Saturday, July 19, 2008

Fragment nga udhëtimi i Dr. Gjilpërës në Shqipëri! (Konica)

Durrësi- me shtepitë e bardha, me kullat rrumbullake të mbetura nga Koha e Mesme, me kodrat e murrme prej shkëmbi të prerë maja-maja si nga dora e njeriut që i bëjnë një kurorë të rëndë përmbi krye- duket për së largu, për udhëtarin që afrohet nga deti, një qytet përralle dhe bukurie i shtrihur pranë valëve. Po i pari kontakt me Barkarët e limanit e prish menjëherë atë lodër të mëndjes dhe e ve njerinë përpara të vërtetës jo aq të pëlqyer. Barkat iu afruan anijes së avullt, dhe dr. Gjilpëra hodhi një sy mi njerëzit që vozitnin. Ishin shembëlla shumë të varfra të racës së njeriut: njerëz të zinj e të verdhë, të ngrusyr, të mvrenjtur, të parrojtur, të pakrehur, pobabilisht të palarë, njerëz të mërzitur nga bota dhe nga vetja e tyre që nuk e shihnin. Dr.Gjilpëra u habit shumë dhe me një italishte të thyer pyeti një oficer të anijes si qe e mundur të ndodheshin barkarë nga Malta ose nga Aleksandria në një liman të Shqipërisë – Ma che Maltesi, che Egiziani, sono proprio Albanesi- u përgjigj oficeri duke shkuar, (Ç`maltezë more, ç`egjiptianë? Janë fsjeshtë shqiptarë).
Dr.Gjilpëra mori valizen e tij në dorë, zbriti shkallët e pasigurta të anijes së ndryshkur dhe hyri në një barkë me ca udhëtarë të tjerë. Në doganë u doli përpara një turme e errët, njerëz të verdhë, me fytyra të lodhura, dy policë brutalë i shtyjnin me të mengjër e me të djathtë dhe udhëtarët hyjtin në binanë e doganës. Këta doganierët, me fytyra të palara e të tharuara, nisnë të gërvishtin plaçkat. Dr.Gjilpëra kish kapërcyer shumë kufi, po asgjëkundi s`kish gjetur një tërbim kërkonjës aq të madh. Ç`shikojin? Në bëjin hetime policie, si nuk u pati shpjeguar njeri se dokumentet e dëmshme nuk liheshin me valizat? Në mundoheshin të gjenin lëndë fiskale për të mbushur arkat e shtetit, si nuk i kish stërvitur guverna të bëjin ndryshime në mes të dengëve malli, që janë për marketat dhe të një valizë udhëtari me plaçkat e trupit? Apo në këtë vend të lumtur vallë, mos goditeshin me një taksë edhe brekët e udhëtarëve! Doganieri që gërmonte valizen e Dr. Gjilpërës, zbuloi një kuti të madhe me pluhur për të fshirë dhëmbët: menjehëre kalli dy gishtërinj të palarë, me thonj të zinj dhe nisi të rrëmojë e të shohë se ç`kish brenda. Pyeti në ç`punë hynte ky toz.
“Për të fshirë dhëmbët”, tha dr. Gjilpëra.
“Axhip!”, bëri doganieri pastaj thirri një shok dhe i tha “Shiko se ç`thotë ky njeri: këtë e paska për të fshirë dhëmbët!”
Që të dy doganierët qeshnë duke shfaqur nofullat e ndryshkura e gjysëm të kalbura.
“Ollur shej diil”, tha doganieri i dytë, “dhëmbët s`janë psiqolla ose çibukë që të fshihen: këtu, kardashëm, ka nonji hile: dalë të gërvish kutinë”.
Dhe nizi ta trazojë me dy gishtërinj jo më të paqmë se të doganierit të parë. Si e trazoi mirë, “Vaz gjeç,- i tha shokut, -kjo është ndonjë budallallëk Frengu, s`na prish punë.” Si fliste ashtu, diç i ra nga këmisha me dhjamë mi këmishët e bardha të Dr. Gjilpërës, i ra një gjë e vogël, e murrme, e cila nisi të lëvizë. Dr. Gjilpëra e zuri dhe e vuri në dorë të doganierit: “Ky është malli juaj, merreni.”
“Oh, s`është gjë, një morr vetëm”,-tha doganieri, e vuri në një thua dhe e shtypi me thoin tjetër, pastaj i fshiu duart mi pantallonat.
“Ja edhe një tjetër”,- doganieri i parë, “po unë do ta hedh mbë dhe, se është gjynah të vrasim një gjë të gjallë.”
“Po unë nuk e lë të gjallë, sikur të pëlcas!”, tha doganieri tjetër duke unjur sytë e tij prej macie e gjeti morrin dhe Krak! E vrava! Mor sa i majmë paska qenë qerratai!”, tha.
“Je njeri i pashpirt”, iu përgjigj shoku i tij. Dr.Gjilpëra e kish vazhduar në heshtje këtë skenë të çuditshme:
Tani që morri nuk është më i gjallë, s`ka kuptim të zihemi”,-tha mjeku ynë: “Po jam i mëndjes që duhet ti bëjmë një mbulesë të ndershme viktimës”.
Dhe duke zbrazur kutinë me pluhurin e ndotur përmi morrin. “Tani,- tha, - i ngritmë viktimës një monument të bardhë: dhe në qoftë se ca më vonë e merr era dhe s`mbetet gjësendi, duhet të ngushëllohemi me kujtimin se çdo gjë në botë është efermere. Zotërinj, ku janë monumentet funerale të Nimrodit, të Nabukodonsadorit dhe të njëqind luftëtarëve me famë? Doganierët dëgjonin gojehapur”.
“A kam leje të largohem?”-pyeti dr.Gjilpëra.
“Kini për të paguar pesë napolona”,-thanë doganierët.
“Pesë napolonë! Po përsë?”
“Se keni shumë çorape, shami, këmoshë, dhe jaka. Një njeriu të vetëm nuk i duhet, as çereku i atyre që keni ju në kërtë valize.”
Dr. Gjilpëra e kuptoi se ish më kot t`i zgjaste fjalët me këta njerëz, paguajti, mori dëftesë, mbylli valizen dhe u largua nga dogana. Po tek po dilte e zuri një polic dhe i dha urdhër të vazhdonte në zyrë të policisë. Kryetari nisi ta pyesë duke e shikuar në sy me një armiqësi të thatë. “Zot,-tha,- për ç`qëllim keni ardhur në Shqipëri?”
“Se jam shqiptar dhe desha të vizitoj vendin tim”.
“Kush ua heq harxhet e udhës?”
“Asnjëri.”
“Halld ettin! Po se paguajtin, çan kokën të udhëtojë njeriu?”
Dhe dytyra e kryetarit të policisë u ngrys me tepër.
Dëgjoni, -tha doktori,- Jam i pasur, pse të mos bëjë një udhëtim për të çlodhur mëndjen dhe për të kënaqur shpirtin tim?”
Posa dëgjoi për pasuri, fytyra e zbut menjëherë dhe nënqeshi. Nxori një kuti cigaresh dhe ia ndezi mjekut.
“Zoti doktor, -tha komisari,- mos i merrni për keq pyetjet e mia. Janë formalitete pa rëndësi, por kam detyrë ti mbaroj.”
Pastaj iu kthye policit që kish prurë doktor Gjilpërën dhe i tha të porositi dy kafe të mira. Kur doli polici jashtë, komisari ofroi fronin pranë doktorit.
“Zoti doktor,-më dukeni njeri i mirë dhe ju nderoj me të vërtetë. Lë të flasim shkoqur. S`vjen njeri për qqejf në Shqipëri, kur mund të shkojë kohën e tij në kafeshantanet me famë të Avropës. Ç`interes ju pruri në këtë vend të mallkuar?”
Dr. Gjilpëra kish nisur të shohë në thellësirat e errëta të këtij shpirti barbar, dhe kuptoi se do të ish kohë e humbur ti jepte shpjegime të kthjellëta.
“Zoti komisar, jam i pasur dhe s`kam nevojë për gjësendi. Po e dini që sa më tepër njeriu, aq më tepër i pëlqen të shtojë pasurinë.”
“Tabi!”,-tha komisari.
“U mejtova,-vazhdoi dr.Gjilpëra,- se po të vija në Shqipëri dhe do të shosja ca hape të çuditshme që shërojnë pa një e pa dy sëmundjet e botës, aq sa edhe njerëzve që kanë mbetur me një mëlçi u rritet mëlçia tjatër, posa të gëlltitin ato hape,-mejtova se do të kem myshterinj sa të dua dhe do të fitoj pa masë.”
“Haj-haj,- tha komisari,- ja tani kuptova, dhe mund t`ju thom se do të bëni punë shumë, ndonëse do të gjeni në Tiranë një mjek me famë, një nxënës të mesh-hur Habibullah pashait. Ky mjek quhet dr. Emrullah dhe bën çudira. Do ta kini kundërshtar të rrezikshëm por jam i bindur se do ta mundni.
Qëndroi pak, nënqeshi dhe vazhdoi duke ulur zërin e duke shikuar doktor Gjilpërën në sy:
“Zoti doktor, kam gruaj e fëmijë, dhe s`janë mirë nga shëndeti. Kini mirësinë të më falni ca ilaçe?”
Dr. Gjilpëra e shikoi në sy dhe e kuptoi qëllimin e këtij barbari të korruptuar.
“Zoti komisar, unë s`kam prurë ilaç me vete, se ky udhëtim i parë që po bëj në Shqipëri është vetëm për të shikuar vendin dhe për të zënë një shtëpi. Po këtu në Durrës, pa fjalë, ka ilaçe: dhe në qoftë se me jipni leje, dëshiroj t`ju bëj një dhuratë që t`i blini vetë.”
Dhe pa pritur tjatër përgjigje nga komisari, veç kënaqësisë së shfaqur me një buzëqeshje, nxori çantën i numëroi gjashtë bileta 50 liretash njëra. Komisari i vuri shpejt në xhep duke i shtrënguar dorën dhe largoi fronin e tij. Atë çast u hap dera dhe hyri polici me dy kafetë, e la tepsinë në tryezë, dhe duke u ulur pranë komisarit i tha turqisht:
“Kur po bëhej kafeja, unë po përgjoja prapa derës, dëgjova dhe pashë, dhe dua hisenë time.”
“Hesht mëlun, se unë s`ta ha hakën!”,-iu përgjigj komisari gjithë në gjuhën turqishte: pstaj vazhdoi në shqip:
Zoti doktor Gjilpëra është njëri i ndershëm, më dha provat: duhet ti ndihim që të vejë rehat në Tiranë. Tromobili niset për dy orë. Lëre zotërinë e tij në një hotel që të haje e të çlodhet: pastaj, kur të afrohet ora, shko merre zotin doktor dhe shpjere në tromobil, ku në qoftë se s`ka vend, duhet të ketë.”
Polici salutoi, dhe pasi dr.Gjilpëra i shtrëngoi dorën komisarit, duallntë që të dy jashtë. Pasi u mbyll dera, komisari u hodh nga vendi i tij dhe i ngjiti syrin në verën e kyçit. Polici dhe doktori qëndruan në divan dhe kuvendonin. I thotë polici me zë të unjur.
“Zoti doktor, dëshiroj të ju mbaroj punë dhe të ju shërbej me çfarëdo mënyrë, po bëmëni dhe ju një të mirë. Kam gruan dhe vjehrrën të sëmurë. Më falni ca ilaçe, zoti doktor.”
“Me gjithë zemër përgjigjet doktori, dhe i vë në dorë 2 bileta nga 50 lireta njëra. Kur duallnë në oborr, komisari hapi penxheren dhe duke ngritur gishtin dëftonjës të dorës së djathtë.
“Edhe unë pashë, iblis!”,- i tha policit turqisht “tani ti hisenë tënde e more vetë!” dhe e mbylli penxheren pa pritur përgjigje.

7 comments:

belle_fleur said...

Tropoje shume faleminderit qe e prure ketu. Tek lexoj kete pershkrim te Konices, me dridhet mishte per vete faktin qe kjo pjese edhe pse shkruar shume kohe me perpara, i pershtatet shume Shqiperise se diteve te sotme.

p.s. e nxjerr dot tek Peshku. Mendoj qe ka njerez qe duhet te lexojne edhe atje se si eshte Shqiperia jone e dashur!

drejt tropojes said...

belle, ne fakt ishte nje gje qe e bera me deshire, sepse peshkrimi denoncon dhe une pergjithesisht i kam deshire denoncimet!
tani lidhur me Peshkun, do deshiroja ta shikoja edhe andej materialin, cunat dhe gocat e Peshkut jane te mirepritur ta marrin dhe ta hedhin andej, gjithmone kam qene i hapur me ta por e kam lene ne deshiren dhe vleresimin e tyre perzgjedhjen e postimeve qe i publikojne andej dhe asnjehere nuk kam sugjeruar. ama mendoj se pershkrimin e Konices, duhet ta lexojne te gjithe, sot ndersa po e zbardhja nga libri, ishte ndoshta e 7-ta ose e teta here qe e rilexoj dhe jam i sigurt se do ta bej perseri.
po me kujtohej ndersa zbardhja tekstin, nje postim nga Minerva, i diteve te fundit, mbi kerkimet arkeologjike ku thoshte se sa me shume meson per periudhat e largeta historike, shikon se perseri kemi ca te perbashketa me realitetin e atehershem. pikerisht, "germimet" e Doktor Gjilperes permes penes thumbuese te Konices, kete gje na bejne me dije, qe serish kemi plot dukuri te tilla dhe qe nuk jemi perpjekur sa duhet ti largojme!
pershendetje!

Julius said...

Gim të faleminderit. Je çun flori. :)

Agobooks said...

Kush ua pagoi rrugën?
hahahahahaha

drejt tropojes said...

julius, se si me ngjante si detyrim per ta rikujtuar kete fragment si piken me te sakte te referimit per cka po ndodh ne ditet e sotme!

n.ago, gjithcka funksionon mbi mentalitetin e "dhuratave" qe kerkohen nga perfituesi dhe jo te ryshfetit, Kamorra e kopjuar nga Italia (se per spageti kishin patetet shqiptare) dhe e modifikuar alla shqiptarce nen thundren turke ne ate kohe, kete ushqente, dhuratat qe kerkohen nga perifutesi , jo ryshfetin, :))

pershendetje!

Minerva said...

Fantastike!! Flm qe e solle :-)

drejt tropojes said...

minerva, ashtu mendoj edhe une. kritika e Konices dhe ironia therese e tij edhe krejt e argumentuar dhe pa fjale boshe, si rrjedhim bindese!
pershendetje!