Thursday, May 1, 2008

Ditar, Autoblindat (I)


I ftohti i ditëve të para të nëntorit kishte pllakosur. Njerëzit dilnin vonë nga shtëpitë ca ngaqë nuk kishin shkaqe për të nxituar, por edhe ngase kishin shpresë se në ikje të mëngjesit, një rreze dielli do ta ngrohte ditën sadopak. Në agim xhamat e dritareve mjegulloheshin nga përplasja e të ngrohtit të shtëpisë me temperaturat e acarta në anën tjetër. Autoblindat ngjanin si gjallesa gjigande përtej xhamave të kondensuar. Kjo ndodhte vetëm në mëngjes prej ajrit të ngrohur nga frymëmarrja jonë, sepse gjatë ditës energjia elektrike mungonte dhe nuk kishim me se të ngroheshim. Ata që kishin mundur të grumbullonin ndonjë copë dru quheshin me fat, ndërsa të tjerët, kishin për shpëtim rrobat e trasha. Paqartësia e hapësirës së dritareve, sikur i smadhonte mjtet e blinduara, i shfaqte më të frikshëm, më misteriozë. Të heshtur dhe me një ritëm luftarak, njëri pas tjetrit, autoblindat patrullonin në qytetin e shkretë. Kishte kohë që, jashtë banesave dukeshin vetëm të rriturit. Ne, fëmijët u ishim kthyer lojrave brenda shtëpive por edhe te rriturit i kishin reduktuar daljet në mënyrë të dukshme. Nuk kishte shkak për të dalë, madje kishte mjaft arësye për të qëndruar brenda. Dyqanet dhe kafanetë qëndronin thuajse gjithë kohës mbyllur. Biblioteka ishte shkatërruar me kohë. Aty ndodheshin rreth 130 tituj, edhe ata pak libra që kishin mbetur, ishin dëmtuar, kapakët ishin grisur, ndonjë fletë kishte humbur. Në mungesë të kafeneve, dyqaneve apo bibliotekës, e vetmja gjë që mund të bejë aty, ishte një vizitë tek të afërmit apo të njohurit. Por edhe vizitat ishin bërë gjithnjë më të rralla për të mos thënë se ishin zhdukur fare. Disa prej nesh, harronim lojërat në mes, kur ndonjëri prej të rriturve vinte nga jashtë dhe fillonte të rrëfente. Qyteti na dukej sikur i përkiste një bote tjetër, të largët, që na afrohej vetëm përmes rrezikut, kërcënimit, që e ndjenim aq pranë. Kështu ndodhi edhe atë ditë. Dikush doli për të blerë ushqimet e ditës dhe në kthim, rrëfeu se në qytet flitej se autoblindat kishin mbërritur nga Tirana atë mëngjes. Të rriturit kujdeseshin të mos flisnin në praninë tonë, tonaliteti i bisedave ishte i ulët por ne ishim kuriozë dhe mësonim ndonjë gjë. Sa e sa herë e kishim vrarë mendjen për të bërë lidhjen mes copëzave të fjalëve, për të gjetur kuptimin e tyre. Kjo shpeshherë na ndihmonte të vrisnim kohën. Unë fshehurazi kisha dalë në verandë pak kohë më parë dhe kisha mundur të shquaja tytat e errëta të mitralozëve mbi kurrizin e çeliktë të blindave. Ato qëndronin mbi dy këmbë metalike pas të cilave fshihej një njeri më veshje laramane që e kishte fshehur fytyrën nën një skafandër të gjelbërt. I dukej vetëm koka dhe dora e djathtë e vendosur aty ku unë mendoja se ishte këmbëza e armës. Secili blind kishte nga një të tillë në pjesën e sipërme. Madhështia, ritmi i ecjes së ngadaltë, zhurma e motorit por edhe dora e ushtarit në këmbëzën e armës, i jepnin kësaj skene një trajtë veprimi të pritshëm dhe të frikshëm. Lëvizja e zhurmshme atyre mjeteve, bëhej në sajë të gomave të trasha që më kujtuan disa biseda të shkuara me bashkëmoshatarët, për “gomat e mishta”, siç i quanim ne. Për gomat pa komerdare ajri e kam fjalën, ato që ne i kishim quajtur “goma lufte”, sepse as plumbat, siç mendonim, nuk kishin efekt mbi to. Ne ishim mësuar gjatë atyre muajve me bisedat hipotetike rreth luftës, armëve, kalibrave e përballjeve. Një instikt fëminor i vetëmbrojtjes së pritshme, na bënte të ndjeheshim më të afërt dhe më miq se kurrë me shokët tanë që na rrëfenin se kishin armë në shtëpi. Me ata që në fakt më parë, nuk është se shkonim dhe aq mirë. Tani që na rrëfenin se babai apo vëllezërit e tyre i përdornin armët, ndërsa dëgjonim këto fjalë një ëndërr e një shpresë davaritej në mendjet tona. Mendonim se një ditë, kur ta ndjenim veten në rrezik do të shkonim tek ata dhe ata do të na mbronin ngase dinin të qëllonin me armë. Atë ditë kur autoblindat mbërritën, ne siç ishte bërë e zakonshme në ato kohë, dolëm fshehurazi nga shtëpitë. U mblodhëm në një apartament të shkretuar të katit të parë, aty ku dikur kishte jetuar një familje e madhe kosovare në kohën e pushtimit serb. Heronjtë tanë, ata që përditë na rrëfenin për armët që mbanin në shtëpi, atë ditë ishin të heshtur. E kishin kuptuar se ato armë nuk vlenin kundër blindave, që ishin shfaqur në agim e që askush nuk mund të thoshte përse kishin ardhur e që siç mendonim, përse po patrullonin në qytet, sikur po kërkonin pozicionin strategjik nga i cili do të fillonte sulmi që ai të ishte më tepër shkatërrmitar. Secili nga ne e kishte kuptuar mirë, se ato tyta të mëdha në ballë të autoblindave bashkë me mitralozët lart, për të cilët kishim dëgjuar se qëllonin me breshëri të shpejta, ishin fitimtare përballë armëve të lehta që mbanin në shtëpi disa prej familjeve të shokëve tanë. Nuk gjetëm rrugëzgjidhje për këtë. Ndaj hapëm një temë tjetër për bisedat tona të asaj dite. Pa asnjë lajmërim paraprak, atë ditë, mësimi ishte ndërprerë në të gjitha shkollat. Askush nuk kishte tentuar të nisej për atje sikur më parë të ishte bërë ndonjë pakt kolektiv. Shumica prej nesh nuk e morëm guximin ta bënim këtë. Dëgjuam se tek sheshi në qendër të qytetit, nga ku duhej ta kalonim për në shkollë, ishin vendosur disa mjeteve të blinduara me të cilat nuk dëshironim të përballeshim duke mbajtur në duart çantat e shkollës. Në zemrat tona ishte ngjallur dëshira e madhe për një autoblindë. Nëse do ta kishim edhe ne një të tillë, besnonim se do të mund të dilnim rrugëve të qytetit ku ishim rritur, ndoshta do të shkonim edhe në shkollë, duke ditur se përballja do të ishte në kushte të barabarta. Nga mesdita na thanë se disa prej mësuesve tanë, kishin qëndruar disa orë në shkollë dhe më pas ishin larguar kur asnjë nxënës nuk ishte paraqitur aty. Asnjëherë tjetër më parë, nuk kishim dashur më shumë sesa atë ditë, të shkonim në shkollë. Vendosëm të ndaheshim duke u betuar njërëzi se të nesërmen, sido që të ishte gjendja, do të shkonim në shkollë. Disa prej nesh morën përsipër të lajmëronin edhe shoqet e shokët tjerë që nuk ishin të pranishëm, në mënyrë që të gjithë së bashku, edhe nëse prindërit nuk do të na lejonin, të niseshim për në shkollë mëngjesin e ardhshëm. Vendosëm të ndiqnim rrugën nga e cila kishim kaluar gjithnjë, të mos bënim asnjë përpjekje për t`ju shmangur autoblindave por gjithashtu ndamë mendimin se askush nga ne nuk duhej të shkëputej nga grupi gjate ecjes ashtu siç nuk duhej për asnjë arësye të shikonim nga blindat apo tu flisnim ndonjë fjalë njerëzve që fshiheshin brenda tyre. Për ne, qëllimi final ishte të shkonim në shkollë, mjaftonte ta bënim këtë qoftë edhe duke heshtur përballë atyre gjallesave të ngurta e hermetike që dukej sikur na sfidonin. U kthyem nëpër shtëpi dhe secili nga ne, filloi të mendonte mënyrën si do tu tregonim prindërve për planin tonë në mënyrë që ata të pranonin. Dëshironim ta arrinim atë qëllim por kurrsesi nuk do të pranonim që prindërit të na shoqëronin për në shkollë. Kjo na dukej jo vetëm si një shfaqje e frikës tonë por kundërshtimi ynë kishte edhe një tjetër shkak. Mendonim se në fund të fundit, autoblindat nuk kishin punë me fëmijët ndërsa me të rriturit ndryshonte puna. Ata që thuhej se kishin ardhur bashkë me blindat, kishin ndaluar disa të rritur. I kishin çuar diku por askush nuk dinte ndonjë gjë për këtë. Të rriturit ishin fiksuar pas lajmeve që shfaqeshin në TV. Gazetat kishin kohë që nuk shfaqeshin në atë qytet, për probleme të siugurisë së transportit. Edhe më parë, ndryshe nga çdo vend i botës, aty gazetat e ditës mbërrinin pas orës 14:30. Siç nuk kishte ndodhur kurrë më parë, më të mëdhenjtë, ishin instiktivisht indiferentë ndaj vogëlsirave të jetës tonë të përditshme edhe kur ne ua shfaqnim apo i shprehnim ato. Thjesht bënin sikur na dëgjonin por shikimin e kishin tretur larg, atje ku imagjinata jonë fëminore nuk mbërrinte dot.I

12 comments:

e paditur said...

Tropoja,
a më lejon fillimisht një vërejtje gjuhësore. Mos ma merr për keq.

1) Disa prej nesh, harronim lojërat në mes,
2) Shumica prej nesh nuk e morëm guximin
3) Disa prej nesh morën përsipër

Në rastin 1) dhe 2) nuk është bërë përputhja në numër mes kryefjalës dhe foljes, por kjo është bërë në rastin 3). Mos harro që kryefjalët në këto raste janë togfjalësha, dhe numrin e përcakton fjala kryesore (disa - shumës, veta tretë, shumica - njëjës).

Shkrimi është interesant, dhe përdorimi i vetës së parë së shumësit e bënin dhe më interesant, pikërisht sepse përdoret rradhë në letërsi. Ndaj ndoshta është mirë që atë momentin ku ke kaluar në vetën e parë njëjës ta ndryshosh, që të tregohesh konstant. (Nuk e di a është botuar në shqip libri "The Virgin Suicides" nga G, po ky libër është tërësisht i shkruar në vetën e parë shumës (dmth, si kori grek)). Nëse nuk e ke lexuar, ndoshta mund të gjej ndonjë mundësi për ta dërguar.

Dhe së fundi. A është tregimi i bazuar mbi realitetin? Po më bën të shqetësohem. Nuk mbaj mend për autoblinda në qytete shqiptare, përvec 1997. Edhe atëherë, ato nuk drejtoheshin nga policia, po nga njerëzit që i rrëmbyen. (Forcat ALBA që pasuan nuk mund t'i quash armiqësore). Ndërkohë që pushtimi serb është në 1999, apo flitet për ndonjë pushtim tjetër. Ti i ke përjetuar vërtet situata të tilla, apo është një hiperbolë letrare?

e paditur said...

Oops, harrova të vë emrin e autorit të "The Virgin Suicides",
Jeffrey Eugenides. Më shumë për librin mund të lexosh tek:

http://en.wikipedia.org/wiki/The_Virgin_Suicides

drejt tropojes said...

e paditur, faleminderit! Verejtjet gjuhesore qendrojne. Ndersa librin do ta shikoj ne Wikipedia.
Mua me duket se ka me teper gabime nga ato qe ke theksuar ti, serish faleminderit per tolerancen:))
Letersia nuk eshte qellimi im ne kete shkrim dhe as ne pjeset vijuese te tij. Ndaj e kam cilesuar DITAR, edhe pse nuk ka shume te perbashketa me letersine e tipit ditar. Subjekti eshte i perjetuar nga une dhe bashkemoshataret e mi. Ngjarjet kane ndodhur vite me pare, atehere kur u sulmua nje komisariat policie, u prish nje miting i nje politikani, asokohe Kryeminister dhe hakmarrja shteterore shpertheu ndaj te gjitheve ne ate zone duke mos vecuar shkaktaret e ngjarjeve te mesiperme por duke u hakmarre ndaj nje popullsie te tere, e cila kurrsesi nuk mund te ishte e gjitha e implikuar.
Shume gjera do te sqarohen ne pjeset e radhes te cilat do te mundohem ti postoj ne te ardhmen. Do te kete momente te tjera qe mbeten te paqarta pasi une i konsideroj te tilla aktualisht. Tani per tani dua te them se qellimi im kryesor eshte te shprehem. U bene vite qe i mbaj nga perbrenda ato ngjarje, ca ngaqe me pare nuk mendoja se kisha autoritetin e duhur te shkruaja per to, por edhe ngase kisha bere kompromis me veten, qe te mos shprehem pa kaluar disa kohe. Kete e kam menduar si nje shans per te kuptuar me shume nga cfare ka ndodhur. Ndaj edhe gabimet ekzistojne ne shkrim, sepse eshte nje rrefim paksa emocional te cilin une thjesht dua ta transmetoj. Ndoshta ne te ardhmen, e gjitha mund te behet pjese e ndonje vellimi letrar...t`pershendes!

Eni said...
This comment has been removed by the author.
Eni said...

po te kesh Firefox, mund te instalosh nje spell-checker per shqipen.
Shko tek https://addons.mozilla.org/en-US/firefox/browse/type:3

Sa here qe shkruan nje poste ne shqip duke perdorur Firefox-in, mund te klikosh tek fjalet qe shkruan gabim (qe do te dalin te nenvizuara me te kuqe), per ti korrigjuar. Nuk korrigjon dot gabimet sintaksore, po korrigjon ato qe vijne nga shpejtesia e te shkruarit. (me pare duhet te zgjedhesh gjuhen shqipe tek Languages)

drejt tropojes said...

flm, eni! Po e instaloj!

e paditur said...

tropoja,
faleminderit për përgjigjen. Tani që e përmende situatën konkrete, më rikthehet ca në mendje, por atëherë unë nuk kam jetuar në Shqipëri, ndaj dhe s'mu kujtua direkt.

Ke bërë mirë që ke lënë të rrjedhë ca kohë. Them që distanca (kohore dhe emocionale) të bën të tregohesh më gjakftohtë, më i/e aftë për t'i shikuar gjërat nga këndvështrime të ndryshme. Unë mendoj që trajtimi i nuancuar i eksperiencave dhe jo emocionaliteti subjektiv i bën veprat letrare universale. Të uroj sukses në pjesët e ardhshme.

drejt tropojes said...

faleminderit!

Anonymous said...

Pershnetje Trazhgim.


Magjari qe knej ka shpati jot!


fundjave te kendshme!!!

drejt tropojes said...

Pershendetje Kapiten! Je i mirepritur ne keto ane :) Tan t`mirat!

Panorama de Fortim visto por Alida said...

... nuk e di por gjithmone me eshte dukur se bota ne syte e femijeve persa i perket nje ngjarjeje te caktuar ndihet me thelle ..

Sa mire qe po i kujton ..ditari sikur i pejeteson (ne jeten tone) disa perjetime.

Gjithe te mirat miku im.

drejt tropojes said...

faleminderit, alidea! t`pershendes!