Friday, November 14, 2008

Gështenja e Tropojës, atje ku malet prekin qiellin


TROPOJË, 14 Nëntor/ATSH- Tropoja është e njohur për kultivimin e gështenjës, këtij dru frutori që para viteve '90 eksportohej në Gjermani, Turqi e Austri, ku përmes përpunimit të saj prodhoheshin nënprodukte si çokolllata, mielli etj.
"Masivet e gështenjës që kemi janë më të mëdhatë në Ballkan", thotë Gazmend Biberaj, një prej fermerëve që përmes tregtisë së gështenjës arrin të sigurojë të ardhurat për gjithë vitin.
Interesi ekonomik bëri që për të ruajtur këtë pasuri, privatizimi i pasurisë shtetërore në këtë rreth nisi me privatizimin e masiveve të gështenjës. Privatizimi solli edhe rritjen e shpejtë të numrit të rrënjëve të këtij dru frutori.
"Mesatarisht çdo vit numri i rrënjëve rritet me 5000 rrënjë, por që duhet të hyjnë në prodhim pas 10 vjetësh", tregon drejtori i Zyrës së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit të rrethit, Sadri Danaj.
Edhe pse është periudhë e gjatë për futjen në prodhim, fermerët e këtij rrethi tregojnë kujdesin maksimal ndaj këtij fruti. Investimi i paktë që duhet e rritja e tij edhe në toka inproduktive që kanë gjetur në këtë rreth një miniklimë ideale kanë bërë që banorët t'i përkushtohen mbarështimit të këtij dru frutori. Aq sa kush kërkon të blejë gështenja në Bajram Curri i thonë: Ja ku i ke gështenjat, shko mblidhi se janë pa para. Ndoshta një gjë e tillë nuk ndodh kund tjetër.
Në rrethin e Tropojës ka një linjë të përpunimit të gështenjës. Pronari i saj Ramiz Jaha tregon se ka një linjë të thjeshtë të përpunimit të gështenjës, ndërsa gjithë prodhimin e tregton në Itali e Belgjikë.
"Unë nuk mund të përballoj gjithë kërkesën e fermerëve, gjë që do të thotë se lëndën e parë e kam të siguruar", shprehet Ramizi.
Aktualisht masivi i gështenjës në rrethin e Tropojës zë një sipërfaqe prej rreth 2000 ha me mbi 200 mijë rrënjë prej të cilave 188 mijë janë në prodhim. Rendimenti për rrënjë arrin në 35 - 45 kilogram, ndërsa prodhimi vjetor në mbi 1600 tonë gjithsej.
"Rritja e prodhimit është rrjedhojë jo vetëm e rritjes së numrit të rrënjëve në prodhim, por edhe e rendimentit që gjatë viteve të fundit është dyfishuar", thekson Danaj.
Ai tregon se për shkak të kushteve klimatike e interesit ekonomik shtimi i sipërfaqes së mbjellë me këtë dru frutor është përfshirë edhe në projektin "2KR".
Masivet shtrihen thuajse në të gjithë rrethin e në toka relativisht inporoduktive, por masivet më të mëdha janë në komunat e Lekbibajt, Bujanit, Fierzës, Markajt e bashkinë e Bajram Currit.
"Me gështenjën unë mbaj familjen, jo ndonjë jetë kushedi se çfarë, por një jetesë normale gështenja na e siguron", tregon fermeri Fran Zhivani nga komuna e Lekbibajt. Si Frani që ka në pronësi mbi 200 rrënjë gështenja është edhe Ram Muja nga fshati Gribë që ka rreth 600 rrënjë gështenja.
"Tregun e kemi të siguruar, madje jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë. Në Shqipëri çmimi i një kilogrami gështenje është rreth 500 lekë, ndërsa në Kosovë me 80 cent", shprehet Muja.
Por një problem që shfaqet në masivet me gështenja është sëmundja e kancerit. "Kjo sëmundje prej vitesh u ka sjellë dëme jo të vogla fermerëve", tregon Danaj.
Në realitet kjo sëmundje është shfaqur prej dy dekadash në gështenjë. Deri tani disa mijëra rrënjë janë tharë. Është kjo arsyeja që u ndërmorr edhe një studim para disa vitesh për mënyrat e luftimit të saj. Studimi edhe pse u miratua nuk u zbatua.
"Pasojat e kësaj sëmundjeje ende nuk janë ndjerë me të gjithë përmasat, ndonëse ajo ka prekur rreth 15 për qind të këtij dru frutori, ndërsa pasojat nëse nuk merren masa për ta luftuar janë të paparashikueshme nga ana ekonomike për banorët e zonës", thekson Danaj.
Ndaj nga fermerët e këtij rrethi kërkohet vënia në zbatim e studimit të kryer nga specialistët për luftimin e kësaj sëmundjeje, që sapo ka nisur t'u shkaktojë dëme të mëdha financiare.

Saturday, November 1, 2008

Krimet Enveriste *

Republika Popullore e Shqipërisë
Gjykata e Naltë Ushtarake
Prokurorija
Tiranë, 3/VII/1946
Landa: Mbi ekzekutimin dhe vullnetin e
fundit së denuarvet.
Gjykatës së Naltë Ushtarake.Këtu.
Sot më datën 3 Korrik 1946 n’ora 5 të mëngjesit,
u ekzekutuan të dënuarit me Vdekje,
Qenan Dibra, Hivzi Golia, Sami Çeribashi, Talat
Drini, Tut Këniku, Xhahit Koka, Mehmet-
Ali Beshiri, Shaban Balla dhe Ali Kavaja.
Fjala e fundit e secilit në çastin e ekzekutimit
ishte:
1) Talat Drini: Rroftë Shqipërija me Kosovën.
2) Hivzi Golia: Rroftë Shqipërija me Kosovën.
3) Tut Këniku: Rroftë Shqipërija me Kosovën.
4) Qenan Dibra: Rroftë Shqipërija me Kosovën.
5) Xhahit Koka: Rroftë Shqipërija me Kosovën.
6) Mehmet_ali Beshiri: Rroftë Shqipërija
me Kosovën.
7) Shaban Balla: Ju lë kujdes fëmijën.
8) Ali Kavaja: Rroftë Zogu I-rë Mbret i
Shqipëtarëvet. Rroft Shqiperija me Kosovën.
Vdekjen e kemi hak.
9) Sami Çeribashi: Më në fund t’u plotësua
dëshira o Prokuror. Edhe ti një ditë do t’a
paguash si unë. Rroftë Shqipërija me Kosovën.
Qenan Dibra dorëzoj një letër të drejtuar
familjes, me lutje qe t’i dorëzohet.
Prokuror i Gjykatës së Lart Ushtarake
Kapiten I-rë Nevzat Hasnedari
* Dokumenti autentik Nr.
Extra. Prot. 3/VII/ 1946
Burimi: “Express”, Kosove
www.gazetaexpress.com

Monday, October 20, 2008

Shqiptarët vdesin për vizë!



ne foto, varka e mbytur ne liqenin e Butrintit

Një 22-vjeçare e martuar pak kohë më parë në Berat, humbi jetën bashkë me foshnjën e saj 3-muajshe per shkak se varka me të cilën viktimat dhe 22 klandetinë të tjerë po udhëtonin në liqenin e Butrintit, u mbyt. Grupi prej 24 personash, nga Feiri, Lushnja, Tirana dhe disa qytete të tjera të Shqipërisë u grumbullua nga katër trafikantë në Sarandë, të cilët përmes udhërrëfyesve i adresuan klandestinët të kalonin në drejtim të Greqisë përmes zonës së Butrintit. Udhëtarët e vdekjes, në kërkim të një jete më të mirë, tentuan ti shmangen postbllokut të policisë kufitare dhe hipën në varkë të dielën në mbrëmje vetëm 500 metra larg zonës ku ishte stacionuar policia. një 17-vjeçar nga Lushnja është shpallur i zhdukur për shkak se nuk gjendet në tokë dhe në Liqen. Bashkëshorti i gruas që humbi jetën dhe babai i foshnjës së vdekur, ndodhej edhe ai në barkë. Emigranti shqiptar në Greqi, 33 vjeç, kishte ardhur pak ditë më parë për një fatkeqësi në fisin e tij dhe kishte menduar të merrte me vete edhe familjen, por...gruaja dhe vajza nuk kishin arritur të merrnin dokumentet për hyrjen dhe qëndrimin në Greqi.
Historia përsëritet. Barka e vogel nuk mundi te mbaje plot 24 njerez te vendosur aty nen diktatin e trafikanteve qe kercenonin viktimat me rikthim ne token e mallkuar. Historia rikthehet. Ndoshta jo në kanalin e Kofruzit, mbase jo në mezokanalin e detit Jon, mbase jo në Karaburun apo në plazhin e Patokut më në veri, por diku, në ujërat e liqenit të Butrintit. Edhe atje vdesin njerëz që me shpresë të vrarë e pa rrugë shpëtimi, vendosin të largohen nga ky vend. Nga ky vend në të cilin bëhet propagandë për liberalizim vizash nga mëngjesi në darkë, nga fillimi i muajit në fund të tij, por ku realiteti është krejt ndryshe. Ësthë ai realitet që nxjerr tërësisht zbuluar mashtrimet politike vrastare për këta njerëz të pafajshëm të cilëve u refuzohen vizat për shkak se këta politikanë prodhuan një sistem që nuk ofron garanci për vërtetësinë e dokumenteve, për shkak se këta politikanë kurrë nuk e vunë ujin në zjarr për këta njerëz, të cilët si rrjedhim ende vazhdojnë të konsiderohen fatkeqëisht, delja e zezë në BE-në që na premtojnë çdo ditë politikanët dhe “eskpertët” tanë.

Friday, October 10, 2008

AKTRIM...!


Fotoja më lart, paraqet deputetin e Partisë Socialiste Erion Braçe, duke firmosur një peticion të organizatës MJAFT për largimin e Kryeministrit Berisha. Erioni ka rënë në sy prej vitesh në politikën shqiptare. E ka ndihmuar shumë të qënit gazetar, jo vetëm në mënyrën se si flet por edhe në metodikën e hulumtimit dhe interpretimit të gjërave. Për një gjë me të cilën shqiptarët janë mërzitur, Erioni pothuajse çdo ditë del në konferencë shtypi dhe thotë diçka të re. Erioni është gazetar dhe politikan gjithashtu. Ndërsa po shikoja një foto të tij, fiksuar këto ditët e fundit diku në hyrje të Parlamentit, u binda se Erioni para së gjithash është aktor. Po, po, një aktor i pashpallur i cili e luan këtë rol për bukuri, aktron në filmin e radhës në kohën kur të gjithë ne, mendojmë se po na thotë diçka të re, po bën politikë. Çdokush që e ka ndjekur gazetën “Tema” kohët e fundit dhe që është pak a shumë në dijeni të transformimit të formatit të saj, çka në fakt ka ndodhur muaj më parë, mund të shikojë me vëmendje se Erioni mban në dorë një të tillë. Është e paqartë nëse në momentin që ka ndaluar të firmosë në rrugë peticionin e MJAFT, Erioni e ka lexuar gazetën “Tema”, mbase ai mezi po pret të firmosë e më pas të shkojë të lexojë gazetën që mban në duar. Ç`është kjo gazetë? Kjo gazetë është pronë e Mero Bazes, jo vetëm pak, por Mero është drejtor dhe editor i saj. Mero gjendet gjuajse çdo ditë në kolonën e editorialeve të gazetës “Tema”, me komentet e tij. Mero është gazetar i guximshëm, hulumtues i mprehtë dhe mjaft i ashpër e therës me penën e tij. Por ç`lidhje ka ai me Erion Braçen, e aq më tepër me aktrimin e Erionit?! E pra, Erion Braçe dikur, jo më larg se një vit më parë, e akuzoi Mero Bazen si një nga katër personat që “kishin kërkuar kokën e tij”. Asokohe Erioni në fakt ra pre e një sulmi pasi një lëndë eksplozive shpërtheu pa dëme të mëdha në makinën e parkuar pranë zyrës së tij. Ai e renditi Meron si një nga katër personat që përbënin rrezik, madje e konsideroi “kryesekser të punëve të Sali Berishës”. Por tani Erioni e lexon me kureshjte gazetën e Meros, ku shkruan vetë Mero, për lidhjet e dyshimta, sipas medias shqiptare, te një biznesmeni boshnjak me Kryeministrin Berisha. Tani edhe Mero dhe Erioni e kanë “armik” Berishën dhe siç duket kjo, i ka bërë ti harrojnë armiqësitë e dikurshme mes tyre, të cilat duket sheshit se nuk kanë qenë as më pak as më shumë, sesa një truk aktorial, si të mos kishin ndodhur prej vërteti në sy të gjithë shqiptarëve, por thjesht në një film. Më poshtë, akuzat e Erion Braçes ndaj Mero Bazes, në artikullin e marrë nga “Gazeta Shqiptare”, datë 28 prill 2007.
Artikulli i GSH, 28 prill 2008
“Kokën time e ka kërkuar Sali Berisha dhe Fatos Nano. Ata qëndrojnë edhe pas shpërthimit të tritolit në makinën time”. Denoncimi i bujshëm dhe i papritur vjen nga deputeti socialist, kryeredaktor i Gazetës Zëri i Popullit, Erion Braçe. Në këtë mënyrë, zoti Braçe zgjodhi të shpjegojë akuzat mediatike që ju bënë dje nga Koha Jonë, Tema dhe TV Klan si person i lidhur me bandën e Lushnjes. Duke refuzuar në mënyrë absolute çdo akuzë për lidhje të presupozuar me këtë bandë, Braçe zgjedh të akuzojë. Madje në mënyrën më të fortë të mundshme. Ai e zgjeron rrethin e armiqve të tij politikë edhe me dy gazetarë të cilët bashkë me Berishën dhe Nanon do t’i denoncojë për shpifje në prokurori. “Mbas tyre është dhe Aleksandër Frangaj, shefi i mafias të medias pranë Sali Berishës dhe Mero Baze, kryesekseri i të gjithë punëve të Sali Berishës”, tha mbrëmë Erion Braçe, duke marrë mbi vete edhe përgjegjësinë për vërtetësinë e këtyre akuzave.
Me kerkojne koken
Erion Braçe nuk ka asnjë dyshim. Mbas përmendjes së emrit të tij si i implikuar në lidhje me Bandën e Lushnjes është Fatos Nano. Por për ish-kryeministrin socialist dhe paasardhësin e tij në të njëjtën karrige, Sali Berisha, Braçe lëshon akuza vërtet të rënda. “Ata kërkojnë kokën time. Ky spekulim i tmerrshëm mediatik vjen mbas atentatit me tritol që u vu në makinën time. Mbas këtij spekulimi fshihet ajo ngjarje e tmerrshme që fillon nga Sali Berisha dhe mbaron tek Fatos Nano”, arsyeton deputeti socialist që thotë se ka dëshmuar edhe në prokurori për pistat e mundshme të atentatit që i është bërë me tritol ditë më parë. Sipas tij, edhe botimi në ditën e djeshme në dy të përditshme afër qeverisë, është bërë me një material të afruar në redaksitë e tyre nga vetë Fatos Nano. “Unë do ta provoj me fakte një gjë të tillë”, thotë Braçe, që nuk ndalet këtu, por shikon se në këtë lojë që sipas tij i kërkon deri dhe jetën, janë të përfshirë dhe dy gazetarë pranë Sali Berishës, Aleksandër Frangaj dhe Mero Baze. Për të dy kolegët e tij, Braçe zgjedh të përdorë gjithashtu një fjalor të fortë duke e konsideruar të parin si “shef i mafias mediatike të Sali Berishës” dhe të dytin si “kryesekser të të gjithë punëve të Sali Berishës”. Në të njëjtin rresht me ta ai vendos edhe Gerti Bogdanin, ish-kandidatin humbës të PD-së për njësinë bashkiake 10, i cili dje e cilësoi Braçen si “ekonomisti i Bandës së Lushnjes”.
Mohimi i akuzave
“Nuk kam asnjë lidhje me këtë bandë”, rimohoi dje Braçe akuzat që i janë bërë në shtyp. “Në gazetën që drejtoj kam botuar dhe i kam atakuar ata me rreth 42 shkrime për rreth 25 vrasje që dyshohet se janë kryer nga ta”, tha ai, duke u shprehur se madje nuk i njihte fare personat që pretendohet se kanë përmendur emrin e tij. Ndërsa dyshimet për lidhje biznesi me këtë bandë, Braçe zgjedh ironinë për ta mohuar. “Kujt ju luta unë për të fituar tendera Banda e Lushnjes? Fatos Nanos, kryeministrit që i kishte në dorë tenderat, apo Spartak Poçit që ishte atëherë ministër i rendit? Të gjitha këto janë spekulime qesharake dhe unë do t’i drejtohem prokurorisë. Unë do të akuzoj direkt Fatos Nanon, Sali Berishën, Aleksandër Frangajn, Mero Bazen dhe Gerti Bogdanit”, paralajmëroi Braçe, por pa specifikuar nëse akuza e tij do të ndalej vetëm tek shpifja që ai pretendon se ata kanë bërë ndaj tij, apo dhe shumë më tepër, tek fakti që dy kryeministra kanë kërkuar kokën e tij.