo kohë pa ty...
Ç`tmerr

........

Të kam harruar
Ta dish!
Pas çdo kujtimi më tepër
tretesh në kujtesë
100-fish
Memorja ime e verbër

pas çdo kujtimi më pak gjëra
në mëndje mbërrijnë nga ti
ditë-netët skalitur, rrahur

barbare era
rrëmbejnë kujtime,
humnera
të gjitha varrosur në sy

Është tretur parfumi brilant
Edhe flokët e tu u tretën
Në kohë të paqena, imazhi
ka mbetur,
boshllëku gjigand,
dhe harrimi,
humbi kujtesën


Hiret tua si një parajsë
S`më shfaqen çdo natë
Çdo muzg
Si atëherë kur rendja,
i marrë
Ti lëroja, si arën një bujk

...................T.Sokolaj

Saturday, March 8, 2008

Këtu s'do jem...

Këtu s'do jem do jem larguar
Ne toke i tretur si te tjerët
Ne kafenenë e preferuar
Nuk do me shohin kamerieret

Dhe neper udhët ku kam ecur
S'do ndihet kolla ime e thate
Mbi varrin tim do te rrije i heshtur
Një qiparis si murg i ngrate


Ti do trishtohesh atëherë
Se s'do me kesh ne dhome te gjalle
Dhe kur ne xham te fryje ere
Do qash me erën dalëngadalë

Por kur te jesh mërzitur shume
Ne raft te librave kërkomë
Aty do jem i fshehur unë
Ne ndonjë fjale a ndonjë shkronje

Mjafton qe librin pak ta heqësh
Dhe un do te zbres do t'vi pranë teje
Ti si dikur me mall do qeshesh
Si një blerim pas një rrekeje.

“Secili ka një histori të tij me këtë poezi të përkryer të poetit dhe shkrimtarit të madh shqiptar Dritëro Agolli. Dikush e ka sjellë ndërmend në ditët apo netët pas një dashurie të humbur. Të tjerë e kanë kujtuar apo recituar në mendje në prag të fundit të një dashurie apo në mesin e lumtur të saj. Mua më ndodhi që për herë të parë, ta dëgjoja të recituar nga Ajo, që kisha dashur shumë, e që në fakt recitonte bukur, me shpirt, me talent, mbase ngaqë shkruante edhe ajo, apo mbase ngaqë ashtu më dukej mua. Nuk e kisha lexuar më parë këtë poezi, e dëgjova për herë të parë atë ditë, ishte dimër...kam vrapuar të blej vëllimin ku ndodhet “Këtu s`do jem” dhe që atëherë e mbaj në shtëpi. Përfundimisht kjo poezi e Agollit, është një nga ato gjërat (e pakta) që më ka bërë edhe njëherë të mendoj se bota nuk është aq e shëmtuar sa duket ndonjëherë, ka plot gjëra të bukura, mjafton ti kërkosh apo të kesh fatin ti njohësh. Poezia vërtet flet për ndarje, braktisje, divorc, për një fund të vërtetë, për një arratisje pa kthim, por është e bukur...shumë e bukur!

Thursday, March 6, 2008

Leht u qoftë mbi varr lëndina...

Foto: Arben Celi/ REUTERS
(Nje nga te afermit e viktimave)


16 jetë njerëzish u shuan ndërsa tre persona mbijetuan, mesnatën e kaluar në liqenin e Farkës, 10 kilometra në periferi të Tiranës. Viktimat mes të cilëve ishin gjashtë gra dhe dy fëmijë binjakë në moshën 3 vjec, i përkisnin tri familjeve. Ata festuan një ditëlindje në një restorant në bregun tjetër të liqenit ndërsa humbën jetën kur barka me të cilën po lundronin në kthim, u përmbys. Policia e cila u lajmërua për ngjarjen rreth orës 00:05 të së enjtes, tha se shkak i tragjedisë ishte mbipesha në barkën ku ndodheshin 19 persona ndërkohë që kapaciteti i saj mbajtës ishte vetëm shtatë vende. Bashkë me viktimat ndodhej edhe drejtuesi i varkës, i cili kishte kërkuar qëndrimin e të gjithë personave në mjetin e vogël lundrues. Dita e sotme, 6 mars 2008 u shpall ditë zie kombëtare, flamuri në institucionet shtetërore u ul në gjysmë-shtizë ndërsa Parlamenti anuloi seancën e parashikuar. Ngjarja ndaloi frymën e të gjithë shqiptarëve që në orët e mëngjesit.

Tuesday, March 4, 2008

I thuaj jo...

Dhe vrapova nëpër natë
Në qytetin e panjohur ty të kërkoja
I humbur mes gëzimit, mallit të pafund
Me një adresë në duar

Dhe yjet përgjonin pas mjegullës të fshehur
Me marramëndje ndjenjash, jetë të dehur
Nata e ftohtë, sinjalet misterioze
Nën taka prostitutash, pasione zbulon ti

Pemët e lagura anës trotuareve
...spektatorë të trishtuar
Heshtur vështrojnë skena dashurie
…në errësirë e konsumuar

Dhe më frikësoi nata e këtij qyteti
Kjo gjysmë jete, jeta e një planeti
Një siluetë shfaqet si hije
Shkujdesur jetonte një çast dashurie

Atje, dy drita krejt pa pritur ndizen
E pamundur, zë i njohur, qeshje e njohur
Ishe ti...

(refren)
I thuaj jo, të paktën vetëm sonte
...i thuaj jo
Po ti më bën të trembem
Të ulërij të çmendem
Harroje veten tënde dhe mos shko
Me të mos shko

Dhe mjegulla të lutet: I thuaj jo
Po ti me natën tretesh
Jehonë e zërit mbetesh
Rend mbas teje të t'ndaloj
Do doja të ishte ëndërr
Sikur të ishte ëndërr
----------------

Atje një dritë shprese fiket
E pamundur, zë i njohur, qeshje e njohur,
Ishe ti…

(Refreni)
I thuaj jo, të paktën vetëm sonte
...i thuaj jo
Po ti më bën të trembem
Të ulërij të çmendem
Harroje veten tënde dhe mos shko
Mos shko
Dhe era ulëret : I thuaj jo
Po ti me natën tretesh
Jehonë e zërit mbetesh
Rend mbas teje të t'ndalojë

Dhe mjegulla të lutet: I thuaj jo
Por ti me natën tretesh
Jehonë e zërit mbetesh
Rend pas teje të t'ndalojë
I thuaj jo...


"Eshte nje tekst i arrire i shkruar nga Jorgo Papingji, (saktesimi me ndihmen e Kapiten) dhe nje kenge e interpretuar perfekt nga Ardit Gjebrea"...

Sunday, March 2, 2008

Det i trazuar...



Me duket se ka dicka te ngjashme ne mos te perbashket, ne trazimin e detit dhe njeriut. Ashtu si te njeriu edhe te deti, trazimi qe duket ne siperfaqe permes valeve, fjaleve, zhurmave, mermeritjeve, relievit dhe mimikave eshte akoma me i madh se brendshmi, ku pesha e ujit dhe e mendimeve, ne rastin e njeriut, godet, perplaset, rendon, dhemb...isha aty ne breg, dhe nuk e di perse, ne nje dite me ere dhe me re, deti dhe une ishim ne nje rezonance ne trazimin tone... Mbase deti eshte e vetmja figure dhe i vetmi fenomen i natyres qe materializon sadopak idene e trazimit. Ka edhe dicka te ngjashme ne trazim mes detit dhe njeriut. Ne nje dite te bukur e te qete me diell, trazimi humbet krejt e zevendesohet me kuriozitetin per bukurite e kohes, dashurine per to, deshiren per te tashmen dhe idene per te harruar te shkuaren, ate diten e trazimit me re gjysme te erreta, qe dukej sikur s`kishte fund asnjehere!

Saturday, March 1, 2008

Një kafe në Durrës...








Nese ka ndonje gje qe une i pelqej Tiranes, eshte fakti se ka fare afer Durresin. Une kur largohem nga Tirana me duket sikur marr fryme lirisht, ndaj sot vendosa qe kafen e mengjesit ta pija ne Durres. Kisha gati dy muaj qe nuk e kisha "takuar" dhe me kishte marre malli per Detin. Adhuroj qe kafen e mengjesit, shoqeruar me cigare, ta pi ne bregun ku perplasen e zhurmojne baticat dhe zbaticat. Jam dakord me ata qe mendojne se Durresi nuk eshte aq mire, se ka ndotje etj etj etj, por me besoni, eshte me mire sesa ne Tirane.