Wednesday, August 6, 2008

Për hajër na koft!

D. Alia kish shalue gjogun e tij dhe kish marrë udhën për në Vuthaj. Turravrapi i kalit me rrahjet e patkonjve në bark të tokës, pushka e gjatë që mbërrinte deri mbi kokën e burrit të gjatë sa lisi, zhurma metalike që i shkonte pranë, kish lajmëru krejt zonën se D. Alia ish nis për udhë. Zakoni i krijuem tash sa vite e kërkonte që kushdo që e shihte në nevojë gruan apo fëmijët, në mungesë të tij, ti ndihmonte si vllaznit e motrat e shpisë, e sapo kali i bardhë e pushka e gjatë të shfaqej në kthim, me rrahjet e patkonjve mbi bark të tokës, pushkën e gjatë që dukej prej së largu dhe zhrumën metalike që i shkonte pranë, ti çonte sevap D. Alisë për ndihmën që i ish dhënë familjes së tij. Shpërblimi sigurisht, do të ish 10-fish për besnikërinë e treguar. Prej vitesh ndër rrugë t`gurta ish ndëgjue zhurma e patkonjve në që lshojin xixa ndër rrasa e gurë gjatë trokut të kalit thimosh, çka shoqërohej me një zhurmë të dytë që vinte prej lëvizjes së krahores mbushur me granata e fishekë që mulonte shtatin e D. Alisë. Në bel një tjetër rreth i mbushun me fishekë, shkonte e zgjerohej në anë të djathtë, aty ku ish vendos arma e dorës me krahun prej druni mbi të cilin gdhend nji shqiponjë e zezë mbështetun mbi shkambin e një mali...
D. Alia e ndjeu djersën e kalit prej ngrohjes së shalës dhe vendosi me ndalu. Ia liroi frenin gjokut dhe me një lëvizje të shpejtë u gjend në tokë. Nuk kish ndodh kurrë që D. Alia ta kish afrue kalin ndër burime të ujit duke qëndrue hipun edhe pse nuk ish zakon i burrave me zbrit prej kali. Ata edhe pushk kur qëllojin merrnin nishan duke qëndrue mbi kurrizin e kafshës nga e cila nuk zbrisnin as në kohën kur kali afrohej ndër burime për të çmallun etjen që e kish kaplue ndër rrugë t`gurta, shpate të thepisura malesh e livadhe të rrafshta të Malsisë. E tërhoqi kalin deri ndër vrella t`Çeremit dhe aty, e la të pinte ujë. Mbasi e hodhi rripin e gjatë të frenit të kalit në degë të një lisi, A. Dlia doli mënjanë e filloi me dredh një cigare, ndërsa kali, pinte e pinte ujë të ftohtë e më pas e ngrinte kryet prej burimi me çlirue gojën e mpirë prej akullit të shkrimë që rridhte prej nji të çame t`gurit. Në atë kohë, një grua e bukur, por shtatzanë, u afrue tek burimi me dy enë prej druni. Ish nis prej fshatit për me mbush ujë. U dëgjue zhurma e shkrepsës me xingur e shoqërueme nga një dritë vetëtime e më pas, tymi i duhanit maxharr filloi me u ngrit në kupë të qiellit.
“Ç`ka asht aj fëmijë në bark t`ksaj motre?”-pyeti D. Alia pa e hedh vështrimin mbi gruen e bukur që e kish mbulue kokën me një shami të bardhë e ish skuqun prej turpi.
“A je si je S. Alia, a je burrë i fortë!”- u përgjigj gruaja pa e shkëput vështrimin prej toke. “Filxhanët po thonë se asht çikë, po nuk di çka me tregue”, vazhdoi më tej përgjigjen ajo, duke afrue enën prej druni në rrasë të gurit mbi të cilën rridhte uji deri poshtë në burinë prej druni t`pajës.
Nji krismë e fortë u dëgjue në ato vise e malet filluan t`ja përcjellin zhurmën njëra-tjetrës pa e humbun.
“Koft me jetë të gjatë, asht grueja e djalit tem”, tha D. Alia që kish shalue gjogun e po bahej gati me vazhdue udhën përpjetë në male deri në kapërcim të Apleve. “Lajmëroe të zotin e shpisë, se dorën e saj e ka kërkue D. Alia për djalin e tij. Për hajr na koft pra, e kofshi të bekuem”, tha D. Alia, e zani i tij u dëgjue i përziem me goditjet e patkonjve t`kalit në bark të tokës ndër tinguj të ngjitun me zhurmën metalike që e kish burimin në lëkundjen e krahores me fishekë...
Njizet vite ma vonë, kur çifti u martue në nji dasëm t`madhe, D. Alia kish vdek me kohë, po bëmat e tij nuk ishin harrue. Ai do ta kish mbërrit kët çast për të cilin mes malesh qëlloi me armë në at festë të vetme njizet vjet ma parë, nëse s`do kish zbrit prej malsie në breg të Durrësit me i ba pritë në fushë t`betejës turrit të formacioneve të ushtrisë italiane që msynë Shqipërinë. Në ditë të dasmës së djalit, shpirti i D. Alisë prehej i përqafuem prej valve të detit e diellit të ngrohtë, në nji vend ku askush nuk ish kujtue me shënue nji varr, e babai i nuses në dasëm të çiftit, çoi një shëndet në nder të tij e ma pas, si piu me fund nji gotë raki, nxuerr alltinë prej brezi, qëlloi dy herë në ajër e ma pas tha: Për hajër na koft! Nuse e dhandërr u përqafuen të gëzuem prej fatit se ishin njoft mes tyne, e ishin rrëmbye në zjarr të dashnisë, para se të kishin marrë vesh për fjalën e besën që njizet vjet ma parë, babai i dhandrrit kish përjetue krejt i vetëm kur me gjogun e tij ish nis në nji udhëtim të gjatë me gjogun e tij shoqëruem prej goditjes së patkonjve në bark të tokës ngjitun me zhurmën metalike që e kish burimin në përplasje e takim të predhave të pushkës së gjatë që qëndrojshin në krahoren që kish mbulue shtatin e gjatë sa lisi të D. Alisë.

No comments: