Tuesday, December 16, 2008

Bordeli Ballkanik


E tërë historia që kemi mësuar për vite dhe gjenerata të tëra në shkolla, në rast se e lexojmë një raport hulumtues që merret me prejardhjet gjenetike të popujve të Evropës, shembet si një kullë prej letre.
Sipas shkencës, aq sa ka të drejtë një prind shqiptar t’i emërtojë fëmijët me emrin, Ilir, pothuajse ngjashëm ka të drejtë edhe një prind boshnjak, maqedonas, turk, kroat apo edhe serb. Këto të dhëna i ka publikuar IGENEA, një institut i njohur në Zurich të Zvicrës që merret me hulumtime gjenetike të popujve dhe individëve.
Madje në këtë institut secili person me vetëm 200 franga dhe pesë javë pritje mund të zbulojë gjenetikën e tij dhe të gjejë përkatësinë e tij deri ne antikë. Sigurisht, nëse nuk ka frikë se mund të dalë si pasardhës i një fisi tjetër nga ai që ka mësuar në histori. Kështu, bazuar në një raport të publikuar nga ky institut, në këtë rast, më shumë se prindërit shqiptarë që kanë të drejtë t’i pagëzojnë fëmijët e tyre me emrin Ilir, ky nder u takon boshnjakëve dhe kroatëve.
Sipas rezultateve, 40 për qind e boshnjakëve dhe 34 për qind e kroatëve të sotëm kanë prejardhje ilire, ndërkohë që shqiptarët në këtë rast janë në vendin e tretë me 30 për qind. Sa i përket kësaj çështjeje, në këtë rast menjëherë pas Shqipërisë radhitet Serbia dhe Mali i Zi (aty përfshihet edhe Kosova) me 21 për qind e pasuar nga rumunët me 12 dhe maqedonasit me 10 për qind.
Sipas këtij raporti, i cili përfshinë 35 shtete të kontinentit evropian, asnjë prej popujve të sotëm, për paraardhës nuk ka një fis të vetëm. Por, për dallim nga shtetet perëndimore e veçanërisht ato skandinave ku popujt e sotëm mund të kenë për paraardhës vetëm dy fise të lashta, në Ballkan numri më i vogël i fiseve si paraardhës të popujve të sotëm është pesë, kurse më i larti është tetë.
Sipas zyrtarëve të këtij instituti, ky hulumtim mbështetet në të dhëna të mbledhura brenda periudhës trevjeçare. E në këtë rast, mbledhja e të dhënave ka filluar para se Mali i Zi dhe Kosova të shpallin pavarësinë, kështu që Serbia, Mali i Zi dhe Kosova në këtë hulumtim janë përfshirë në një shtet të vetëm me emrin Serbia dhe Mali i Zi. Lista e shteteve të Evropës në këtë hulumtim fillon me Portugalinë dhe përfundon me Shqipërinë.
Në këtë rast, sa i përket popullit shqiptar në Shqipëri, vetëm 30 për qind prej tyre janë pasardhës të ilirëve, ndërkohë që 20 për qind mund të jenë pasardhës të sllavëve. E në këtë rast, nëse rezultati i dytë është shumë i vështirë për t’u gëlltitur, shqiptarët mund të ngushëllojnë vetën se janë pasardhës edhe të trakasve, por në këtë pikë shansi zvogëlohet në vetëm 18 për qind. Sipas këtij hulumtimi, 16 për qind e shqiptarëve janë me prejardhje fenikase, 14 për qind helene dhe 2 për qind vikinge.
“Shqipëria qysh në kohën e vjetër të gurit është banuar nga njerëzit. Ilirët janë paraardhësit kryesorë dhe më të lashtë të Shqipërisë së sotme. Por, edhe helenët kanë luajtur një rol të rëndësishëm në gjenetikën e Shqipërisë, pasi ata ishin vendosur në këtë vend. Në shek VI erdhën edhe sllavët dhe nomadët nga Sicilia”, thuhet në legjendën e këtij hulumtimi për popullin shqiptar.
Popujt e Serbisë dhe Malit të Zi, sipas këtij hulumtimi, 30 për qind e tyre janë sllavë, ndërkohë që 21 për qind kanë prejardhje ilire. Është interesant se përveç shqiptarëve, në pjesën më të madhe të popujve të sotëm të rajonit të Ballkanit, diku më shumë e diku më pak, bëjnë pjesë edhe germanët (gjermanët e sotëm).

Në rastin e Serbisë dhe Malit të Zi, 18 për qind e tyre kanë prejardhje të tillë (germane), 14 për qind kelte, 9 për qind fenikase, 6 për qind helene dhe 2 për qind vikinge. “Ilirët dhe keltët ishin banorët e parë të Serbisë dhe Malit të Zi. Helenët erdhën më vonë në bazë të tregtisë. Në shek III, nomadë nga Azia kanë lënë gjurmë të thella në gjenetikën e popullatës. Që nga shek VI filloi lëvizja e sllavëve në Serbinë dhe Malin e Zi të sotshëm. Më vonë ky rajon u emërua Serbi”, thuhet në shpjegimin e shkurtër për këtë shtet të këtij hulumtimi.
Bosnja dhe Hercegovina, sipas hulumtimit gjenetik, përbëhet prej 40 për qind të pasardhësve të ilirëve, 20 për qind të gjermanëve, 15 për qind të sllavëve, 15 për qind të keltëve, 6 për qind të fisit të hunëve dhe 4 për qind të trakasve. “Populli i Bosnjës dhe Hercegovinës është pasardhës i vërtetë i ilirëve. Edhe keltët ishin prezent, por ilirët gjithmonë kanë dominuar. Ndërsa në vendet kodrinore kishte edhe fise tjera siç janë liburnët dhe dalmatët.
Në Shek IX erdhën skordiskët nga Serbia, fis ky që gjithashtu kishte prejardhje të ilirëve, keltëve dhe dakëve. Me lëvizjen e popullatave këtu erdhën edhe gjermanët. Bosnja ishte e rrezikuar gjithmonë nga popuj të tjerë, madje edhe nga germanët, hunët, vandalët, elanët, gepidët dhe avarët. Në shek VII erdhën sllavët, të cilët u shumuan për një kohë të shkurtër”, thuhet në sqarimin e këtij instituti për këtë shtet.
Sa u përket kroatëve, hulumtimi tregon se 34 për qind e tyre janë me prejardhje ilire, 20 për qind sllave, 18 për qind kelte, 16 për qind fenikase dhe 12 për qind germane. “Gjurmët e para në Kroaci shkojnë deri në kohën e gurit. Banorët e parë të Kroacisë ishin keltët dhe ilirët, por përgjatë Adriatikut u ndërtuan edhe qytete greke. Në shek III u formua mbretëria ilire, të cilët ishin mundur pas 400 vjetëve nga romakët. Pas lëvizjeve të popujve erdhën edhe gotët, vandalët, gepidët dhe sarmatët. Vetëm në shek XI erdhën edhe sllavët, në mesin e tyre edhe fiset kroate”, thuhet në sqarimin e hulumtimit për prejardhjen e popullit të këtij shteti.
Hulumtimi gjenetik i këtij instituti shpjegon se 30 për qind e popullit të Maqedonisë së sotme kanë prejardhje maqedonase, kurse 20 për qind germane, 15 për qind sllave, aq sa edhe helene, 10 për qind dhe nga 5 për qind fenikase dhe 5 hune. Pretendimet e grekëve se maqedonasit e sotëm janë thjesht grekë të lashtë, ky hulumtim i hedh poshtë pasi shkencërisht, sipas tyre, maqedonasit janë popull i veçantë.
“Maqedonia e sotme përmbledh vetëm një pjesë të Maqedonisë së lashtë. Në njërën anë ata shihen si pjesë e trungut helen, ndërsa disa mendojnë se maqedonasit janë një përzierje e trakëve, ilirëve dhe fiseve të tjera. Por, është e sigurt që maqedonasit mund ta bëjnë diferencimin gjenetik”, sqaron hulumtimi.
Sa për grekët, bazuar në raportin gjenetik, krenaria e tyre se janë pasardhës të drejtpërdrejtë të Helenëve të vjetër, është një bllof ashtu si edhe krenaria e shumë popujve të tjerë të Ballkanit se janë pasardhës të fiseve të veçanta. Hulumtimi sqaron se vetëm 35 për qind e tyre kanë prejardhje helene, kurse nga 20 për qind janë sllav dhe fenikas. Në të njëjtën kohë, nga 10 për qind e tyre kanë prejardhje gjenetike ilire e germane dhe vetëm 5 për qind maqedonase.
“Banorët e parë të Greqisë ishin minorët nga Kreta që kanë jetuar 3 mijë e 600 vjet para lindjes së Krishtit. Pas lëvizjeve të indo-gjermanëve në Greqi, erdhën edhe fiset ashër, trakët dhe ionierët. Në fund të periudhës së Mykës, filloi edhe ardhja e fisit të donierëve. Përmes Sicilisë në Greqi erdhën edhe disa nomadë, persët ishin luftuar për një kohë të gjatë, mirëpo me tregtinë detare me grekët, aty erdhën më shumë popuj të tjerë në kontakt, si me maqedonasit, ilirët, feniksët dhe sllavët”, thuhet në sqarimin e hulumtimit për këtë shtet.
Nga i tërë ky hulumtim gjenetik, populli më i përzier që del është ai që jeton në Turqinë e sotme. Prejardhja e tyre është gjetur se vjen së paku nga tetë fise të ndryshme. Vetëm 28 për qind e tyre kanë prejardhje turke, kurse 21 për qind për paraardhës kanë keltët, 6 për qind hebraiko-armenase, 11 për qind berberase, 11 për qind arabe, 9 sllave, 4 iliro/helene dhe 10 për qind germane.
“Banorët e parë të Turqisë nuk ishin turqit. Ata erdhën vetëm pas shekullit XI me invazionin e seldshukëve. Banorët e parë ishin hetitasit, të cilët pas luftës, inavzionit dhe urisë ishin shuar si popull 1 mijë e 200 vjet para lindjes së Krishtit. Këtu kanë jetuar edhe fygerët, tregtarët helenë, kimerët, lydierët, armeniasit, keltët, persët, hunët, germanët dhe bullgarët. Pas invazionit nga turqit, ky vend ka marrë emrin Turqi”, sqaron raporti.
HULUMTIM I BESUESHËM
Pas publikimit të këtij studimi, Evropa Perëndimore e ka mirëpritur atë, ndërsa reagimet negative kanë ardhur nga shtet e Ballkanit dhe Spanja. Më e zëshmja ndër fqinjët tanë ka qenë Greqia.
Inma Pazos, drejtoreshë menaxhuese e “iGENEA“ nën përkujdesjen e Gentest.ch GmbH, Instituti më prestigjioz i kërkimeve gjenetike në Zvicër, thotë për Express se studimi është bërë në gusht të vitit 2008, ndërsa në nëntor të këtij viti është plotësuar më të dhëna shtesë.
Në këtë studim, sipas saj, janë futur hulumtimet e fundit. “Ky studim është një rishikim i hulumtimeve më të rëndësishme, të cilën ne i kemi lexuar”, shton ajo. Ajo sqaron se hulumtimet e “iGENEA”-së kanë filluar para tri viteve. Sipas saj, që nga atëherë ky hulumtim është rritur dhe është plotësuar me të dhëna shtesë. Vetëm në vitin e shkruar, sipas Pazos, ka pas dyfish më shumë publikime sesa në vitet paraprake.
“Të gjitha studimet tona janë publikuar në një magazinë profesionale, kontrollimin dhe metodën e tyre e kanë bërë shkencëtarë të pavarur. Hulumtimet janë studiuar mirë, krahasuar dhe vlerësuar me bazën e të dhënave tona”, vlerëson ajo. Për të përpiluar këtë studim janë dashur dy vjet fazë përgatitore. Ajo tregon se studimi gjithmonë ri-aktualizohet dhe plotësohet më të dhëna shtesë.
“Studimi është shumë i saktë dhe i besueshëm, sepse ne nuk përdorim vetëm bazën e të dhënave tona, por edhe dhjetëra studime që janë bërë më parë dhe që janë vetëtuar.
Publikimi i një studimi në magazinat “Science”, “Nature” apo “AJHG” kërkon një përkushtim shumë të madh në fushën e shkencës. Vetëm studimet shumë serioze dhe të besueshme mund të publikohen”, thekson Pazos.
Ajo tregon se pas publikimit të këtij studimi kanë pasuar edhe reagimet. Evropa Perëndimore e ka mirëpritur atë, ndërsa reagimet negative kanë ardhur nga shtetet e Ballkanit dhe Spanja. “Vetëm në Spanjë dhe në rajonin e baskëve të dhënat janë shndërruar në “skandale të vogla”. Atje nuk dëshirojnë të pranojnë se baskët kanë tjetër profil gjenetik se pjesa tjetër spanjolle. Të dhëna të tilla mund të politizohen nga politikanë të ndryshëm”, vlerëson ajo.
Ndërsa në Ballkan reagimet ishte pothuajse të njëjta, ku të dhënat e publikuar janë keqpërdorur për fushata dhe propagandë politike. “Në Ballkan kemi pas përvojën e njëjtë, edhe pse në Greqi ka pas reagime shumë, shumë më të mëdha. Në këtë shtet i kanë ngatërruar termet gjenetike me politikë dhe të dhënat janë keqpërdor për propagandë. Nga maqedonasit për të vetëtuar që ata janë maqedonasit e lashtë, dhe nga grekët për të përdorur të dhënat si shkencë politike. Por, të dyja palët reflektuan se të dy shtetet kanë pjesë të rrënjëve të maqedonasve të lashtë”, tregon ajo për Express.
Ajo thotë se nuk e di numrin e mostrave të marra nga shqiptarët e Shqipërisë për këtë studim. Për të gjetur numrin e saktë duhet një rishikim i thellë dhe ajo do të merrte shumë kohë. Ndërsa për Kosovën, sipas saj, nuk ka të dhëna të veçanta, ngase studimi është bërë në kohën kur Kosova ende nuk ishte shtet. (Marrë nga Express)

2 comments:

Panorama de Fortim visto por Alida said...

Artikull interesant Gim.
Te pershendes

drejt tropojes said...

flm Alide! pershendetje dhe ty!