

Këto plan-makete paraqesin grafikisht projektin e kompleksit të ri që do të ndërtohet në afërsi të Liqenit Artificial në Tiranë, aktualisht e vetmja qoshe e gjelbër e mbetur pranë kryeqytetit. Projekti në fjalë është konsideruar si një hap tjetër i rrezikshëm drejt betonizimit të Tiranës, ndërsa nuk kanë munguar akuzat për një kompromis të heshtur mes Sali Berishës dhe Edi Ramës, pas dyshimeve se të afërm të tyre fshihen pas pronësisë dhe frymëzimit të këtij projekti. Ndërtesat parashikohen të jenë mbi 22-23 katë secila. Në një sondazh të organizuar gjatë gushtit nga sajti shqiptar
www.balkanweb.com, 76 për qind e qytetarëve të Tiranës ishin kundër ndërtimit të këtij kompleksi që duket se do të zhdukë nga faqja e dheut ate grimë faqe natyre e gjelbërimi që prekte kryeqytetin në qoshen e largët tek Liqeni Artificial...në fakt kur e mendoj, ai kompleks nuk do të bëjë asnjë përjashtim nga kompkeset tjera që ekzistojnë në Tiranë, do të ketë banesa ku rrihet dhe flihet, do të ketë qendra tregtare ku blihet dhe vidhet dhe sigurisht, kafene ku vritet koha dhe Tirana në fakt, nuk ka nevojë imediate tani, për asnjërën prej këtyre!
Pak histori...Në bazë të vendimit Nr.81 datë 29.12.2007, zona C e cila shtrihet në jug të Tiranës, në veri të Liqenit Artificial, ku ndër të tjera përfshihet: Kompleksi i pishinave (zona C1 dhe C2) territori i Gardës (zona C3), Parku Botanik (zona C4) dhe Klubi Dinamo (zona C5 ), hyn në zonat prioritare të zhvillimit. Pas kërkesës për ndryshimin e destinacionit nga zonë sportive në zonë banimi, Këshilli i Rregullimit të Territorit të Republikës, vendim Nr.4 datë 21.11.2006, miratoi ndryshimin në Planin Rregullues të qytetit të Tiranës, në lidhje me zonimin funksional për zonën në rrugën “Margarita Tutulani”, “Sami Frashëri” dhe në veriperëndim të Digës së Liqenit Artificial, (zona C1 dhe C2) nga “zonë sportive” sipas Planit Rregullues, në “zonë banimi”. Përsa i përket zonimit funksional është menduar: Zona e banimit, e cila shtrihet në pjesën veri-lindore dhe jug-perëndimore, në të dy krahët e zonës së pishinave (zona C1 dhe C 2) të trajtohet si zonë rezidenciale me godina banimi. Objektet e zonës së banimit do të jenë objekte me funksion polifunksional. Në këto objekte do të kemi: ambiente komerciale, dhe banimi. Katet e para të objekteve rezidenciale janë konceptuar me karakter polifunksional, aktivitete tregtare dhe shoqërore. Objektet e banimit do të projektohen sipas të gjitha normave urbane. Në zonën e banuar do të parashikohen edhe rrugët për shërbimin e zjarrfikësve dhe emergjencave.