Prishtina më pëlqen, por nuk e njoh plotësisht. E adhuroj atë masë të saj, aq sa kam mundur të zbuloj deri tash. Megjithatë, kam vënë re, se disa prishtinas dhe prishtinase, në vlerësimin tim, qëndrojnë më lart se Prishtina, ashtu sikurse disa të tjerë, qëndrojnë më poshtë në këtë opinion, subjektiv sigurisht! E pëlqej Prishtinën ku flitet shqip, atë qytet ku krahas flamurit vendës vazhdon të shfaqet edhe flamuri kombëtar, jo në shenjë revolte apo mospranimi për simbolet e reja, por ne shenjë brendie. Prishtina e natës është akoma më e bukur. Nëse shikohet prej Kodrës së Trimave, Prishtina i ngjan një New Yorku, ballkanas. Rrugët kryesore, ato që mbajnë mbi vete lëvizjet më të shpeshta, janë me të vërtetë ok, krahasuar me Tiranën. Lokalet e natës ofrojnë muzikë live, grupe fort të njohura kosovare që këndojnë muzikë shqip, popullore dhe moderne njëkohësisht. S`mund ta harroj një ndodhi të datës 28-29 nëntor në “Zanzi Bar”. Grupi muzikor që kishte interpretuar live disa rryma muzikore, në ora 00:00 këndoi Himnin Kombëtar shqiptar e më pas, disa këngë popullore, fort të lidhura në Kosovë e Shqipëri me luftën dhe përpjekjet për liri. Ishte i bukur ai kalim krejt i papritur, nga muzika rock, apo jazz, në timbrin dhe fjalën shqipe. Një surprizë që vështirë ta gjesh në Tiranë, fatkeqësisht (edhe nëse ndodh, vështirë të ketë kurrë atë ngazëllim apo ngarkesë emocionale si në Prishtinë)! Baret janë me të vërtetë mirë, shërbimi të kënaq, kafeja është e shijshme, mund të lexosh gazetat në çdo lokal dhe të qëndrosh pa e vrarë mendjen dhe fare i pa kompleksuar se dikush atje matanë, po shikon fort me habi me me kureshjte, çfarë po bën, ç`po flet apo me kë qëndron ti. Secili në punë të tij. E nëse ndodh që të kërkosh një cigare, apo një çakmak, apo të ta kërkojnë një të tillë, e gjitha ndodh me mirësjellje. Çfarë nuk pëlqej tek Prishtina! Do njerëz krejt të ftohtë, që shpeshherë flasin serbisht kur s`është e nevojshme. Një të tillë po prisja në shëtitoren para RTK-së, për të udhëtuar drejt Mitrovicës, sepse nuk e njoh Prishtinën aq mirë. U vonua disa orë vajza, erdhi dhe nuk më kërkoi ndjesë për vonesën e saj dhe unë, u shpreha. E nxora gjithë mllefin që më ishte mbledhur gjatë atyre orëve të pritjes që i kalova herë në internet-caffe dhe herë duke ecur ngadalë në shëtitoren e këndshme që nis nga KEK-u e përfundon diku në sheshin para Qeverisë së Kosovës, ku ndodhet monumenti i Skënderbeut, që më kujtonte Tiranën. E pasi kisha komunikuar gjithë nerva vendimin tim për të mos udhëtuar drejt Mitrovicës (ishte muzg), se tash ishte vonë dhe isha inatosur prej vonesës mbi dy orëshe të koleges që më pat premtuar të më shoqëronte, ajo më ftoi për një “makiato” të mirë Prishtine, të cilën e dija, se nuk kam shans ta shijoj në Tiranë, e më tha në shqip: Thuaje fjalën e mirë, se zemrën nuk ta shesh askush!
Wednesday, May 21, 2008
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
7 comments:
E derman i nënës ti që ma ke gojën mjalt. Thuaje llafn e mirë se i miri gjithnj ka të mira.
ashtu tha ajo nëno, ashtu thashë edhe unë pastaj dhe ashtu them sot e gjithë ditën! t`pershendes!
Më lejo të shpreh një opinion ndryshe mbi moralin e tregimit tënd. Fjalët e mira, si çdo gjë tjetër, duhen përdorur me masë. Sepse çdo gjë me tepricë, zhvlerësohet, dhe e humbet tërësisht kuptimin.
Vërtet njerëzve nuk mund t'u shohësh zemrën, po atë çfarë kanë në zemër, ata e shprehin me sjelljen e tyre, dhe jo fjalët. Dikush që nuk kërkon falje, edhe kur e ka gabim, mund të thotë sado fjalë të bukura më pas, por tregon se nuk ka respekt, dhe nuk zotëron empati.
e paditur, ke lejen e plote te shpheresh cfaredo opinioni, mjafton te jete i lire ;)
mendoj se ke te drejte ne arsyetimin tend, epmatia eshte gje e rendesishme. megjithate une besoj se u tregova empatik dhe pata durimin te degjoj me pas shkakun e voneses ne rastin konkret, qe mu duk legjitim...tregimi megjithate, nuk kishte per qellim te bente moral, qe nje rrefim i cliret!
t`peshendes!
sa i bukur dhe i verteteemri i titullit!
edhe une, personalisht, ne parim e besoj, me duket nje menyre e mire per komunikim pozitiv!
pershendetje eni!
Fjala e mire po, nese ka sinqeritet brenda saj dhe jo hipokrizi!
Anaway,pershendetje!
Post a Comment