Sunday, March 23, 2008

"Mos na gërric shumë..."

Së bashku me një kolegun tim, ndodhesha diku në brendësi të fshatit Gërdec, atje ku më tepër se një javë më parë, ndodhi shpërthimi i një fabrike demontimi municionesh luftarake që shkaktoi tragjedinë më të madhe të ndodhur ndonjëherë në Shqipëri. Isha zgjuar në mëngjes me idenë se kjo është një ditë e diel, kur në Tiranë nuk ka shumë aktivitete, me idenë se kaloi një javë nga tragjedia e Gërdecit, dhe, se tani ja vlente të shkoje edhe njëherë atje, për të parë më ftohtë pasojat e asaj që ka ndodhur. Po ecnim në një rrugicë të fshatit, ishim nisur drejt zonës ku ndodhej krateri i shpërthimit, kur një makinë e policisë ushtarake, u shfaq në fund të rrugicës. Prej saj zbritën dy efektiva të policisë ushtarake. Vërshëlluan prej larg ndërsa u nisën me vrap drejt nesh. “Kjo është zonë e ndaluar”, thanë duke na zënë rrugën e më pas duke na thënë se “duhet të ktheheni, kemi urdhër të mos ju lejojmë”. I kërkova një urdhër, policit që në moshë dukej më i madh, i thashë dua ta shikoj atë urdhër zotëri. Hajde të shkojmë tek komandanti tha, është atje poshtë, tek postblloku. Epo mirë i thashë, shkojmë. Në fund të rrugicës, ndodhej po aty ku kishte ndaluar më parë, makina e policisë ushtarake. Njëri nga efektivat hapi derën dhe na ftoi në makinë. Jo zotëri i thashë, unë do të eci në këmbë, dua të shikoj fshatin, nëse mundeni më shoqëroni deri tek komandanti juaj, unë nuk jam kriminel dhe as keqbërës që të më ndaloni, të më shoqëroni me makinë. Kjo ndjesi me nervozoi pak. U thashë se do të ishte mirë sikur të merreshin me banorët e zonës që kanë nevojë për ndihmë dhe të mos harxhonin kohë me gazetarët. Ky natyrisht nuk ishte një incident. Unë nuk e konsideroj të tillë, por pas kësaj që u thashë dy policëve, njëri prej tyre mu kthye duke më thënë “ec ore, mos na gërric shumë”. Ndalova. Iu afrova dhe i kapa uniformën ushtarake në krahun e majtë. “Zotëri i thashë, respektoje këtë uniformë që ke veshur, unë nuk po kërkoj të më respektosh. Ky që përdor ti, nuk mundet të jetë kurrë, fjalor i një ushtaraku që ka vend në NATO”. U step por nuk kisha dëshirë të vazhdoja më tej. U pendova që ia thashë tani këto fjalë, sepse në fakt kisha menduar tja thosha në sy të Komandantit. Fillova ecjen dhe pashë se po afroheshim tek qendra e Komandës. I pyeta ku ndodhej Komandanti. Njëri nga policët më tha se ai ishte lart në zonë. Sa mund të vonohet zotëri. Nuk e di më tha. Unë nuk kam kohë të pres këtu me orë i thashë, por ai si duket nuk e kishte mendjen. Ia përsërita dhe mu kthye gjithë ironi: Përse zotëri doni të hyni në atë zonë, përse doni të filmoni?. E sqarova duke i thënë se unë nuk dua të filmoj, dua të flas me njerëzit, ti pyes. “Kush ti pyesë, ti?, mu përgjigj. Po unë i thashë do ti pyes, kam dëshirë të shkruaj për ata dhe jo për ju. Në këtë kohë mbërriti komandanti, i cili nuk kishte qenë aty. Policët e tij më kishin gënjyer kur më thanë hajde se na pret komandanti poshtë. Ai erdhi pasi kisha pritur rreth 35 minuta. U zemërua me një kolegun tim, u tha ushtarëve se kishin bërë shumë mirë që ishin sjellë në atë mënyrë me të, dhe harroi fare që unë, i kisha bërë një telefonatë dhe i kisha thënë se po prisja një konfirmim nga ai për të hyrë në zonë. Kaloi kufizimin e zonës ushtarake dhe po ecte. I thirra disa herë por nuk ktheu kokën. E telefonova kur kishte hyrë brenda çadrave ushtarake dhe i thashë se të paktën duhej të komunikonte me mua. Përfundimisht unë hyra në zonë dhe mbarova çfarë kisha për të bërë. Ky episod mu fiksua keq në mendje, parë në dritën e një diskutimi që kam pasur këtu e muaj të shkuar me një Komandant të Forcave Speciale Gjermane. E pata takuar në repartin RENEA. “Problemi kryesor i Shqipërisë është reformimi. Unë nuk e di çfarë nënkuptojnë politikanët tuaj me reforma, por unë flas për reformimin e njeriut. Ju keni policë të mirë, ata kanë vullnet dhe aftësi, por më vjen keq kur i shikoj që vijnë në punë sa për të qenë, nuk kanë asnjë ide dhe nuk kërkojnë asgjë më shumë nga vetja. Nuk përpiqen çdo ditë ti japin një kuptim asaj që bëjnë, nuk mundohen të gjejnë forma për tu përmirësuar gradualisht”. Ngjarja e mësipërme dhe dialogu me efektivin gjerman mu kujtuan ndërsa po mendoja edhe unë si shumëkush në këtë vend: A do të ketë ndikim ngjarja e Gërdecit në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO? Pa dyshim që do të ketë ndikimin e saj, por gjithsesi, Shqipëria hyn në NATO atëherë kur ta meritojë. Atëherë kur ushtarët e saj, të paktën në kohën kur kanë uniformën mbi trup, të lënë mënjanë fjalorin prej gangsteri, atë sjelljen prej rrugaçi dhe zyrtari që bën insinuata personale ndaj shtetasve të këtij vendi. Edhe nëse Shqipëria nuk hyn në NATO, për shqiptarët do të jetë një fitore e madhe nëse reformohen këta njerëz, nëse policia ushtarake, apo çdo efektiv i ushtrisë, e konsideron vetën në shërbim të qytetarit dhe partner të denjë e të besueshëm të tij. Unë kam qenë i ftuar në Shtabin e Përgjithshëm të NATO-s, kam qenë edhe në Komandën e Operacioneve në Mons, një qytet thuajse tërësisht ushtarak në Belgjikë. Aty kam pasur rastin të komunikoj me ushtarakë të ndryshëm gjatë qëndrimit disaditor. Nuk më vjen aspak mirë, që ushtarakët grekë, italianë, francezë apo polonezë, u sollën dhe komunikuan me mua në një mënyrë shumë më zyrtare, njerëzore dhe korrekte, sesa ushtarakët e vendit tim, Shqipërisë, të cilët doja të doja me gjithë shpirt, që një ditë të silleshin, të shërbenin dhe të komunikonin me qytetarët si ata, ushtarakët e NATO-s.

7 comments:

Anonymous said...

Eh mor njeri...

prape na duhet te presim ne si komd!!!!
dhe kjo me trishton vertete shume.

drejt tropojes said...

Duhet! Kjo fjale me ngre nervat kur mendoj se pritja mbase s`do kete fund apo kuptim...

PS: U mendova gjate nese shkrimi ishte nje dicka e nxitur nga fakti se isha nervozuar, por pastaj mendova se ishte nje fenomen, qe skishte te bente shume me ata ditezinjte, por me shume prej nesh, shqiptareve, me shumecka shqiptare!

Agobooks said...

I nderuar koleg!
Pasi të të përgëzoj për kurajon të harxhosh kohë për ti (ri)kujtuar elementaren policit se duhet të respektojë uniformën që vesh, të kam paksa zili që mundesh dhe shkel atje ku para pak ditësh, vdekja shëmbi shresën. Sepse ne si gazetarë, këtë kemi si detyrë legjitime: matjen nga afër të "pulsit" të asaj çka ndodh atje ku ndodh.
Dhe aspak të mos bëj çudi fakti që, komandanti apo polici i thjeshtë, nuk ndihet mirë që ti je atje. Kur fillojnë të të "tremben", e të llogaritin prezencën tënde, ke filuuar të funksionosh si profesionist.
Të përshëndes!

drejt tropojes said...

Faleminderit N.Ago!
Nuk me ben fort cudi ne fakt, por eshte e dhimbshme te shikosh deklaratat premtuese qe bejne drejtuesit e ketij vendi per hyrjen ne NATO dhe te veshtrosh nga afer nderkaq, "perparimet" konkrete qe jane bere.

Agobooks said...

Sepse për deklaratat, askush nuk pagoi ndonjëherë!

Anonymous said...

eeeeeeeeeeeeeeej gjalle je?

drejt tropojes said...

gjalle!