Wednesday, July 30, 2008

Gjakmarrja!

Nuk po e kuptonte as vetë përse e lidhte mungesën e babait në shtëpi me ngjarjen që i kishte ndodhur asaj, që kur mori vesh se ajo nuk kishte marrë pjesë në ceremoninë mortore të të atit, e siç i thoshin, nuk kishte derdhur asnjë pikë loti pas vdekjes së tij.
Nëna megjithatë kishte dy ditë që përkujdesej më shumë ndaj tij, duke i kërkuar që të bënte kujdes. Duke përgjuar fshehurazi bisedat që bëheshin në familje, kishte mësuar se sipas Kanunit, kur vajzat nuk merrnin pjesë në varrimin e të afërmit të vrarë dhe nuk qanin me zë të lartë në shtëpi aq sa të dëgjonin të gjithë vizitorët që shkonin për ngushëllim, kjo ishte një shpallje, një deklarim i përbetuar hakmarrje. E kishte menduar disa herë këtë pa bërë asnjë lidhje me saj dhe kujdesit të vërbër dhe acarues dhe kontollit që nëna po ushtronte ndaj tij prej dy ditësh. Një ndryshim i cili e kishte kufizuar ndjeshëm në daljet e tij në qytet, deri atë ditë kur kapërceu oborrin e shtëpisë duke u kujdesur që porta e madhe të mos shkaktonte zhurmë. Ishte muzg, një muzg që dukej se nuk do të përgjumej kurrë. Ai doli matanë rrugës dhe eci në trotuar deri tek kryqëzimi që pothuajse ishte zhdukur nën rrëmujën e ndërtesave, lëvizjes së makinave më tepër se në katër drejtime dhe kazanëve të plehrave që dukej sikur kishin filluar të villnin, ngase ishin tejmbushur prej javësh. Ndodhej në përjetimet e një dileme të përhumbur për rrugën që duhej të ndiqte në kërkim të takimit me miqtë, që dukej se e kishin harruar në ato dy ditë që ai nuk ishte shfaqur në qytet. I kishte ngadalësuar hapat duke aluduar për vendndodhjen e miqve dhe drejtimin që duhej të ndiqte dhe ashtu, me një ecje të penduar kishte kaluar në anën lindore të kryqëzimit duke hyrë në rrugën që të shpinte në lagjen tjetër. I përgjumur në këtë gjendje moskontrolli, ai kuptoi shumë vonë, nga momenti kur fare pranë kishte ndjerë hapat e dikujt. Një krismë e pasuar nga disa të tjera, preu ajrin e nxehur prej diellit përvëlues që po fshihej pas malit. Ai nuk u zgjua asnjëherë, i përgjumur, dëgjoi fjalët e saj para krismës së parë: të dua, por këtë po e bëj për tim atë. Dhe më pas krismat që i shkaktuan një dëshirë për të pakundërshtueshme për tu rrëzuar. Pesha e rëndesës kishte bërë të sajën, organizmi i tij i shkrehur dhe i clliruar prej pushtetit mbajtës të muskujve që kishin vdekur, u shemb. Dy pika loti ranë nga faqet e saj, në tokë, pranë tij. U zhdukën shpejt sikur ti përpinte toka e nxehtë. Ajo u shfaq në fund të rrugicës që të çonte në varreza, po shkonte të varri i babait, e pasigurt nëse ai do ta dëgjonte ndonjëherë, për ti thënë se kishte marrë hak dhe vetëm pas kësaj, kishte derdhur dy pika lot që ishin zhdukur shpejt!

Bashkuar kortezhit që përcjell gënjeshtrën
Drejt varrezave shkon edhe ajo, si gjithë të tjerët
Sozia e kufomës, në funeral se fsheh buzëqeshjen
të gjallë e percjellin si të vdekur, kaq herët!

Ca gra në të zeza mbahen në krahë të përlotura
Ecin pranë burrave, sikur kërkojnë mbështetje
Gurët në rrugë klithin nën peshën e takave të poshtra
Kjo mbrëmje si të tjerat, nuk ngjan aspak me vdekje

5 comments:

belle_fleur said...

Tropoja, mu desh ta lexoja dy here. Ndoshta s'isha shume e perqendruar tek po lexoja, dhe kur kuptova qe ai ra pertoke, spo beja lidhjen e personit qe kishte thene "te dua" etj.

Kur e lexova se dyti kuptova me mire se cfare po ndodhte dhe sesi e kishte shtjelluar tregimin. E trishte!

Gjakmarrja shqiptare i ka shume te thella rrenjet. E vetmja gje pozitive qe beri sistemi diktatorial eshte se e vuri nen kontroll kete plage te shoqerise. Mirepo, s'u desh shume dhe plaga ka filluar te pikoje dhe te lengoje prape :(

drejt tropojes said...

belle, te kerkoj ndjese per kohen qe te kam harxhuar me leximin dy here te postimit dhe te falenderoj vertet! Fatkeqesisht ky, eshte nje subjekt i vertete te cilin e mesova kohet e fundit, madje pashe edhe disa fotografi nga mekanizmi i ngjarjes. Protagonistet jetonin ne Shkoder, kishin vetem pak vite qe dy familjet ishin vendosur ne qytet pasi u zhvendosen nga Kelmendi. Viktima ishte i lidhur me vajzen qe beri vrasjen e cila u hakmor per vdekjen e babait qe u vra per nje fjale goje, nga i ati i djalit. Me sova se vajza ndodhet ne burg por nuk e di saktesisht ku, megjithate jam ne kerkim per ti bere nje interviste, sepse disa kolege te mi te huaj, jane teper te dhene pas ketij subjekti vertet sic thua dhe ti, te trishte. As une nuk e dija kete rregull kanunor por kur mesova rreth ketij mekanizmi barbar qe ka pjelle tragjedi te tilla, mbeta pa mend. Me preku aq sa te beja kete postim te ngaterruar dhe ta sjell ketu, per ta ndare me JU!
pershendetje!

belle_fleur said...

Oh wow, ky tregim behet akoma me i trishte tani qe mora vesh qe qenka i bazuar ne histori te vertete. Per nje moment mendova qe ishte trill. Me vjen vertet keq qe njerzit jane kaq shume te lidhur me Kanunin, sepse ai "dreq" po shuan familje te tera.

E kuptoj qe njerzit duan te hakmerren dhe te lajne gjakun e babait apo vellait, po a s'do ishte me mire sikur keto gjera t'ja linin ligjit?

Hakmarrja sjell vetem hakmarrje! Poshte Hakmarrja dhe Kanuni!

drejt tropojes said...

belle,
jam dakord qe njerezit t`ja lene ligjit, por a vepron ligji ne fakt? Po flas per rastin e Shqiperise, duke dashur te bejme nje analize rreth kesaj, pra sa ka perparuar ligji ne drejtim te parandalimit te vetegjyqesise, u ndeshem me kete histori, si shume te tjera, por teresisht e vecante ne llojin e vet. Keto kohe kam degjuar plot njerez qe nuk jane te kenaqur me menyren si veproi ligji, pra mendojne se ligji nuk ka vepruar drejt dhe keta, jane nje rrezik i madh per vetegjyqesi. Kjo gje behet akoma me e rende kur ligji nuk vepron, apo jo?!!!

belle_fleur said...

Gim, jam shume dakord me ty. Nese ligji do funksiononte keto gjera do minimizoheshin sado pak. Njerzit e kane humbur shpresen ndaj qeverise dhe ligjet qe s'pijne uje.

Uroj qe te mos perballem me nje situate te tille. Llogjika me thote qe duhet t'ja le ne dore gjykates, por jam shume koshiente qe gjykata s'do bente asgje. Zot na ruaj nga i ligu dhe pabesite e jetes sepse vertet eshte shume tunduese qe njeriu ta marri vete situaten ne dore.

Di shume raste te pakten kur kam jetuar ne Shqiperi qe njerzit qe kryejne akte te tilla dalin rrugeve me gjithe krenari dhe s'ju ben syri terr per asgje.