Saturday, July 26, 2008
Porti i Jahteve ne Orikum
Foto:ATSH
ORIKUM, 26 Korrik/ATSH-H.Koçi/- Prej pak vitesh, në një nga pjesët më panoramike të qytezës bregdetare të Orikumit, rreth 20 km larg Vlorës, funksionon i vetmi port turistik i jahteve në Shqipëri, i cili mund të cilësohet padyshim si një model i turizmit elitar.
Kjo jo vetëm për standardet që ofron, por në radhë të parë për kategorinë e klientëve të tij turistë, që qarkullojnë me mjetet e tyre, jahte luksoze në Mesdhe. Mjaft prej tyre në këtë itinerar detar, që nis nga porti i Dubrovnikut ndalojnë në Orikum, për të vazhduar më pas me Korfuzin e më tej.
Luan Bitri, një 35 vjeçar me trup mesatar, administrator i kompleksit (pjesës detare të tij), thotë se "gjatë vitit të kaluar në bankinat e portit u ankoruan 350 veliera, një pjesë prej të cilave ishin pjesëmarrëse në regatat që u zhvilluan”. Por, shton ai krahas tyre mjaft turistë të tjerë të huaj, italianë, francezë, anglezë, ankoruan mjetet e tyre luksoze në bankinat e këtij porti.
Administratori Bitri nuk i ndahet për asnjë moment portit turistik. Ai ka ndërtuar banesën e vet, një vilë e këndshme, shumë pranë kompleksit. Prandaj dhe qëndron natë e ditë, në vigjilje të punës. I veshur me një bluzë në ngjyrë të kuqe dhe me një kapele verore në kokë, shprehet se tashmë ky objekt e ka marrë profilin e plotë të tij në funksion të synimit për të cilin është ndërtuar.
Sipas tij, nga 1 maji- 26 qershor të këtij viti janë zhvilluar dy regata, me itinerar Brindisi-Orikum e Otranto-Orikum, ku morën pjesë rreth 60 veliera të drejtuara nga nautistë nga qytete të ndryshme të Italisë. Ai shpreson se në vazhdimësi të sezonit do të jenë të shumtë turistët nautistë, që do të frekuentojnë këtë pjesë të bregdetit shqiptar. Kompleksi turistik i jahteve, shprehet ai, ofron të gjitha kushtet e nevojshme për një turizëm të tillë.
Në fakt, që sa hyn në portën kryesore të kompleksit përballesh jo vetëm me një mjedis "fin", por dhe me një standard sigurie që shfaqet ngado. Roja që të pret tek hyrja, pas komunikimit me telefon, me drejtuesit e portit, na shoqëron deri atje, ku na presin të tjerë njerëz.
Kompleksi turistik i portit të jahteve, ka një sipërfaqe të përgjithshme prej rreth 12.7 hektarë. Në të mund të ankorohen 620 mjete lundruese, me gjatësi 10 deri në 30 metra. Në dy godinat e tij numërohen 60 njësi akomodimi, në përputhje me standardet më të përparuara bashkëkohore. Furnizimi me ujë dhe energji elektrike sigurohet nga burime të pavarura nga rrjetet e përgjithshme
Si lindi një port jahtesh
Për të shkuar nga Vlora në këtë port, i shndërruar në një epiqendër të nautistëve italianë e më gjerë, duhet të përshkuash një distancë prej jo më tepër se 20 km. I konceptuar si një kompleks turistik i standardeve më të përparuara bashkëkohore, porti i jahteve në Orikum 'lindi' si një nismë e investitorit italian, Giorgio Alfo. Punimet nisën në qershor të vitit 1996 në një ceremoni, ku ishin të pranishëm ministra dhe drejtuesit më të lartë vendorë. Projekti me një vlerë prej rreth 6 milionë USD (me kursin e kohës), ishte i konceptuar në dy faza "A" dhe "B". Në secilën prej tyre u parashikuan punime specifike me synimet dhe funksionet përkatëse. Porti u vu në funksion në qershor të vitit 2004 me përfundimin e fazës së parë të punimeve.Perspektiva e tij konceptohet me dimensione të tjera, në funksion të faktorëve të ndryshëm, që lidhen me standardet e zhvillimit të turizmit nautik. Në fakt synimi i ideatorëve të këtij kompleksi ishte pikërisht ky lloj turizmi, i cili sot po merr përmasa gjithnjë e më të gjera. Ai është futur në një rrjedhë dinamike me protagonistë, personazhe të njohura të jetës politike, ekonomike, sociale e akademike, në vendet respektive. Shoqatat e nautistëve që janë të konsoliduara sot në vendet e pellgut të Mesdheut e më gjerë kanë në përbërje të tyre emra të tillë. Gjatë viteve të fundit, porti turistik i jahteve në Orikum, është shndërruar në një epiqendër të nautistëve italianë e më gjerë. Çdo vit përgjatë sezonit veror ai është destinacion për mjaft nga aktivitetet e tyre. Dhjetëra nautistë italianë dhe vendeve të tjera, pjesëmarrës në regatat (garat me anijet turistike me vela e motorë), frekuentojnë për ditë të tëra kompleksin turistik të jahteve në Orikum, por edhe pjesën tjetër të bregdetit turistik të Radhimës e më gjerë. Kompleksi është i përbërë nga dy godina kryesore, me një arkitekturë të veçantë. Fasadat e tyre vështrojnë nga deti. Një shesh i thyer këndshëm, me elementë dekorativë, zbret deri në sipërfaqen ujore, që kufizohet nga bankinat e ankorimit të mjeteve lundruese turistike. Disa dhjetëra veliera, jahte e barka me motorë 'pushojnë' në këto bankina, në pritje të pronarëve të tyre që vijnë për periudha të ndryshme pushimesh. Ata janë shtetas italianë, apo nga ndonjë vend tjetër, që i kanë lënë këto mjete në ruajtje, kundrejt tarifave të caktuara. Ky është edhe një nga shërbimet që ofrohen në portin e jahteve në Orikum, ku shpesh kanë qenë mysafirë emra të njohur të muzikës, artit e sportit. Njëri prej tyre, notari i mirënjohur italian, Paolo Pinto, ka qenë më shumë se një herë në këtë kompleks turistik. Më shumë se një vit më parë, në këtë port, qëndroi për disa muaj, një profesor i moshuar anglez. Pas një problemi në familjen e vet, ai zgjodhi për të kaluar ditët e fundit të jetës në këtë kompleks, ku pjesën më të madhe të kohës qëndronte në jahtin e ankoruar në një nga bankinat. Profesori anglez la amanet të varrosej në Orikum, si një mirënjohje ndaj këtij vendi që e mirëpriti...
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
2 comments:
Kam kaluar ca herë në vitet e fundit andej nga Orikumi dhe e kam parë këtë portin. Ato godinat nuk më kanë pëlqyer. Më duken të huaja, me një ngjyrë që nuk i shkon bregut të detit.
Faleminderit që solle këtu këtë reportazhin. Nga ana tjetër të vjen keq që shqiptarët vetë nuk kanë as të drejtën (dhe shpesh) mundësinë financiare të shëtisin me jahte në rivierën e tyre.
e paditur, ke te drejte! ka kohe qe shume shqiptare kopjojne keq disa gjera qe i kane pare ne perendim, cka me ben te kuptoj se s`kane kuptuar asgje prej mekanizmit te tyre, cka me te vertete do te qe e rendesishme dhe shpresedhenese...
t`pershendes!
Post a Comment