Wednesday, February 20, 2008

Dy poezi nga Azem Shkreli...

KATER KESHILLA VETES

Mos u bëj poet nëse s'mund të lindësh
me secilin varg, të lindësh me secilën fjalë.

Ngrehu mbi veten në dot t'rrokësh frerët e erërave,
të shkelësh shpërgajt e mërisë dhe shtrëngatat
e gjakut tënd.

N'se dashurohesh, dashurohu n'flakë e n'valë,
jo ne sy të kaltër, se bëhesh det i çmendur pendimi.

Mos u bëj poet nëse s'mund të vdesësh
për secilën varg, të vdesësh për secilën fjalë.

PARA ELEGJISE

Një ditë do t'i marrësh në gji
gjethet e rëna të stinëve të tua
dhe do të kërkosh kot veten
shtigjeve të harruara të një moshe
e nuk do të kesh më as flokë ere,
as shikim ylberi ta matësh fillin
dhe fundin e mashtrimit tënd të shkurtër.
Një ditë do t'i shpalosh vjetët tua
si pajën e nuses së vdekur
e do të numrosh fluturat e shkuara
t'agsholeve t'prenduara
e s'do të kesh më as zjarr në buzë,
as lot në sy të qeshën ngrohtë,
të qajsh rrejshëm dhe t'i mahnitësh
djelmoshat.

Një ditë dot'i hash buzët e tua,
gjurmët e tua do t'i pështysh
dhe secilin muzg do ta pagëzosh
me nganjë pendim që dhemb
e s'do te kesh me as sy deti,
as hap te hedhur sorkadheje
te shohesh si t'perqeshin gonxhet
dhe te ikesh prej hijes sate.

Ruaju, moj se vashat me te bukura
i vret bukuria e vet.


"Maratonomaku i Nolit na solli nje lajm te mire edhe tani ne vitin 2008, Pavaresine e shumepritur te Kosoves. Tani qe syte jane ende te drejtuar kah Kosova, prej andej, me erdhi ne mendje Azem Shkreli. Me lart solla dy prej poezive te tij te cilat personalisht i vleresoj nder te bukurat e letersise dhe poetikes shqipe..."



No comments: