Mbrëmjen e 22 majit 2008, vendosa këtu një postim me titull “Triumf shqiptar në Beograd”! I ndikuar ndoshta nga lodhja e ditë-natës, (sfera e djathtë e trurit duhej të ishte drejt mpirjes, ora kishte kaluar 23:00 dhe unë postimin po e bëja nga kompiuteri i zyrës), por edhe i nxitur prej njëfarë atmosfere entuziaste të krijuar pas kualifikimit në finalen e “Eurovision” të përfaqësueses së Shqipërisë Olta Boka, gjithçka po më ngjante me një triumf, ngjyruar në këtë formë, edhe prej faktit se kënga ishte interpretuar në gjuhën shqipe, atje, në Beograd!
Një ditë më pas, kur isha çliruar prej euforisë, mbërriti një koment interesant.
Ishte E Ëma e Zeqos, e cila shprehej:
Po ce trijumf mor bir i nënës ce trijumf? Trijumf thunet kur fiton na një gjë apo e ka lën mëndja nënën e ka rrudhur? Po sikur pastaja të thyej këmën shejtani e të fitonj qo koce nënës na një vënt të mir ça fjale do ti themi mor të keqen nëna apo që ka çliruar kosovën?
Përgjigja ime aty për aty ishte: Hehehe, e shikoj qe nuk je dakord me mua nëno! Po ti ke mendimin tënd dhe unë kam mendimin tim, apo jo?! Nese fiton qo goce, do themi që na nderoi, por edhe nese nuk fiton, do themi që kendoi shqip në Beograd dhe që doli ne finale, pra gjithsesi, pati një vleresim ndaj saj. Gjithë të mirat nëno!
Por E Ëma e Zeqos, nuk tërhiqet nga mendimet e saj dhe sërish më shkruan: Edhe ti mor beu nënës paç gjithë të mirat, pa kocja në mes të Beogradit ja mori këngës se atje bënej ai koncerti mor bir e nuk vajti të pushtonte Titon. Edhe donte nuk donte qafir Millosheviçi do ta dëgjonte kocen si qën bir qëni se nuk ishte i tinja ahengu. Apo e ka kabim nëna këtë mor paç uratën ti?
Nëno, po të them se nuk e ke fare gabim! Mendoj se ke tërësisht të drejtë në reagimin tënd. Dhe dije se, nuk po ta them për të të bërë qejfin, por po ta them këtu, hapur ku munden ta shikojnë të gjithë, pra KISHE TË DREJTË! Tani çfarë dua të them unë me tërë këtë hallakatje?!!!
Dua të them se komentet e Nënës më vunë në mendime. Dhe pasi u mendova, pasi ndryshova paradigmën time dhe e pashë çështjen në një tjëtër vështrim, arrita në përfundimin se në titull të postimit tim, kishte diçka euforike, përtej asaj që kish ndodhur, të fryrë në masë e ngjyrim, krahasuar me atë çfarë kish ndodhur vërtet. E kjo nuk kish ndodhur vetëm se unë isha euforik e pak i emocionuar në atë momentin kur vendosa postimin bashkë me titullin e tij, por sepse Ne, gazetarët shqiptarë siç mendoj, dhe Unë, siç jam i sigurt, jemi të brumosur me një stil abuziv në vendosjen dhe ndërtimin e titujve. E kam fjalën për shtypin e përditshëm. Kam dëgjuar me qindra herë analiza dhe mendime, por edhe reagime lexuesish, që me të drejtë, thonë se në shtypin shqiptar në 80 për qind të rasteve, brenda artikujve gjejnë gjëra krejt të ndryshme nga ajo çfarë premtohet, lajmërohet dhe kumtohet në titull. E ky është një zhgënjim për ata lexues, pjesën reaguese e më të vlefshme të të cilëve, nuk i kemi më besnikë, ose i kemi humbur fare e ndoshta përgjithnjë.
Tani, që të jemi të qartë, unë prej kohësh, mikut dhe kolegut tim Krasta, i kam sugjeruar ndërtimin e një blogu i cili siç mendoja, duhet të ketë në qendër median. I sugjerova ta ndërtojmë bashkërisht blogun, 4-5 kolegë, në mënyrë që të ketë diversitet në qëndrime, në ide dhe në “akuza”. Dhe në këtë blog, siç projektoja në mëndje, të trajtohej problematika e medias, por kësaj here pa dorashka. Besoj se diskutimi, evidentimi dhe trajtimi i “abuzimeve” nga disa pjesëmarrës është më i besueshëm dhe më produktiv. Reagimi i parë, mbase pak moralist, por sipas meje i drejtë, i Krastës, ishte: A je gati të rrëfehesh? Krasta pra, më kushtëzoi, më tha se duhej të përgatitesha për të rrëfyer “mëkatet” dhe pastaj mund të flisnim për ndërtimin e blogut. Unë besoj se tani e fillova rrëfimin tim këtu ku pata mundësinë, në blogun tim simbolik. Kam cekur shumë pak nga problematike e madhe, por mendoj se gjithsesi është një fillim. Për të shkuar më tej, kërkoj ndihmë dhe pjesëmarrje nga të gjithë. Ky postim është i hapur për ndërhyrje nga të gjithë, përfshirë punonjës të medias por edhe njerëz që nuk kanë lidhje me median, qofshin konsumatorë apo indiferentë ndaj saj. Unë e di se nëse ndonjë prej kolegëve të mi të medias, nuk bën të njëjtën gjë me mua, unë do të jem i vetmi që kam pranuar “abuzimin”, por kjo nuk më tremb. Unë besoj se plaga dhe sëmundja mjekohet e nuk bëhet vdekjeprurëse, nëse ajo pranohet pa përvetësuar psikologjinë e pacientit, por duke zgjedhur e zbatuar modelin e njeriut që sinqerisht kërkon të shërohet dhe e bën këtë me çdo kusht. Unë e di se ky postim, nuk ka asnjë efekt pa pjesëmarrje, ashtu sikurse me gëzim kuptoj, se pjesëmarrja dhe mendimet e të gjithëve, i japin forcën e nevojshme për të ndikuar sadopak.
Monday, May 26, 2008
Nëno, kishe të drejtë!
Thursday, May 22, 2008
Triumf shqiptar në Beograd!

Perfaqesuesja e Shqiperise ne "Eurosong 2008" Olta Boka, renditet mes finalisteve me kengen e saj "Zemren e lame peng" interpretuar ne Beograd. Suksese Olta!
Wednesday, May 21, 2008
Thuaje fjalën e mirë, se zemrën s`ta shesh askush!

Prishtina më pëlqen, por nuk e njoh plotësisht. E adhuroj atë masë të saj, aq sa kam mundur të zbuloj deri tash. Megjithatë, kam vënë re, se disa prishtinas dhe prishtinase, në vlerësimin tim, qëndrojnë më lart se Prishtina, ashtu sikurse disa të tjerë, qëndrojnë më poshtë në këtë opinion, subjektiv sigurisht! E pëlqej Prishtinën ku flitet shqip, atë qytet ku krahas flamurit vendës vazhdon të shfaqet edhe flamuri kombëtar, jo në shenjë revolte apo mospranimi për simbolet e reja, por ne shenjë brendie. Prishtina e natës është akoma më e bukur. Nëse shikohet prej Kodrës së Trimave, Prishtina i ngjan një New Yorku, ballkanas. Rrugët kryesore, ato që mbajnë mbi vete lëvizjet më të shpeshta, janë me të vërtetë ok, krahasuar me Tiranën. Lokalet e natës ofrojnë muzikë live, grupe fort të njohura kosovare që këndojnë muzikë shqip, popullore dhe moderne njëkohësisht. S`mund ta harroj një ndodhi të datës 28-29 nëntor në “Zanzi Bar”. Grupi muzikor që kishte interpretuar live disa rryma muzikore, në ora 00:00 këndoi Himnin Kombëtar shqiptar e më pas, disa këngë popullore, fort të lidhura në Kosovë e Shqipëri me luftën dhe përpjekjet për liri. Ishte i bukur ai kalim krejt i papritur, nga muzika rock, apo jazz, në timbrin dhe fjalën shqipe. Një surprizë që vështirë ta gjesh në Tiranë, fatkeqësisht (edhe nëse ndodh, vështirë të ketë kurrë atë ngazëllim apo ngarkesë emocionale si në Prishtinë)! Baret janë me të vërtetë mirë, shërbimi të kënaq, kafeja është e shijshme, mund të lexosh gazetat në çdo lokal dhe të qëndrosh pa e vrarë mendjen dhe fare i pa kompleksuar se dikush atje matanë, po shikon fort me habi me me kureshjte, çfarë po bën, ç`po flet apo me kë qëndron ti. Secili në punë të tij. E nëse ndodh që të kërkosh një cigare, apo një çakmak, apo të ta kërkojnë një të tillë, e gjitha ndodh me mirësjellje. Çfarë nuk pëlqej tek Prishtina! Do njerëz krejt të ftohtë, që shpeshherë flasin serbisht kur s`është e nevojshme. Një të tillë po prisja në shëtitoren para RTK-së, për të udhëtuar drejt Mitrovicës, sepse nuk e njoh Prishtinën aq mirë. U vonua disa orë vajza, erdhi dhe nuk më kërkoi ndjesë për vonesën e saj dhe unë, u shpreha. E nxora gjithë mllefin që më ishte mbledhur gjatë atyre orëve të pritjes që i kalova herë në internet-caffe dhe herë duke ecur ngadalë në shëtitoren e këndshme që nis nga KEK-u e përfundon diku në sheshin para Qeverisë së Kosovës, ku ndodhet monumenti i Skënderbeut, që më kujtonte Tiranën. E pasi kisha komunikuar gjithë nerva vendimin tim për të mos udhëtuar drejt Mitrovicës (ishte muzg), se tash ishte vonë dhe isha inatosur prej vonesës mbi dy orëshe të koleges që më pat premtuar të më shoqëronte, ajo më ftoi për një “makiato” të mirë Prishtine, të cilën e dija, se nuk kam shans ta shijoj në Tiranë, e më tha në shqip: Thuaje fjalën e mirë, se zemrën nuk ta shesh askush!



