Friday, November 14, 2008

Gështenja e Tropojës, atje ku malet prekin qiellin


TROPOJË, 14 Nëntor/ATSH- Tropoja është e njohur për kultivimin e gështenjës, këtij dru frutori që para viteve '90 eksportohej në Gjermani, Turqi e Austri, ku përmes përpunimit të saj prodhoheshin nënprodukte si çokolllata, mielli etj.
"Masivet e gështenjës që kemi janë më të mëdhatë në Ballkan", thotë Gazmend Biberaj, një prej fermerëve që përmes tregtisë së gështenjës arrin të sigurojë të ardhurat për gjithë vitin.
Interesi ekonomik bëri që për të ruajtur këtë pasuri, privatizimi i pasurisë shtetërore në këtë rreth nisi me privatizimin e masiveve të gështenjës. Privatizimi solli edhe rritjen e shpejtë të numrit të rrënjëve të këtij dru frutori.
"Mesatarisht çdo vit numri i rrënjëve rritet me 5000 rrënjë, por që duhet të hyjnë në prodhim pas 10 vjetësh", tregon drejtori i Zyrës së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit të rrethit, Sadri Danaj.
Edhe pse është periudhë e gjatë për futjen në prodhim, fermerët e këtij rrethi tregojnë kujdesin maksimal ndaj këtij fruti. Investimi i paktë që duhet e rritja e tij edhe në toka inproduktive që kanë gjetur në këtë rreth një miniklimë ideale kanë bërë që banorët t'i përkushtohen mbarështimit të këtij dru frutori. Aq sa kush kërkon të blejë gështenja në Bajram Curri i thonë: Ja ku i ke gështenjat, shko mblidhi se janë pa para. Ndoshta një gjë e tillë nuk ndodh kund tjetër.
Në rrethin e Tropojës ka një linjë të përpunimit të gështenjës. Pronari i saj Ramiz Jaha tregon se ka një linjë të thjeshtë të përpunimit të gështenjës, ndërsa gjithë prodhimin e tregton në Itali e Belgjikë.
"Unë nuk mund të përballoj gjithë kërkesën e fermerëve, gjë që do të thotë se lëndën e parë e kam të siguruar", shprehet Ramizi.
Aktualisht masivi i gështenjës në rrethin e Tropojës zë një sipërfaqe prej rreth 2000 ha me mbi 200 mijë rrënjë prej të cilave 188 mijë janë në prodhim. Rendimenti për rrënjë arrin në 35 - 45 kilogram, ndërsa prodhimi vjetor në mbi 1600 tonë gjithsej.
"Rritja e prodhimit është rrjedhojë jo vetëm e rritjes së numrit të rrënjëve në prodhim, por edhe e rendimentit që gjatë viteve të fundit është dyfishuar", thekson Danaj.
Ai tregon se për shkak të kushteve klimatike e interesit ekonomik shtimi i sipërfaqes së mbjellë me këtë dru frutor është përfshirë edhe në projektin "2KR".
Masivet shtrihen thuajse në të gjithë rrethin e në toka relativisht inporoduktive, por masivet më të mëdha janë në komunat e Lekbibajt, Bujanit, Fierzës, Markajt e bashkinë e Bajram Currit.
"Me gështenjën unë mbaj familjen, jo ndonjë jetë kushedi se çfarë, por një jetesë normale gështenja na e siguron", tregon fermeri Fran Zhivani nga komuna e Lekbibajt. Si Frani që ka në pronësi mbi 200 rrënjë gështenja është edhe Ram Muja nga fshati Gribë që ka rreth 600 rrënjë gështenja.
"Tregun e kemi të siguruar, madje jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë. Në Shqipëri çmimi i një kilogrami gështenje është rreth 500 lekë, ndërsa në Kosovë me 80 cent", shprehet Muja.
Por një problem që shfaqet në masivet me gështenja është sëmundja e kancerit. "Kjo sëmundje prej vitesh u ka sjellë dëme jo të vogla fermerëve", tregon Danaj.
Në realitet kjo sëmundje është shfaqur prej dy dekadash në gështenjë. Deri tani disa mijëra rrënjë janë tharë. Është kjo arsyeja që u ndërmorr edhe një studim para disa vitesh për mënyrat e luftimit të saj. Studimi edhe pse u miratua nuk u zbatua.
"Pasojat e kësaj sëmundjeje ende nuk janë ndjerë me të gjithë përmasat, ndonëse ajo ka prekur rreth 15 për qind të këtij dru frutori, ndërsa pasojat nëse nuk merren masa për ta luftuar janë të paparashikueshme nga ana ekonomike për banorët e zonës", thekson Danaj.
Ndaj nga fermerët e këtij rrethi kërkohet vënia në zbatim e studimit të kryer nga specialistët për luftimin e kësaj sëmundjeje, që sapo ka nisur t'u shkaktojë dëme të mëdha financiare.

4 comments:

eni said...

nuk e dija kete gjer per Tropojen sa qejf shte nje nga frutat qe dua me shume:)

dhe nderkohe shpresoj shume dhe une qe shteti ti dali per zot dhe te mos veproje si me shume pasuri te tjera.do ishte vertet per te ardhur keq:(

flm qe e vure ketu kete shkrim madje mire do qe ta dergoje dhe ne ndonje media tjeter qe te degjohet sa me shume te jete e mundur se ne mos shteti te pakten te ndergjegjesohet individi:(

drejt tropojes said...

kjo eshte tradite prej kohesh ne ato ane, por sic duket edhe kete gje qe e dhuron natyra, shteti nuk e perkrah
flm eni!

Agobooks said...

e ç'na kujton gështënjat o i uruar?! :)

drejt tropojes said...

n.ago, andej nga veriu i konsiderojne po aq te rendesishme ne dimer sa dhe pastermane!