Sunday, August 3, 2008

ALFABETI I ALPEVE

DEMIR GJERGJI
A (me prolog)
Jemi një grup gazetarësh të Radio-Televizionit Publik Shqiptar, që kemi marrë udhëtim drejt Alpeve. Me dashamirësinë e një dëgjuesi të pasionuar pas Radio-Tiranës, pronari i një agjencie udhëtimesh, Ymer Hajdini, na ka vënë në shërbim një autobus komod. Një udhëtim si nëpër legjendë që e ka të gjithë fantazinë, ta gjithë elementët dhe arsenalin shprehës të saj... Hipim në traget, ndërsa malet vishen me hijet e njëri-tjetrit, duke iu fshehur me padurim diellit të fortë të një dite të gjatë korriku. Trageti lëviz ngadalë mbi ujërat e ndalura nga diga e Komanit. Shtrati i gurtë i Drinit nuk duket, ndonëse uji është i kthjellët si loti. “Thellësia këtu i arrin të 150 metrat, - thotë Jaho Margjeka dhe vazhdon të na flasë për toponimet që tash sa vjet janë flijuar nën ujë. - Këtu i thoshin: “Ku ka pas thyer qafën Drini”. Këtu ka qenë “Vrella e Verdhë”. Atje, më poshtë atij shkëmbit, vendi ka qenë quajtur “Vau i Ujkut”. Për asnjërin prej këtyre toponimeve s’mund të flasësh me folje të së tashmes. Ato kanë mbetur në të shkuarën e tyre”.
...G (si guri)

Peizazhet shfaqen befasisht pas brinjëve të maleve. Shtëpitë e vetmuara. Arat pak më tej tyre... Më kot kërkojmë rrugët që duhet të nisin nga oborret. Tashmë ato janë tretur në barkun e ujërave si zvarranikë prehistorikë. Mungesa e tyre të krijon idenë se komunikimi i banorëve të atyre shtëpive të vetmuara është më i mundshëm me qiejt se me botën përreth. Por në nisjet e fjordeve të vegjël që hyjnë natyrshëm në qerthullin e maleve, ja tek shfaqet herë një varkë e bardhë, herë një trap i bërë me trungje, herë ndonjë fill i kaltër teleferiku. Janë ato që shpjegojnë enigmën e komunikimit të njerëzve nëpër faqet e liqenit me botën rreth e rrotull e përtej.
Maja të rebeluara drejt qiellit. Shkëmbinjtë duken si të vendosur pranë yjësive! Poshtë tyre mendja e njeriut mahnitet: ç’energji, apo ç’inat rebel e ka kreshpëruar kështu dheun e gurin, duke krijuar këto figura të çuditshme shkëmbinjsh e thyerjesh të thella dheu?
P (si poetët)
Tropoja është vend poetësh. Anton Papleka, Skënder e Mujë Buçpapaj, Hamit dhe Selim Alia, Mehmet Elezi, Besnik Mustafaj, Jaho Margjeka... Krijimtaria më e mirë e tyre mund të përbënte një antologji elitare. Njëri prej këtyre poetëve, Shkëlzen Zalli ia ka ngulur sytë njërit prej shpateve të bardha të këtyre maleve. Pas pak ai nis të tregojë me dorë: “Shikoni poshtë hijes së asaj reje. Është një fytyrë e lashtë burri...ja sytë e hapur fort, ja mjekra, çibuku që po i tymon në gojë... Shih, pak më tej: një fëmijë i shtrënguar ngrohtë nga dy krahë nëne... Po bëhet gati të pijë gji... Po atje! Ja mbi ato larat e borës. I shihni ata flokë të gjatë? Me siguri janë të një floçke që e kanë rrëmbyer dragonjtë nga ujërat...”. Galeria e pikturave që sheh Shkëlzeni është e pafund dhe e pashembullt. Me pak fantazi atë mund ta shijojë çdokush prej nesh... Dhe Shkëlzeni vazhdon të na prejardhjen e emrit të malit që është edhe emri i tij: “Shkëlzen do të thotë vend i shkelur nga zanat. Vjen nga togfjalëshi shkel zana...”. Dhe poetit i duhen mirëkuptuar ato që thotë, sepse gjithçka e thotë shpirtërisht, drejtpërdrejt.
Rr (si rruga)

Bajram-Curri. Veç rrugëve të mëparshme, tani drejt tij vijnë e shkojnë shumë rrugë në ndërtim. S’ka shumë që ka mbaruar autostrada që niset nga Bujani e shkon drejt Gjakovës dhe ja, një tjetër rrugë në ndërtim po shtrihet nëpër luginën e Dragobisë dhe më tej, drejt Valbonës, tjetra ngjitet lartësive me pyje, drejt Çeremit për të shkuar në Palvë e Guci. Rexhë Biberaj, kryetari “i përhershëm” i komunës së Margegajt (Hera e tretë që vendasit ia kanë besuar mandatin e kryekomunarit, por edhe 10 herë të tjera po të kandidojë përsëri atij do t’ia japim”, - të thonë këtu për të), pra Rexha flet me entuziazëm: “30 milionë lekë kemi shpenzuar deri tani nga burimet e brendshme për fillimet e kësaj rruge me gjatë prej 45 kilometrash. Për përfundimin e saj është parashikuar një fond prej 2 miliardë lekësh. Shpresojmë që ato të lëvrohen sa më shpejt nga Ministria e Transporteve”. Projektet e zhvillimit për Komunën e Margegajt arrijnë shumën e 10 milionë euro. Por jo vetëm Margegaj. E gjithë krahina e Tropojës është përfshirë në projekte të fuqishme ndërtimtare. Ja disa prej tyre: krahas rrugës që po zgjatet përkrah rrjedhës së Valbonë, do të shtrihen edhe tubacionet e ujësjellësit për këtë qytet. Kjo vepër do të bëjë të mundur furnizimin e pandërprerë me ujë të qyteti. Nga ana tjetër, kryetari i Bashkisë së Bajram Currit, Nuredin Ahmetaj, përveç atyre që na përmendi Rexha, na numëron edhe të tjera segmente rrugësh në ndërtim, apo që do të fillojnë shumë shpejt: “Krumë-Qafë Prush- Gjakovë, Sopt Rragam-Qafë e Luzhës, Fierzë-Poravë-Dardhë etj. Së afërmi e gjithë kjo krahinë do të jetë lidhur me një rrjet rrugor të standardeve evropiane”, - vazhdon ai. Edhe një fakt tjetër: pothuaj të gjithë ndërtimin e këtij rrjeti rrugor e ka marrë përsipër ta ndërtojë firma “Geci”, pronar i së cilës është Ramë Geci.
Sh (si shpresa)

Qeveria “Berisha” na ka premtuar se në marrëveshje me Malin e Zi, do të hapet një pikë kufitare kalimi mes dy vendeve. Atëherë kjo rrugë do të marrë nam të madh në Ballkan e përtej Ballkanit. Pastaj ai na flet për konkursin e “Miss Globit” që është realizuar në këto peizazhe të mrekullueshme. Një konkurs midis zanave të gojëdhënave dhe vajzave të metropoleve! Si mund të gjendet një simbolikë më kuptimplotë se kjo! Dhe më tej Rexha tregon për shkollën moderne, ku nuk mungojnë as dushet, që ka ngritur me ndihmën e shteteve të fuqishme të botës, tregon gjithashtu edhe për një vizitë që kanë bërë këtu diplomatët e vendeve mike, shfaq idenë e një hidrocentrali zonal, i cili do të ringrihet më i fuqishëm pas shkatërrimit nga ngjarjet e tranzicionit. Ai na kërkon të mos harrojmë që të shënojmë edhe faktin se me Gjakovën ka kohë që është vendosur një marrëdhënie e ngushtë edhe në fushën e arsimit. “Me interesimit e ish-deputetit të Kuvendit të Kosovës, Kamber Kamberi, është bërë e mundur që 50 nxënës nga Margegaj të vazhdojnë shkollën e mesme në Gjakovë. Dhe projektet e tij vazhdojnë me hanet për turistët, ku tradita vendase do të sundojë me të gjithë elementët e saj, me ngritjen e dhjetëra lokaleve elitare. Turistët kanë filluar udhëtimet e tyre gjithnjë e më shpesh këtyre. Rexha na thotë, se çdo vit në këto treva vijnë rreth 20 mijë turistë në vit. Këtë verë numri i tyre pritet të dyfishohet. Deri tani numri i tyre u është afruar 10 mijëve. Në udhëtimin tonë nga Tirana në Bajram-Curri na u bënë bashkudhëtarë një çift gjerman, në rrugën drejt burimeve të Valbonës, pjesë e grupit tonë u bë një djalosh simpatik nga Çekia. (Në bllokun tonë të shënimeve ai e ka shënuar emrin me dorën e vet: Ondrej Bednar). “Në krahasim me vitin e shkuar, turistët janë dy-trefishuar”, - thotë Rexha. Udhëtojnë lirshëm dhe u bën përshtypje mikpritja e malësorëve. “Shoqërinë e tyre dashamirëse është vështirë ta gjesh edhe në metropolet tona”, - shprehen ata. Asgjë e papëlqyer nuk u ka ndodhur deri më tani. As edhe një kapele nuk u ka humbur. Enden nëpër bjeshkë në lirinë e tyre dhe bujnë pa frikën më të vogël aty ku i zë nata”. Ndërsa bashkëfolësi vazhdon të flasë, imagjinata jonë shkon tek Edith Durham. Pa këtë mikpritje në këto anë, ajo nuk do të kishte mundur ta shkruante kurrë “Brenga e Ballkanit” dhe shënime të tjera.
T (si tradita)

“Kjo bukuri ka qenë e ndryrë në shtatë palë dryna për gati 50 vjet rresht nga përbindëshi diktaturë”, - thotë shoferi ynë, Skënder Malaj, duke lëviz me kujdes timonin nëpër rrugën në ndërtim. Duhej të kaloje postbllok pas postblloku për të ardhur deri te këto mrekulli, - vazhdon Skënderi.
Pas një kthese duket krifa e blertë e një pishe. Ajo ka mbirë dhe është rritur pingul drejt e mbi një shkëmb të bardhë. Grigor Banushi, për një çast mban vështrimin mbi atë dru të blertë e të lartë dhe thotë i çuditur: “Si ka mundur t’i fusë rrënjët në atë ashpërsi shkëmbi?”, - pastaj fillon përsëri batutat e tij me humor që na shkulin së qeshuri. Pisha e lartë mbi gur mbetet pas krahëve, si simbolika më e saktë e jetës së këtyre anëve.
Tek-tuk në faqet e maleve duken plagët e zjarreve që kanë rënë verën e shkuar. Drurë që nxijnë ende mes gjelbërimit që po e merr veten. “Këtë vit, për fat dhe falë kujdesit që po tregohet, deri tani nuk kemi asnjë vatër zjarri. Shpresojmë që kështu të themi edhe në fund të kësaj vere”, - të thonë në Drejtorinë e Zjarrfikësve, në Bajram-Curr... Dhe bjeshkët vazhdojnë ritin e tyre të rritjes, të hijezimit të tokës, të rënies së gjetheve, të dialogut me erërat, të krijimit të varianteve të tjera të miteve e legjendave. Me një ndryshim të vetëm: ky rit i lashtë tashmë nuk shoqërohet më nga gjëma e Vajit të Ajkunës, nga shkëndijime shpatash mbi koka të prera, nga krisma armësh me shënjestër mbi zemra njerëzish, nga ulërima të zemëruara luftëtarësh dhe nga kuje ngashërime nusesh në pritje të dashurive. Tashmë të vetmet kolona zëri dhe sfonde për këto ritet të rritjes së bjeshkës janë gjëmimet e motit, oshtimat e erërave që sjellin borëra e marrin me vete mjegulla, janë blicet e vetëtimave dhe këngët e zogjve të bjeshkës.
Pronari i hotelit, ku jemi vendosur, Bashkim Biberaj, qesh me çiltërsi, kur i dëgjon të thuhen poetikisht këto dhe shton: “Tani në Bajram-Curr janë hapur të gjitha rrugët, portat dhe zemrat. Ai që druhet të vijë, ose e ka të keqen me veten, ose dikujt i ka bërë keq”. Dhe fjalët e tij i vazhdojnë në mënyrën e tyre themelet që po hapen ndërtimet që po bëhen, shëtitjet e qeta edhe në rrugët më të thella e të vetmuara. Plagët e hapura në kohët e trazuara heshtin thellë si thëngjij. Shpresa është se asnjë prej atyre thëngjijve nuk ka për të ndezur më zjarre që djegin jetën. “Këtë shpresë që duhet ta ushqejë përditë shteti, merr forcën e ligjit që vendos drejtësi, - vetëm ai e ka forcën dhe tagrin t’i lërë në gjumë ato tragjedi, - përfundon Bashkimi, pa e hequr nga fytyra të qeshurën e çiltër që duket se ia ka marrë hua fëmijës së tij 6-vjeçar.
Z (si zemra)

Në Gjakovë erdhëm natën. Qytet i gjallë dhe miqësor. Na duket se aty po na presin Ali Podrimja e Din Mehmeti, (Shkëlzen Jetishi po se po. Ai po e shoqëron vazhdimisht me këngë udhëtimin tonë). “ Gjakova, ashtu si dhe Tropoja, është vend poetësh dhe intelektualësh. Prej këtej janë edhe politikanët Fadil Hoxha, Mahmut Bakalli, Astrit Haraçia, ish- ministri i Kulturës, e të tjerë. 40 për qind e intelektualëve të Kosovës janë nga Gjakova”, - thotë Alfons Zeneli, ndërsa futemi gjithnjë e më shumë në ndriçimin e pastër të qytetit. Gjakovarët e kuptonin menjëherë që ishim “prej Shqipnie” dhe për të na nderuar, tregtarët e harronin lakminë e fitimit, duke na e ofruar mallin me çmim më të ulët, kalimtarët ndalonin për të na dhënë dorën, shoferët u bini borive në shenjë njatjetimi. Skënder Gola, drejtori i Radio-Gjakovës. Hyjmë në studiot e thjeshta të radios, që presin një riparim sa më të shpejtë. Kasetat e arkivit, aparaturat, mikrofonat. Ja prej andej është shpërndarë përmbi male e përtej tyre zëri dhe kënga në kohë të ndryshme, ato lajme, emisione dhe ajo muzikë që dëgjoheshin edhe në një pjesë të mirë të Shqipërisë. Izet Margjeka thotë pa i fshehur emocionet: “E dëgjoja gjithnjë Radio Gjakovën. Nuk kam për ta harruar kurrë ankthin e asaj dite, kur papritur valët e kësaj radioje sollën bë veshët e mi vetëm fjalë në serbisht..”. “Po, - e vazhdon bisedën Skënderi, atë ditë erdhën ushtarët me armë deri në dhëmbë dhe helmeta në krye e na urdhëruan të dalim jashtë. Ka qenë dita më e zezë e jetës sime... -Pastaj si i zgjuar nga një ëndërr e keqe, vazhdon: Vitin që vjen do të festojmë 30-vjetorin e radios. Me siguri do t’ju ftojmë kështu siç jeni”. Dhe i qeshin sytë, kur merr miratimin tonë. Mikrofonat duken aq miqësorë në tryezat e studios. Na vjen të ulemi para tyre, t’i hapim e të themi: “Mirë se të gjetëm, Gjakovë!”
...Dalim nga mjediset e radios dhe ecim drejt lagjes më të vjetër të qytetit, Lagjja e Haraçisë. Me ne është edhe korrespondenti i gazetës “Bota Sot”, për Tropojën dhe Gjakovën, Kastriot Shedadi. Ai flet për një shkrim që ka botuar pikërisht në numrin e ditës, i cili bën fjalë për punën e madhe që po bëhet në drejtim të ndërtimit të rrjetit rrugor në këto treva. “Tropoja dhe Gjakova, thotë ai- janë një kontinuitet. Ato gjithnjë kanë qenë shpirtërisht bashkë, pavarësisht nga kufijtë që mund t’u jenë vendosur dhunshëm.. Ecim drejt Hanit të Haraçisë, i ndërtuar në 140-ën. Këtu flinin ata që ndërtuan Xhaminë e Hudumit. Gurët e kalldrëmeve të lagjes së vjetër ndriçojnë mistershëm. Skënderi bën me dorë poshtë, diku në breg të lumit që rrjedh përmes qytetit. Tregon varrin e Maxhar Pashës, që erdhi të mblidhte haraçet për sulltanin. Gjakovarët e kapën, ia prenë kryet dhe, më pas, e varrosën këtu me të gjithat nderet që, sipas tyre, meriton një luftëtar”, - vijon Skënderi. Histori të që sjellin ngjarje dhe fakte gati të pacenuara në të sotmen. Në një birrari karakteristike, në mes të kësaj lagjeje, gati e gdhijmë. Këngë, muzikë humor. Barsoleta që nxjerrin në pah zgjuarsinë dhe prakticitetin, por edhe shpirtin fisnik të gjakovarëve. E lëmë qytetin rreth orës 3 pasmesnate. Autostrada e gjerë zgjatet nëpër tokën shqiptare...
Zh (Me epilog)
Dita e kthimit qëllon e diel dhe trageti është i ngarkuar më shumë se zakonisht. Më shumë janë turistë nga Kosova. Makinat ngjiten një nga një në barkun e tragetit. Brenda tyre fëmijë që flenë, gjyshe me shishe pijesh freskuese apo uji nëpër duar, vajza të veshura lehtë. Shkojnë drejt bregdetit. Disa që e kanë për herë të parë udhëtimin, pyesin: “Sa orë duhen që të shkojmë te deti?”. Valdete Antoni ka hapur diktofonin dhe po regjistron jetëtregimin e një nëne nga Kosova. Tmerre lufte, përpjekje për jetën, kalvar besëtytnish, përpjekje këmbëngulëse drejt një jete njeriu (jo robi). Në gojën e nënës së moshuar ka shumë të shkuar me hasm, por po aq ka edhe të tashme, dhe të ardhme “me Shqipni, me vllazni, me det... Bashkë me mbesat, ajo po shkon në Durrës për pushime Naser Popoçi nga Mitrovica (Pasaoshes, kështu i thotë pasaportës) ku mbiemrin ia kishin shënuar Popovci, “e ka tretëkrejt” si një kujtim që ka turp ta përmendë), pyet, ndërsa i afrohemi digës së Komanit, ku do të zbresim: “Për sa orë mbërrijmë në Durrës?”... Një turist gjerman, i ulur në ndenjësen pranë, i cili gjithashtu, ndalimin e fundit për sot e ka në Durrës, mpreh veshët për të dëgjuar. Me sa duket, kupton pak shqip dhe përpiqet të marrë vesh në do se të mbërrijë në Durrës para muzgut. Dielli është në stacionin e fundit të udhëtimit qiellor. Pas supit të një mali shfaqet fusha e butë, e gjelbër. Në fund të saj është deti. Atje po shkon të bujë dielli. Atje derdhet edhe Drini, i cili ulet urtë e butë në Mjedë, i lodhur e me energji gati të mbaruara, si Halili i Eposit, që ka kaluar një natë në shtrat me tri Tanusha. Miku gjerman po këndon nën zë, mbase ndonjë pjesë nga versioni moderni Nibelungëve... Eposet, dikur larg sho-shoqit, fqinjërojnë miqësisht...
11/07/2008

8 comments:

belle_fleur said...

U kenaqa se lexuari! Rrofsh qe na informon here pas here me lajme, mbresa dhe udhetime njerezish ne ate zone aq te frekuentuar keto kohet e fundit nga turistet.

Kur po lexoja per Hanin e Haracise, buzeqesha. A te besohet ata i kam miq? Mezi pres diten qe te shkoj ne Gjakove dhe te takohem me ta. Njerez te cilet i kam takuar kur ishin "refugjate" gjate spastrimit etnik, ne vitin '98, ne qytetin e Vlores. Gjakovaret duken njerez vertet te kulturuar dhe shume te mire.

drejt tropojes said...

Demiri, eshte gazetar i vjeter dhe letrar mjaft i mire!
Secili nga ne ka plot miq andej nga Kosova dhe kjo eshte nje gje e mire, aq me shume qe keto vitet e fundit, takohemi me njeri-tjetrin per vizita e udhetime te gezueshme per tra prehur sadopak shpirtin nga ngjarjet e pakendshme te 9 viteve me pare!
flm ty belle, per vemendjen!

Agobooks said...
This comment has been removed by the author.
Agobooks said...

Të them të vërtetën, dhe nuk dua të të bëj qejfin pasi nuk e ke aspak nevojë,të kam burimin më të sjellshëm të informacionit nga Shqipëria. Të betohem!
Kaq bujari dhe qetësi në të shkruar, në blogosferën shqiptare, nuk e gjen askund. Kaq urtësi e maturi. Të falenderoj dyfish! Si njeri dhe si koleg.

drejt tropojes said...

N.Ago, te faleminderit shume si njeri dhe si koleg! Shpresoj ti justifikoj me te vertete fjalet tuaja qe me dedikojne te perkushtohem akoma me shume ne kete veprimtari vullnetare por shume te rendesishme dhe domethenese.
pershendetje!

eni said...

permbledhje pikante.flm!

drejt tropojes said...

gjithashtu eni!

Unknown said...

Jane mbreselenese te gjitha sa shkruhen ketu per tropojen e bukur me natyre te virgjer ,te cilin rralle se mund ta hasesh jo vetem ne Shqiperi por edhe ne bote .Do te vije dita qe ky vend te jetohet vetem nga "Mbreter"per vlerat qe mbart kjo zone .