Tuesday, August 5, 2008

Kriza financiare dhe sindromi i ‘97

SPARTAK NGJELA
Kur Partia Demokratike erdhi në pushtet, në shtator të vitit 2005, gjendja kishte nisur të përkeqësohej. Kapitali ndodhej në tronditjen e klientelizmit që kishte krijuar politika inefeciente e Nanos; bankat kishin mbledhur shumë depozita, përqendrimet e kapitalit shqiptar donin një klimë ligjore për të investuar; kurse qarqe ndërkombëtare financiare, po kërkonin klimë të favorshme që të hynin në Shqipëri, pasi e kishin konceptuar që bota shqiptare në Ballkan, ishte brenda interesit amerikan. Të gjitha këto, pa dyshim se ishin në interesin tonë; por që të filloje eskalimin për ndryshimin e gjendjes, patjetër që duhej të nisnin njëherësh katër reforma të mëdha: a) reforma e tregut për qarkullimin e kapitaleve, bashke me një reformë drastike të sistemit bankar, për të krijuar banka agresive të tipit amerikan, duke i nxitur që edhe ato të ishin vetë investitorë të mëdha në një krah, por edhe të rrisnin në maksimum shërbimet kundrejt kapitalit. Dhe rritjes së prodhimit. Këtu duhej të hynte edhe një reformë drastike në bujqësi, ku bankat duhej të mbështesnin futjen e kapitalizmit në fshat; b) reforma institucionale ne sistemin legal, në mënyrë që të garantoje maksimalisht funksionimin e ligjit, të frenoje informalitetin, dhe të garantoje me ligj investimet, duke krijuar urgjent një gjykatë tregtare. Gjykatë kjo që do të garantonte funksionimin e kontratave, sepse ne vuajmë shumë nga anitikontraktualizmi; gjë që ka sjellë frikën e investimeve të kapitalit shqiptar e të huaj; c) reformë administrative, e cila duhej të riformulonte institucionalisht vetë Këshillin e Ministrave në fillim, dhe të gjitha ministritë më pas. E gjitha ligjore në një krah, por edhe menaxheriale në krahun tjetër, duke përthithur të gjithë individët që kanë studiuar në Perëndim, e sidomos të gjithë ata që punojnë në Perëndim brenda sensit menaxherial; dhe d) reformë në arsim.
1. Kjo duhej të ishte tabloja jonë, në mënyrë që të përmbysnim gjendjen neopuniste që ishte krijuar në tetëmbëdhjetë vjetët e postkomunizmit në Shqipëri. Por, asgjë e tillë nuk ndodhi; përkundrazi, gjendja u përkeqësua edhe më shumë. Që në fillim kryeministri Berisha e mori situatën e drejtimit të shtetit me një karakter agresiv dhe patologjik. A thua se e kishte sjellë Zoti në pushtet, dhe që kishte harruar se PD-ja kishte rënë nga pushteti, krejtësisht nga marrëzitë e tij antimenaxheriale që i bëri shtetit në periudhën 1992-1997. Edhe në shtator të vitit 2005 ai qëmtoi dhe vendosi në drejtim ata për të cilët vetë kishte thënë se ishin injorantë dhe pa asnjë aftësi drejtuese. Në fakt Berisha kishte mbajtur ata në parti krejt si parazitë nga frika e intelektualizmit të lartë shqiptar, i cili kishte kohë që nuk pranonte për t’u drejtuar nga Berisha. Pastaj thirri edhe ca kalamaj, që nuk dinin asgjë nga administrimi, dhe as që kishin menduar ndonjëherë se ku kishin qenë mangësitë e administrimit dhe të drejtimit të shtetit dhe tregut shqiptar; dhe nisi me këta që të drejtojnë në një mënyrë krejt primitive. I paditur që të kuptonte tregun dhe kapitalizmin, Berisha mendoi se duhej trembur gjithkush, të dyja anët e medaljes: edhe politika edhe kapitali. Injorant, që nuk e ka kuptuar kurrë këtë sistem, dhe në fakt nuk kishte sesi, sepse edhe gjeni të kishte qenë, një mjek komunist i ardhur nga provinca e largët, nuk mund të instalojë dot tregun e lirë dhe demokracinë liberale institucionale në një vend. Prandaj dhe gjendja u keqësua e u keqësua, derisa aktualisht jemi mu në prag të shpërbërjes financiare të shoqërisë.
2. Por si ka ardhur kjo gjendje? Duke e parë konkretisht dhe nëpërmjet shifrave; konstaton se qeveria “Berisha” asnjëherë nuk i ka realizuar investimet. Një dëm i madh ky për ekonominë. Me administratën që ka, me ministrat që vetë i ka drejtuar, dhe me paaftësinë e tij që e karakterizon në çdo moment të drejtimit, kuptohet se investimet nuk mund të kryhen. Ti edhe mund t’ia mbledhësh paratë kapitalit dhe shoqërisë, edhe arbitrarisht, por a je në gjendje që t’i absorbosh. Paratë hiqen nga tregu, në mënyrë që të investohen, për t’u kthyer sërish në treg; sepse në të kundërt, përse i heq ato nga tregu. E pra, kjo mungesë e madhe e investimeve shtetërore, kur shteti është investitori më i madh, kuptohet se gjithmonë ka akumuluar mungesë paraje në treg, dhe ka ngadalësuar qarkullimin e parasë. Ky fenomen, që ka zgjatur tre vjet, tani duket se është edhe më akut. Aspekti i dytë që ka të bëjë sërish me këtë çështje, është ngritja e çmimeve. Ky sigurisht që aktualisht është një fenomen botëror, por në Shqipëri ka nisur më herët. Kështu që risku i tij, sigurisht që është dyfishuar. Në funksion të kësaj, duhet thënë se rritja e çmimeve nuk është një fenomen parcial, kjo rritje është trend. Dhe është një trend i cili të paralajmëron shumë kohë përpara. Por imagjinoni një shtet që nuk prodhon, si Shqipëria, që gjithçka vjen nga importi, sesi duhet ta përjetojë një trend të tillë. Sepse, në një krah rriten çmimet, kurse në treg nuk ka para, ngaqë investitori shtet nuk mund të investojë paranë që ka marrë nga tregu. Kjo e bën edhe më të rëndë në shoqëri rritjen e çmimeve. Por që të dyja këto ndodhi, përplasen tek bankat, sepse, kur s’ka para, nuk ka as akumulim, kur nuk ka akumulim s’ka kursime, dhe kur s’ka kursime, bie niveli i depozitave bankare. Por bankat kanë dhënë kredi, të cilat duhen larë. Po s’ka kursime dhe në treg gjithashtu nuk ka investime, kreditorët nuk mund të kthejnë paratë, sepse nuk kanë shitur prodhimin. E shihni sesi kemi hyrë në një rreth vicioz, që mund të na rrëzojë bankat, njëlloj sikurse na ndodhi më vitin 1997 me kompanitë rentiere? A nuk e dini pse ranë ato kompani? Sepse nuk kishin më depozitues... Kurse tani, shiheni me vëmendje, të gjitha bankat kanë rritur interesin bankare. Të cilat po shkojnë deri në 7%. Sigurisht për të mbledhur depozita; veçse, kuptohet se kjo nuk mund të jetë zgjidhje.
Situata është shumë e rëndë; dhe prandaj duheshin marrë masa, të paktën që dy vjet përpara. Nëse qeveria aktuale do të dinte si të luante, ne tani nuk do ta kishim ndierë thuajse farë krizën botërore, sepse do të kishte filluar prodhimi i brendshëm. Prodhimi i brendshëm tani do të kishte qenë i favorizuar, sepse, duke qenë çmimet kaq të larta, do të kishte hyrë patjetër në tregun shqiptar, i cili, për nga kostoja e lartë, që nga rënia e komunizmit nuk e kishte qasur fare prodhimin shqiptar në shumë degë të ekonomisë. Por si mund të fillonte prodhimi i brendshëm në Shqipëri, kur qeveria aktuale, që në nismë të saj, sulmoi kapitalin, a thua se kishte ardhur si në vitin 1945-1946 për ta shpronësuar, ose për ta hequr kapitalizmin nga prezenca ekonomike në Shqipëri? Saliu kishte marrë “sëpatën e dardharit” e po i binte trungut, pa e ditur që, duke rrëzuar lisin e kapitalit, po bllokonte ekonominë. Qindra milionë dollarë e euro dolën jashtë Shqipërisë; dhe tregu kërrusej tek shihte një punist demode që drejtonte qeverinë me koshiencën ekonomike të një mjeku shqiptar dhe të një kryeministri që asnjëherë nuk e ka ditur se ç’është efecienca ekonomike; ç’është qarkullimi i kapitaleve dhe sidomos, ç’është bota financiare.
3. Financa në kapitalizëm është alkimi; kurse dëmi që i është shkaktuar tregut shqiptar nga loja banale që ka luajtur qeveria Berisha, i kalon të 800 milionë euro. Imagjinoni, që i gjithë ky dëm i ka rënduar aktualitetit, domethënë vitit 2008; dhe prandaj ky vit duhet të jetë limiti i fundit i rezistencës së një shpërthimi, apo të një kraku financiar. Sepse shikoni se çfarë po ndodh: ndonëse çmimet janë rritur mbi 60%, inflacioni s’ka lëvizur fare, ose shumë pak. Si mund të ndodhë kjo në një ekonomi që funksionon normalisht? Kjo anomali, do të ishte e ngjashme me atë që do t’i ndodhte një njeriu të drobitur, të cilit, ndonëse i rritet temperatura me shifra maksimale, zemra i punon shumë ngadalë; sepse është në prag të shuarjes së tij, domethënë vdekjes. Prandaj, mendoj se çështja e krakut financiar është e afërt, ndoshta disamujore. Bankat, me të drejtë kanë dhënë kredi, por ato nuk mund ta mendonin që qeveria po akumulonte para si Harpagoni, sepse, nuk e kishin imagjinuar që një qeveri mund të drejtohet edhe me mjeke, me ragionierë, dhe sidomos me inat kundrejt kapitalit, në një ekonomi shume sensibile dhe që kërkonte përkrahje e jo dhunë kundër saj. Dhe duhet të kujtohemi, që nëntëdhjetë për qind e kapitalit të kredituar është investuar në ndërtim. Kapitali shqiptar kurrë nuk i është drejtuar prodhimit deri tani, sepse nuk ka pasur kurrë një qeveri profesionale që ta kuptonte se kriza jonë është në menexhment, dhe si pasojë në mungesën absolute të prodhimit industrial. Por, mungesa e parave në treg, përkatësisht e investimeve, ka sjellë rënien e blerjeve në pasurinë e paluajtshme, domethënë në banesa. Kjo, sigurisht shtrëngon firmat e ndërtimit të cilat nuk mund të lajnë dot kreditë e marra. Mosshlyerja e kredive në afat, ka sjellë pështjellimin bankar. Dhe bankat presin, presin, por iu kanë rënë edhe depozitat e kursimeve: atëherë, çfarë do të ndodhë?
3. Të gjithë kësaj tabloje, që tërhiqet zvarrë nga ngritja e çmimeve, vjen e u shtohet edhe sindromi 1997, i cili ka mbërthyer kryeministrin aktual. Nuk mjaftonte kjo krizë në treg, por në mars të këtij viti kryeministrit i shpërtheu edhe Gërdeci. Dhe në Gërdec, Berisha ishte vetë investitori kryesor i fabrikës së vdekjes, asaj që shpërtheu dhe vrau 26 shqiptarë të pafajshëm. E gjithë kjo ngjarje, që ka involvuar brenda vetes direkt Berishën, është e barasvlershme me çështjen e manipulimit të zgjedhjeve të qershorit të vitit 1996, ku edhe atëherë ishte përfshirë vetë Berisha. Edhe atëherë u kap si autori i atij manipulimi, por edhe tani u kap si investitori kryesor i fabrikës së Gërdecit. Edhe më 1966, pati kundërvënie të hapur dhe mospranim të zgjedhjeve nga të gjitha institucionet perëndimore, dhe sidomos të politikës amerikane; por edhe tani po njëlloj- Gërdecin nuk po ia pranon askush, por sidomos politika amerikane, sepse çështja po hetohet paralel këtu, por edhe në Amerikë. Kurse Berisha vijon të thotë nonsense, sepse nuk e di çdo të thotë investigim amerikan; sepse ende nuk do ta kuptojë se hetimi i Senatit amerikan, dhe hetimet e pushtetit gjyqësor në Amerikë, nuk ka forcë që t’i bllokojë. Por gjithsesi, kur kjo çështje korruptive lidhet me krizën financiare që spikat, gjendja bëhet edhe më e rëndë. Dhe po ta shohësh me vëmendje, edhe më 1966, çështja korruptive e manipulimit të zgjedhjeve, u shoqërua me një krak financiar, që erdhi nga kompanitë rentiere. Por edhe tani, çështja korruptive e Gërdecit, vjen e po shoqërohet me një krak financiar, që pritet të vijë nga bankat. Edhe atëherë, iu kujtohet sesi disa muaj para sesa të shpërthente realisht kriza, të gjitha kompanitë rentiere rritën normën e interesit, deri në kufij absurdë? Sepse ato kishin nevojë për depozita të reja. Por, a nuk e shihni edhe tani sesi bankat po rrisin pareshtur normat e interesit, madje edhe duke i reklamuar kudo? Sepse edhe këto kanë nevojë për depozita të reja, që të shlyejnë interesat e klientëve depozitorë, ngaqë nuk po iu kthehen kreditë. E pra, a nuk e shihni sesi Berisha gjendet sërish në sindromin e vitit 1997 - një përfshirje korruptive e tij në manipulimin e zgjedhjeve, e papranuar nga e gjithë politika perëndimore; dhe sërish po kështu; një përfshirje korruptive me një fabrikë vdekjeje, të cilën sërish nuk po mund ta kapërdijë politika perëndimore dhe ajo amerikane, sidomos? Dhe bashkë me të, gjithmonë e shoqëruar me një krak financiar. Ja ky është sindromi 1997.
4. Partia Demokratike dhe qeveria aktuale, nuk ka asnjë mundësi që ta shpëtojë situatën. E para që vetë partia nuk ekziston. Ajo prej kohësh është një fantazmë që iu desh Berishës për t’u ricikluar, dhe prandaj gjendet jashtë një formacioni politik inteligjent, të cilit duhet t’i kërkosh ndihmë profesionale. Kurse lidershipi aktual i saj, nuk ka mundësi të bëjë asgjë. Sidomos me largimin e Topit, ata nuk kanë më askënd që të krijojë një involvim të ri, që të krijojë më në fund një qeveri të re, dhe pastaj, me një ndërhyrje drastike, autoritare, profesionale dhe me fantazi, të këtë mundësi të shpëtojë gjendjen. Sepse u duhen bashkëbisedues me kapitalin që të fitojnë besimin e tij; u duhen njerëz që të dinë se çfarë është reforma akute, dhe si duhet kryer ajo; dhe më në fund u duhen njerëz të besuar që të kenë mbështetjen e gjerë në Perëndim, e sidomos në Amerikë. Të gjitha këto i mungojnë sot Partisë Demokratike, e sidomos lidershipit të lartë të saj, i cili duket sikur po pret shkatërrimin e Berishës, në mënyrë që të marrë ndonjë copë. Fakti që pret në një mënyrë të tillë, kuptohet se nuk di të bëjë gjë. Kurse Berisha vetë, duhet ta kuptojë se ai nuk e shpëton dot gjendjen, as gjendjen dhe as veten. Madje, këto tani janë të lidhura: Berisha e zbut rrezikun që i kanoset, vetëm nëse dilet nga kjo gjendje. Por si?
Megjithatë, le të presim vjeshtën, e pastaj të flasim sërish.
Botuar më 5 gusht 2008 tek “Panorama” (www.panorama.com.al)

No comments: