Sunday, July 27, 2008

Ku po shkojmë?! 4 mijë maturantë shqiptarë, ngelin në provime

Ministria e Arsimit në Tiranë shpërndau lajmin se mbi 4 mijë maturantë shqiptarë nuk mundën të arrinin nota kaluese ne provimet e maturës dhe provimet me zgjedhje, të vlefshme për kualifikimin e hyrjes në Fakultete. Mbi 7 mijë të tjerë në fakt, kishin mbetur vitet e kaluara, i përsëritën provimet dhe mbetën përsëri “në klasë” edhe këtë vit. Shqetësues është fakti se edhe ata që i kaluan provimet, nuk kanë rezultate për tu dalluar, nota mesatare është 6.3 nga 10-ta që është maksimumi i vlerësimit sipas sistemit shqiptar.
Ku po shkojmë? Ç`është kjo rrugë pa krye në të cilën po ecin shumë prej nesh?!
E di se ky është një lajm që do të kalojë pa vëmendjen dhe trajtesën e duhur, pa shkaktuar atë alarmin e madh që më pas mund të sjellë një kahje njerëzore për kah ndërgjegjësimi për të ndryshuar diçka. Megjithatë jam thellësisht i shqetësuar. Dhe shqetësimi im nuk gjendet në statistikat e frikshme që sjell Ministria e Arsimit dhe as tek numri i naltë i maturantëve që edhe këtë vit do të bredhin kot më kot rrugëve apo do të marrin kurbetin, sepse nuk do të munden të shkojnë në Fakultet. Përvoja e viteve të fundit ka treguar se në rastin më të keq, disa prej tyre, sigurisht një pakicë, por mjaftueshëm sa për të bërë keq, implikohen edhe në krime si vjedhjet apo droga. Besoj se nuk janë të shumtë nga këta tipa “ngelës”, ata që do të kenë durimin dhe mundësinë për të pritur në stres vitin e ardhshëm për të konkuruar sërish. Shqetësimi im pra, qëndron tek e vërteta, parë sipas meje. Tek e vërteta që besoj se gjendet sadopak, tek ata maturantë që njoh, jo domosdoshmërisht të fisit tim. E kam fjalën për gjithë sojin e maturantëve, që prej atyre që për shkak të lidhjeve të gjakut jam në kontakt me ta dhe i dëgjoj të flasin vetëm për telenovela, apo modulet e lojës më të re elektronike në treg, e duke vazhduar më pas me ata maturantë që i shikoj rrugëve të Tiranës me veshjet apo me celularët më të fundit duke transferuar “file” (video porno apo imazhe të tilla në shumicën e rasteve) me teknologjinë bluetooth, e deri tek ata persona të brezit të tyre, që i shikoj tek e harxhojnë kohën kot ndër kafene duke u marrë më së shumti me muhabete pa pikë vlere dhe në rastin më të mirë, me thashetheme. Prej të gjthë këtyre kam pritur në fakt të dëgjoj një bisedë të këndshme për një libër apo për një ngjarje historike, kam pritur ti shikoj rrugëve me ndonjë dyzinë librash ndër duar duke ecur shpejt për në shtëpi nga padurimi për të nisur leximin. Kam pritur ti shikoj me rroba sportive duke u kthyer nga ndonjë veprimtari ku stërvisin trupin dhe largojnë dhjamin e tepërt që i ka kapluar prej ushqimit të fast-foodeve për shkak se nuk kanë kohë as për ushqim, ngase janë të zënë me të rejat e fundit nga moda, hi-tech apo chatet virtuale e krejt parazitare. Por jo! Për fat të keq, kjo nuk ka ndodhur e në fakt, ky është një ndër shkaqet që më bën ta shikoj si alarmant lajmin që shpërndau Ministria e Arsimit. Një lajm i cili vë në diskutim serioz nivelin e qytetarëve të ardhshëm të këtij vendi, çka është shumë e rëndësishme për ndryshimin e dëshiruar që përmendim çdo ditë thuajse në mënyrë platonike. Kam qenë edhe unë maturant. Nuk kam qenë i shkëlqyer, kjo është e vërtetë, ashtu siç është e vërtetë se ka pasur plot raste kur një drekë, një lojë apo një mbrëmje me shoqëinë me ka larguar tinëzisht prej librave. Ndonjëherë më largonin skitë, të cilat vazhdoj ti kem shumë pasion. Por po aq e vërtetë është se kam qëndruar pa gjumë dhe kohën që u kisha vjedhur përkohësisht librave, ua kam rikthyer dyfish. Është po aq e vërtetë se në ardhmen time e kam parë pikësëpari në rezultatet që kam dhënë në klasë, në dërrasë të zezë apo para komisioneve të vlerësimit, dhe në fund fare, tek emigrimi. Nuk kam asgjë kundër emigrimit, por jam partizan i arsimimit, qoftë edhe i arsimimit në emigrim nëse është e mundur. Gjithsesi unë dhe shumica e bashkëmoshatarëve të mi, kishin një ide për të ardhmen e cila siç e konceptonim varet shumë prej nesh, pra sa do të mësojmë ne dhe jo vetëm në shkollë, por edhe jashtë saj, sepse shkolla është pikënisja prej nga mësohen gjërat e rëndësishme në jetë. Sistemi ynë arsimor ka plot të meta, si çdo fushë tjetër, edhe ai po vuan probleme të informalitetit, evazionit, korrupsionit, mungesës së kushteve dhe pajisjeve teknike e të tjera si këto, por mendoj se gjëra të tilla duhet ti konsiderojmë justifikime dhe të kërkojmë që të japim më shumë. Duke qëndruar përsëri tek rrëfimi autobiografik, theksoj se klasat e ftohta apo mungesa e laboratorëve dhe e sallave me kompiutera, qenë një pengesë për shumë nga brezi ynë, megjithatë nuk ishte e pamundur të përvetësonim dijet që nevojiteshin për tu kualifikuar në Fakultet. Sa më shumë vështirësi kemi kaluar, aq më shumë detyrim për rezultate të larta kemi ndjerë, në raport me sakrificat tona. Arsimi për mua ka qenë një sfidë, një fushë ku konceptoja se ndaj gjithë rrethit që më njihte do të tregoja aftësitë dhe vullnetin tim, një veprim që ia dedikoja përpjekjeve dhe mundit të prindërve të mi që sakrifikuan aq shumë për arsimimin tim, të afërmve dhe xhaxhallarëve që u përpoqën po aq, sikur të më kishin fëmijën e tyre. E kam ditur se duke i bërë të ndihen mirë të gjithë këta njerëz të afërt, do ti siguroja vetes një të ardhme, për të cilën vazhdoj të besoj se do të qe shumë më e mirë nëse do të mësoja më shumë.

5 comments:

Minerva said...

Nuk shoh pse behet aq tragjike, jo te gjithe jane te kualifikuar per te qene studente universitare, kam filluar te mendoj qe shqiptaret kerkojne gjera qe jo perhere i meritojne.
Sidoqofte, une vazhdoj t'a perseris qe problemet thelbesore jane:

-trupa pedagogjike jo-e-kualifikuar

-organizimi i sistemit arsimor: provimet e matures duhen hequr dhe duhen zevendesuar me provime vjetore mbas cdo viti te se mesmes. Universitetet duhen liberalizuar: te gjithe duhen te kene shancin te fillojne universitetin me nje reputacion blanko, pa marre parasysh notat e se kaluares, drejtimin qe kane vazhduar ne te mesmen etj. Me pas, natyrisht qe profesoret ne korigjim duhet te ecin me dore te hekurt ne korigjime dhe te ndajne shapin nga sheqeri. Tek une kam mesatarisht ne vit te pare 600 studente, ne rastin me te mire 40% e tyre kalojne, sivjet ishte me keq, kaluan vetem 32%.

-mungesa e shkollave profesionale qe profilizon pune te caktuara: ne Shqiperi dhe te punojne si sekretare kane kryer demek nje universitet nderkohe qe ne shkollat Perendimore ka drejtime te tipit"sekretariat-gjuhe te huaja" ne insitut ne te cilat studentet kualifikohen. Me vone vete tregu i punes kerkon vetem studente qe kane kryer diçka te tille.

drejt tropojes said...

minerva, faleminderit per mendimin dhe analizen!
nuk besoj se eshte perpjekje per ta bere tragjike situaten. nisur nga shifrat, vetem 6 mije maturante parashikohet te hyjne ne universitet, 4 mije ngeles, jane shume, 40 per qind ose gati gjysma. e kam te qarte se jo te gjithe do te shkojne ne fakultet, e kam te qarte se jo te gjithe do te jene te shkelqyer dhe normalisht, do kete edhe ngeles. shqetesimi im eshte se nga viti ne vit tendenca dhe numri i ngelesve ka ardhur ne rritje, dha ja ku kemi perfunduar, 40 per qind e maturanteve s`munden te kalojne provimin e matures. nese do ta kalonin kete provim edhe pse pa rezultate per kualifikim ne fakultet, besoj se ne kete rast, shume prej tyre do ti ndihmonte nje shkolle e mesme profesionale qe do ti hapte rruge per angazhim ne nje fushe te caktuar pa qene barriere specializimi i domosdoshem ne fakultet ne rastet kur shkolla e mesme ka qene e pergjithshme. problemet qe ngre ti lidhur me sistemin arsimor, mendoj se qendrojne.
faleminderit!

e paditur said...

Tropoja, dhe unë kur lexova dje atë artikullin për notën mesatare 6.3 tek lëndët me zgjedhje, u trondita. Kjo më mërzit më shumë se numri i ngelësve. Dhe në fakt, nuk besoj që ngelësit janë 40%. Me sa kam lexuar unë, ka pasur mbi 30.000 maturantë të rregjistruar për provimet. Ti thua që vetëm 6000 do të rregjistrohen në universitete, po në fakt kjo është shifra vetëm për Universitetin e Tiranës, po të mbledhësh dhe gjithë të tjerët bëhet shumë më tepër.

Arsimi është pasqyrë e të gjitha problemeve të tjera të shoqërisë shqiptare. Nëse korrupsioni është mdel jetse i pranuar në shoqëri, arsimi nuk i shpëton dot. Fakti që ekonomia jonë nuk hap vende të reja pune nëpër qytete, i dekurajon shumë të rinj nga të përpjekurit për të mësuar më shumë. Fakti që ata merren me teknollogjitë e reja, internetin, etj, tregon që nuk janë budallenj, po thjesht shkolla jonë nuk ju ofron atyre atë përgatitje që mund t'u ofrojë atyre shanse për një të ardhme ndryshe. Dhe problemi më i madh mendoj unë që është mungesa e respektit për punën dhe frytet e saj. Nëse lekët për të blera rroba të shtrenjta e për të bredhur lokaleve këtyre të rinjve ua jep dikush në dorë pa u lodhur këta fare, pse duhet ta vrasin ata mendjen? Sidomos etika për punën është diçka që trashëgohet nga familja dhe shoqëria. Kur këto nuk e bëjnë këtë detyrë, gjërat veçse shkojnë për keq.

belle_fleur said...

Tropoje, ke ca dite qe po shtron disa tema mjaft pikante dhe qe jane shqetesuese per te gjithe. Edhe pse nuk jetoj prej disa vjetesh ne Shqiperi, perseri mundohem te ndjek situaten e atjeshme. Ky shkrim qe shkruan eshte shqetesues per vete faktin qe ky brez nuk po shkollohet dhe edukohet per te ndertuar dhe siguruar nje jete me te mire.
Nje faj per kete kane edhe prindrit. Si eshte e mundur qe keta prinder ju sigurojne cdo gje ketyre femijeve, por nuk ju mesojne atyre edukaten e punes.
Mbaj mend kur kam qene e vogel qe prindrit e mi jane munduar qe te na e fusin ne gjak, etiken e punes dhe te na mesojne qe gjerat ne jete nuk vijne falas dhe pa mundim.
Ndersa, ky brez qe po rritet keto dite ne Shqiperi por shthuret sa me shume qe koha kalon.

drejt tropojes said...

e paditur,
une besoj se shifra e ngelesve eshte 40 per qind, per faktin e thjeshte se ajo bazohet ne provimet e matures dhe lendet me zgjedhje, dhe jo mbi bazen e kaualifikimit apo jo per fakultet. pra, shifra 4 mije ngeles, i perket atyre qe nuk kane kaluar provimin e matures, pa i hyre me gjate historise nese kualifikohen apo jo per te hyre ne universitetin e Shkodres, Vlores, Gjirokastres apo Tiranes. Pra behet fjale per ata te cilet nuk marrin deftesen e gjimnazit apo te shkolles se mesme. te dhenat qe permend une, nuk kane lidhje me Universitetin e Tiranes, jane dhene prej Ministrise se Aresimit, e cila flet per provimet e matures ne tere vendin. sigurisht, sa i perket maturanteve qe kane mbaruar pune me gjimnazin, pra qe kaluan ne provimet e matures, shifra e atyre qe hyjne ne fakultet kete vit, eshte me e larte se 6 mije, duke llogaritur ketu universitetet e rretheve, te cilat pavaresisht se aplikojne keoficiente te ndryshem per profilet e ndryshme te arsimimit, jane te kapshme nga rezultatet e maturanteve "kalues" ne provimet e matures. gjithsesi, pa dashur te jem fort i fiksuar pas shifrave, pavaresisht se ato kane shume rendesi, une jam i shqetesuar lidhur me fenomenin, i cili nuk i perket ketij vitit te fundit, i cili nuk eshte i izoluar. ketu pra, qendron shqetesimi im.

belle, eshte e drejte gjithcka thua. secili nga ne mund te kete eksperienca te ndryshme per te treguar lidhur me ate se si e ka kuptuar rendesine e shkolles. mua me kujtohet qe ne vitin e dyte te shkolles se mesme, kam filluar te mendoj se vitet po kalonin shpejt, eshte nje periudhe te ciles nuk mund ti rikthehesh e ta riparosh. pra duhej te beja me te miren, sepse ishin momente vendimtare, e nese shperdoroheshin, te pa rikuperueshme.

pershendetje!