Wednesday, July 23, 2008

“Gjuetari i Balonave”, një subjekt i fuqishëm nga Khaled Hoseini!



Me “Gjuetari i Balonave”, Khaled Hoseini i ka dhuruar botës një libër të mrekullueshëm. Një subjekt i fuqishëm që vjen përmes personazheve të vendosura fillimisht në Kabul të cilat për shkak të marrjes së pushtetit nga talebanët zhvendosen në Islamabad, më vonë në Kandahar dhe në fund në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Libri sjell përditshmërinë e Kabulit si një qytet me njerëzit, rrugët, kinematë, libratitë, kulturën dhe traditat e tij, larg atij imazhi të krijuar prej kronikave të errëta televizive apo reportazheve të vrazhda gazetareske të viteve të fundit pas “11 shtatorit”. Kabuli ishte një qytet normal deri atë dimër kur talebanët u shfaqën dhe natyrisht normaliteti u kthye shumë vite më vonë, pas asaj kohe të gjatë lëngate, kaosi deri në shpërfytyrim, kur kryeqyteti por edhe i gjithë Afganistani u desh ta fillonte gjithçka nga e para, pa e humbur shpresën prej gjithë asaj që kishte ndodhur. Subjekti është i mbushur me ngjarje dhe episode mbresëlënëse të cilat edhe njëherë na sjellin ndërmend rëndësinë e njëriut, të miqësisë, fëmijërisë dhe besnikërisë. Libri ngërthehet pas një teksti që lexohet me një frymë, një subjekti rrëmbyes dhe një stili që sjell gjithnjë të pa pritura dhe kthesa të jashtëzakonshme në jetën e personazheve.
Pasi lexova librin, mësova se filmi i realizuar mbi subjektin e tij, ka mbërritur edhe në Shqipëri. Libri bestseller është konvertuar në një film prej 128 minutash. Filmi ndjek subjektin e librit duke shfaqur dy shokët që i kalojne ditët së bashklu në Kabul, duke luajtur me balona, duke shëtitur e duke jetruar moshën e tyre. Një histori e dhimbshme ndodh mes dy miqve të fëmijërisë për ti ndarë ata përgjithmonë, në këtë ndarje të cilën për disa vite e përjetuan të gjallë por të ftohur prej karakterit të komplikuar njerëzor i cili rezistoi derisa ndarja qe e pashmangshme dhe personazhet u vendosën në dy botët. Djalit shembullor i Ëazir Akbar Khan, torturohet nga faji, që braktisi shokun e tij Hasan, djalë i paligjshëm i babait të tij në një kohë kur Hasani ndërhyn për të marrë balonën e cila ishte kthyer në simbolin e rikthimit të personalitetit të Amirit në sytë e babait të tij të vrazhdë. Filmi është realizuar në 2007 nga regjisori Marc Forster, me një çmim 20 milionë dollarë ndërsa xhirimet janë kryer në Afganistan dhe në Amerikë ndërsa gjuhët e personazheve janë anglishtja dhe persishtja. Kolona zanore i përket Alberto Iglesias ndërsa në rolet kryesore luajnë Kahlid Abdalla, Zekeria Ebrahimi në rolin e Amirit. Ahmad Khan Mahmidzada përfaqëson në rol Hasanin fëmijë ndërsa Atossa Leoni luan rolin e Sorajës.

Mbi librin
I shkëlqyer, fabula tronditëse e të cilit e bën këtë libër të paharrueshëm jo vetëm si një kronikë politike,por edhe si një rrëfenjë të thellë personale...Ndodh rrallë që një libër t'i përshtatet kaq shumë kohësh dhe njëkohësisht të ketë cilësi kaq të lartë letrare.
(Isabel Aliende)

Autori
Khaled Hosseini, bir i një diplomati, u lind në Kabul, në Afganistan. Familjes së tij iu plotësua kërkesa për azil politik në SHBA më 1980. Jeton në veri të Kalifornisë dhe është mjek. “Gjuetari i balonave” është romani më i fuqishëm epik i kohëve të fundit, një sukses i jashtëzakonshëm letrar i botuar në shumë vende të botës. Dreamëorks, shoqëria kinematografike e Steven Spielberg-ut, ka fituar të drejtën për të realizuar filmin me këtë subjekt, i cili tashmë është duke u xhiruar.

Janë shprehur:
Një roman i mrekullueshëm...një tregim i jashtëzakonshëm që të rrëmben. (Publisher Weekly)
Një libër i fuqishëm... pa zbukurime të tepërta, pa absurditete, thjesht një prozë e shkëlqyer. (San Francesco Chronicle)

1 comment: