Ti ke një problem!
Je aq e bukur, mahnitëse
Dhe unë kaq ndalesave
të frymëmarrjes shkaktuar
prej vështrimesh, prekjesh
a netësh, pa gjumë, s`mundem
T`u rezistoj
Do të rrëzohem përtokë
I asfiksuar të vdes
A ndonjë ditë do të vij
I lagur nga shiu,
njomur gjer në palcë
Dhe ti, je aq e bukur
Saqë unë s`kërkoj
Të përulesh, a dorën
T`ma zgjatësh
Dëshira
për ty më është lodhur
duke të dëshiruar përditë
e tani, dëshirave të vdekura
prej lodhjes së kamotshme
vendin ua zë adhurimi
uria ime pa fund, për ty
pot i je aq e bukur
sa unë s`kërkoj të gatuash
sonte, s`ka kohë
për këtë vakt, apo jo?
E kam harruar botën
Për sa kohë të kam
Për asgjë s`mendoj
Dhe kam frikë, se
Një ditë kur t`më ikësh
Bota s`do të më pranojë
Rrugën do të kem humbur
Por ti je aq e bukur
Saqë unë s`kërkoj
t`ma tregosh adresën
Mijëra shikime mbi ty
Derdhen sa herë dalim
E unë çmendem,
dua të arratisem
në verbëri
por s`mundem, sepse
Ti je aq e bukur
Saqë unë
s`kërkoj të fshihesh
Xhelozinë ta kuptoj
dhe unë ndonjëherë
vdes prej saj, si asokohe
por ti je aq e bukur...
Një perëndim i errët
mbi mua, bie e më thotë
se edhe kur t`më ikësh
s`do të mundem të
shikoj një tjetër...
...T. Sokolaj, 2008