Tuesday, April 8, 2008

I çmenduri...

Dhjetëra kamera ishin rreshtuar aty, në qoshe të rrugës tek hyrja e institucionit. Mes portës hyrëse nga ku pritej të dilte biznesmeni që denoncoi trafiqet dhe vendit ku ishin vendosur kamerat kish mbetur një hendek-rrugicë ku lëviznin nëpunësit dhe kalimtarët. Shumica prej tyre ishin indiferentë edhe pse një pakicë ngadalësonte hapat e hidhte ndonjë shikim kalimthi për të kuptuar çfarë po ndodhte, çfarë ishte ai kuriozitet i madh mediatik që kishte mbledhur aty, gjithë ato kamera që ishin drejtuar në të njëjtin kënd.
“I çmenduri” ishte një burrë rreth të 50-tave. I veshur thjesht, me një kostum gri të vjetëruar që nuk ishte përshtatur me ndonjë këmishë as në formë dhe as në ngjyrë, madje as me trikon e trashë që rrinte çrregullt në trungun mesatar të atij njeriu. Këpucët i kishte thuajse krejt të shformuara, çuditërisht me taka të larta ndërsa flokët të shpupurisur në një formë që dukej sikur tentonin të shkonin përpara për të mbuluar ballin e më vonë fytyrën. Kur kaloi për herë të parë në atë hendek-rrugicë thuajse askujt nuk i ra në sy. Ai megjithatë lëvizte duart me gjithë fuqinë, dukej sikur notonte në prag mbytje në një det më valë të vrazhda. Lëvizja e çrregullt e duarve shoqëruar me një ecje që ngjante më tepër si kërcim, kishte në sfond të saj britmat që më shumë sesa nga kordat zanore dukej sikur mbërrinin në këtë botë nga drithmat e dukshme në gjithë organizmin e “të çmendurit”: Zhdukuni njerëz më kollaro...në burg të shkoni!-bërtiste ndërsa mbante dy duart të shtrënguara në grykën e tij ku në vend të kollaros dukej veç lëkura e rrudhosur e zverkut. Drejtësi, drejtësi!-vazhdonte britmat, ndërsa afronte duart me njëra tjetrën si të ishte i arrestuar nën shtrëngimin e prangave të çelikta. Atje, atje brenda bëhen të gjitha...pislliqet...vazhdonte i çmenduri. I njëjti refren u përsërit disa herë. Nuk ishte vështirë të kuptohej se ai nuk ishte një kalimtar. Të pranishmit filluan të pyesnin nëse aty pranë kishte ndonjë spital psikiatrik nga i cili mund të ishte arratisur “i çmenduri”. Ai u shfaq kalimtar për të katërtën herë, derisa kamera e një emisioni humoristik-satirik e fokusoi dhe ndoqi gjithë ecejaket e tij. Dhe ai ndaloi, me kërcimet e tij të çregullta, brimat me fjalë të ngatërruara në njëra-tjetrën që dukej sikur dilnin nga drithmat e gjithë organizmit. Shfryu gjithë mllefin, largoi me duar gjihtë ajrin që kishte përreth dhe në buzë iu shfaq diçka si e bardhë...më pas iku për të mos kaluar më në hendek-rrugicën. Më shumë sesa të dukej, të shfaqej pra të binte në sy, ai donte të shfrynte, të nxirrte mllefin e gjithçfarë kish, në sy të botës. Pa u fshehur aspak donte të gërvishte në mënyrë imagjinare maskat që binin nën ritmin pa ritëm të duarve të tij. Dhe e quajtën “të çmendur”. Të vetmit që dhunoi ai njeri “i çmendur” ishin ata, njerëzit me kostume luksoze dhe me kollaro, që nuk veprojnë si ai. Ata veprojnë larg kamerave, larg syve të njerëzimit, atje ndër errësirat e mungesës së vëmendjes a pamundësisë së saj mundësisht sa më larg vështrimeve, sa më arratisur syve ndër vise t`errëta të mosvëmendjes a pamundësisë.
E krahasova atë njeri në mëndje, me Plugun e F.Konicës, por personazhi i kritikut të madh shqiptar ishte i urtë, fjalët e tij me peshë artikuloheshin me zë të butë në veshë të banorëve të Zullulandit. Ai nuk bërtiste, nuk lëvizte çrregullt edhe pse konsiderohej i çmendur...! Ndoshta “i çmenduri” që bërtiste ishte Plugu i ardhur në ditët e sotme, i përshtatur në kohë, që prej zemërimit të madh e pamundësisë, prej harrimit a braktisjes kriminale, shpërthen, bërtet, thërret e lajmëron se kollarot dhe kostumet luksoze janë atje, në mosvëmendjen e pamundësinë tonë, matanë murit të fjalëve mashtruese, tej xhamave të zinj a ndër kthina t`errëta duke mbjellë mjerimin tonë për pasurimin a pushtetin e tyre të sigurt për sa kohë çdokush që bërtet, shpërthen e denoncon do të quhet “i çmendur”! T.Sokolaj/08

6 comments:

Agobooks said...

Fort bukur!

drejt tropojes said...

flm N.Ago!

Anonymous said...

Trazhgim n'mesball me ke godit me keto fjale
"Ndoshta “i çmenduri” që bërtiste ishte Plugu i ardhur në ditët e sotme, i përshtatur në kohë, që prej zemërimit të madh e pamundësisë, prej harrimit a braktisjes kriminale, shpërthen, bërtet, thërret e lajmëron se kollarot dhe kostumet luksoze janë atje, në mosvëmendjen e pamundësinë tonë, matanë murit të fjalëve mashtruese, tej xhamave të zinj a ndër kthina t`errëta duke mbjellë mjerimin tonë për pasurimin a pushtetin e tyre të sigurt për sa kohë çdokush që bërtet, shpërthen e denoncon do të quhet “i çmendur”!"

drejt tropojes said...

Kapiten, faleminderit qe ndan me mua te njejtin qendrim! Une e perjetoj me irritim gjithe ate qe jam perpjekur te shpreh! Per momentin "shprehja" ishte e vetmja menyre e materializimit te irritimit tim!

Agobooks said...

Fundjavë të këndshme,koleg!

drejt tropojes said...

Flm koleg! Fundjave te mbare edhe ty!