Vite më parë, në njeri u zhduk. Humbi pa nam e nishan. U thanë aq shumë gjëra për këtë punë, çështja u bë aq komplekse, saqë të gjitha palët e gjenin krejt lehtë një justifikim për çfarë kish ndodhur. Ajo që ndodhi me atë njeri, prej asaj kohe deri në vitin 2007, përfshihej në një kapitull fort kritik e të ashpër për Shqipërinë, në raportet vjetore të “Amnesty International”. Nuk e di çfarë do të thotë raporti i vitit 2008 pasi ende nuk ka dalë por edhe për faktin se çështja ka pasur zhvillime. Gjithsesi mua nuk më interesojnë fort emrat e personave apo të partive. Ama kam vënë re se kjo çështje është kthyer e rikthyer në vëmendjen publike sa herë përgatitej ose ndodhte ndonjë zhvillim i fortë politik. Kjo gjë s`më ka lënë shije të mirë. Tashti, kur shumë njerëz po mendojnë se çështja shkoi në dyert e gjykatës, drejtësia veproi dhe fajtorët do të ulen në bankën e akuzës, me thënë të drejtën unë jo vetëm që nuk jam dhe aq optimist, por jam vrerosur krejt. Mendoj se e kam provuar dyshimin tim, se drejtësia në këtë vend, jo vetëm që është e varur nga politika, por më së shumti i shërben asaj në raste nevoje duke u kthyer në “mashë” për prekjen e zjarrit nga individë të veçantë të veshur me kostumet e “titullarëve” të caktuar. Përshembull, mua nuk ma heq njeri nga mendja dyshimin, se dërgimi në bankën e akuzës i atyre personave që për 13 vjet me radhë u pandehën, është mirëfilli një shantazh që një “titullar” i rrezikuar pas ndryshimeve në Kushtetutën e vendit, i bën një “titullari” tjetër që mund të përbëjë rrezik, falë mundësisë që i është krijuar pas ndryshimeve kushtetuese. As vetë të akuzuarit nuk do të kishin dashur kurrë që 13 vite të jetës së tyre, ti kalonin duke mbajtur në kurriz akuzën për një nga krimet më të rënda të ndodhura në këtë vend. Ata janë vërtet të akuzuar, por kurrsesi s`më vjen mirë që politika e këtij vendi, luan me fatin e një njeriu të zhdukur prej 13 vitesh ashtu sikundër përdor moralin dhe njerëzinë e tre të gjallëve të pandehur, që gjithsesi ende nuk janë shpallur fajtorë në mënyrë përfundimtare. Dhe sipas dyshimeve të mia, ata që e bëjnë këtë, nuk janë as më shumë e as më pak, se personazhet që publikisht dalin para qyterarëve të këtij vendi dhe flasin me zell e me terma “të mençur” për drejtësinë e pavarur, për drejtësinë në shërbim të qytetarit, duke bërë kështu krimin e tretë, genjeshtrën ndaj ne të gjithëve.
Sunday, May 4, 2008
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment