Thursday, September 4, 2008
Misri shterpë
TOKË DJERRË – Më në fund, pas ditësh të tëra misteri për shkakun e shterpësisë së misrit të mbjellur nga fshatarët në të gjithë vendin, eksperti i pavarur me drejtim nga verilindja, Misir Kallami, në mënyrë publike tregoi shkakun e skandalit që ka përfshirë Shqipërinë. “Jam këtu në mjediset e Qeverisë për të sqaruar të gjithë qytetarët shqiptarë në emër të Kryeministrit, se kemi arritur të zbulojmë shkakun e shtërpësisë së misrit të mbjellë këtë vit nga fshatarët shqiptarë. Pronari i kompanisë që ka shitur farën e misrit, i cili është kryetar i Bashkisë së Vorës, ka shfrytëzuar ambientet e institucionit për të magazinuar farërat e misrit. Të cilat rreth orës 12:05 të 15 marsit 2008, u ndodhën nën një agresion të paparë nga shpërthimi i Gërdecit, i nxitur nga armiqtë e këtij vendi të cilët siç sabotuan trafikun e armëve duke shkaktuar shpërthimin në Gërdec, deshën të sabotojnë edhe shitjen e kompanisë ARMO tek kompania që kishte bërë ofertën më të mirë, në kohën që ishte vendosur dhe ishte bërë e qartë që fituesi i tenderit ishte dikush tjetër”, tha eksperti i pavarur me drejtim nga verilindja, Misir Kallami. Ai tha se ia ka paraqitur kryeministrit mendimin e tij se tragjedia e Gërdecit ka shkaktuar traumë psikologjike tek farërat e mistrt si dhe dëmtim të organeve gjenitale çka e ka bërë të pamundur shumimin normal të bimës. “Ky fakt tregon edhe njëherë praninë e lëndëve helmuese të zonën e Gërdecit, por mbi të gjitha, fisnikërinë e kryetarit të Bashkisë së Vorës, i cili farërat e traumatizuara nga shpërthimi i shiti me çmime të kripura tek fshatarët shqiptarë me qëllim mbledhjen e fondeve të cilat do të shkojnë për të ndihmuar banorët e dëmtuar nga shpërthimi në zonën e Gërdecit”, tha eksperti Misir Kallami, duke iu lutur mediave që deklaratën e tij të mos e marrin shumë seriozisht. Sipas tij, Qeveria ka nënshkruar një marrëveshje të fshehtë me Kinën e cila pranoi të furnizojë Shqipërinë me misër 40-vjeçar nga hambarët e saj, në këmbim të publicitetit të madh që Qeveria e Shqipërisë i bëri evenimentit të Lojërave Olipmike “Pekin 2008”.
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment