e enjte, 24 korrik 2008

Guidë për udhëtim në Tropojë

Udhëtimi në drejtim të Tropojës, zgjat afërsisht tetë orë dhe sipas itinerarit që ndiqet, përshkon rrugë që kalojnë në tokë dhe në liqen. Ininerari më i përdorur dhe më i zakonshëm, është ai që fillon në Tiranë, kalon në Fushë-Krujë, Lezhë, nga Vau i Dejës, Milot, Koman dhe më pas në liqenin me të njëjtin emër për në Fierzë e cila ndodhet vetëm 30 minuta nga kryeqendra e Tropojës, që është qytetii Bajram Currit.
Ininerari i dytë është ai që shtrihet tërësisht në rrugë tokësore. Ky itinerar njihet ndryshe si “rruga e Qafës së Malit”. Udha vazhdon duke ndjekur drejtimin e lëvizjes së itinerarit të parë deri në Milot. Më pas rrugëtimi ndahet për të hyrë në udhën që të shpie në qytetin e Pukës, kalon aty, e me pas nga Malësia e Mirditës vazhdon në veri të vendit, pranë Kukësit dhe ndahet në drejtim të Tropojës. Mesatarisht udhëtimi në të dy linjat, zgjat tetë orë, megjithëse itinerati i Qafës së Malit me një ecje të zakonshme mesatare prej 80 kilometra në orë, mund të përfundojë shtatë orë pas nisjes në Tiranë në rast se ndalesat rrugës nuk janë të gjata. Nisja e furgonëve që transportojnë udhëtarët, për të dy itineraret bëhet në ora 05:00 të mëngjesit në Tiranë ndërsa grumbullimi i pasagjerëve fillon 20 minuta më herët. Stacioni i nisjes ndodhet në rrugën mes Parlamentit të Shqipërisë, Komunitetit Mysliman të Shqipërisë dhe selisë së Partisë Demokratike. Aktualisht bileta e udhëtimit me furgon për të dy itineraret kushton 1200 lekë të reja. Gjatë rrugës ekzistojnë mundësi të ndryshme për ndalesa dhe për pushim ndërsa në qytetet kryesore ku kalon itinerari, udhëtarët mund të ushqehen në restorante apo të konsumojnë diçka për të pirë dhe për tu çlodhur.
Sa i përket udhëtimit me traget, në këtë mjet lundrues që kryen çdo ditë itinerarin Fierzë-Koman-Fierzë, aty ofrohet shërbim bari dhe mundësi për ushqim udhëtimi me çmime afërsisht si të tregut. Ekziston megjithatë, edhe një variant i tretë udhëtimi. Nga Tirana çdo ditë nisen furgonë të cilët i dërgojnë pasagjerët deri tek kalata e tragetit në Koman. Aty pasagjerët hipin në traget, duke paguar 400 lekë për person dhe më pas vazhdojnë udhëtimin deri në Fierzë, ku furgona të tjerë presin këta pasagjerë në kalatën e nisjes, për ti transportuar drejt qytetit Bajram Curri sapo zbresin nga trageti.
Pas mbërritjes në qytet, në afërsi të qendrës së tij ndodhet hoteli i privatizuar me emrin “Emral” i njohur prej vendasve me emrin “Hotel Shkelzeni”. Ai ndodhet në pjesën jugore të qytetit, pranë stadiumit, në një ambint të bollshëm mes gjelbërimit dhe pishave të shumta të mbjella vite më parë përreth tij. Hoteli ka një kapacitet prej 40 dhomash, gjysma prej të cilave janë të pajisura me kondicioner dhe pajisjet tjera të nevojshme.
Tropoja ofron mundësi të shumta argëtimi dhe eksplorimi. Në fshatin Markaj, rreth 25 minuta nga qyteti, ndodhen vendbanime vjetra historike që i përkasin fiseve që janë vendosur përsëpari në këtë zonë shumë vite më parë. Një tjetër mundësi është Muzeu dhe Pallati i Kulturës, ku vizitorët mund të njihen me traditat e zonës, veshjet, veglat muzikore dhe figurat historike të Malësisë së Gjakovës, të shquruara kryesisht gjatë luftës për mbrojtjen e trojeve shqiptare nga pushtimi sllav. Vepra gjigande energjetike e Hidrocentralit të Fierzës, është një tjetër objekt madhështor dhe mbresëlënës që mund të vizitohet duke marrë leje paraprake nga autoritetet përkatëse. Hidrocentrali me të vërtetë është një objekt madhështor që ofron supriza të pa fund gjatë eksplorimit të tij deri në 170 metra në thellësi të tokës.
Lugina e Valbonës, e shpallur prej vitesh Park Kombëtar, është përla turistike që ofron kjo zonë. Rruga automobilistike që të shpie në Valbonë, po asfaltohet në kushte bashkëkohore falë përkushtimit të biznesmenit vendas, pronar i kompanisë së ndërtimit “Geci”, i cili ka angazhuar një numër të madh mjetesh të cilat po gërmojnë në shkemb për zgjerimin e rrugës dhe rrafshimin e terrenit malor ku ajo shtrohet. Rruga parashikohet të përfundojë brenda vitit, megjithatë që tani, është në kushte të përshtatshme udhëtimi. Nisja bëhet në Qytetin Bajram Curri dhe udhëtimi drejt Valbonës, zgjat 1 orë e 40 minuta. Itinerari që përshkruhet, kalon nga fshati i Shoshanit, ku lehtësisht nga rruga vizitorët mund të shijojnë një nga perlat e kësaj zonë, Kanionin e Shoshanit të krijuar nga rrjedha e lumit Valbona mbi pikëtakimin e shkëmbinjve magmatikë dhe gëlqerorë. I gjithë udhëtimi ofron një panoramë alpine dhe të paharrueshme duke kaluar më pas në fshatrat Klysyrë, Dragobi, duke lënë pas rrugën që ndahet drejt fshatit Çerem në kufi me Serbinë, e më pas në Pas Kollate, fare pranë “Shpellës së Bajram Currit, vendqëndrimi i tij në male gjatë luftës, ku edhe u vra). Fare pranë urës që ndodhet mbi lumin Valbona, në afërsi të rrjedhës dhe në një pikë të prekur nga hijet dhe fresku i luginës së lumit, aty ndodhet një restorant ku mund të drekohet dhe ku kryesisht ofrohen produkte mishi të freskët. Rruga vijon më tej në veri në drejtim të fshatit të Valbonës, një vendbanim me burime të shumta uji të ftohtë që rrjedh nga shkrirja e borës në male, me pisha që arrijnë deri poshtë në fshat në bahçet dhe oborret e shtëpive. Në Dragobi, Mbas Kollate dhe në Valbonë, fushat e blerta janë një mundësi e mirë për ata që janë të interesuar të angazhohen në aktivitete sportive apo lojërat me top. Burimi i lumit Valbona, një perlë e natyrës, ndodhet rreth 40 minuta udhëtim në veri të fshatit Valbona, duke kaluar fshatin e Rragamit të Shalës.
Nga Wikipedia:
Tropoja emri i të cilës vjen prej fizionomisë gjeografike (tri fushat) eshte një vendbanim i hershëm i populluar nga popullsi shqiptare. Pas pushtimit të zonave veriore të Shqipërisë, nën sundimin sllav, pati tentativa për ta quajtur Tri Polje, por siç është e qartë në ditët e sotme, kjo zonë ruajti dhe mban emrin e saj të ardhur prej formës gjeografike në të cilën ajo shtrihet. Tropoja njihet historikisht si pjesë e Malësisë së Gjakovës. Gjatë Perandorisë Osmane ishte pjesë e Vilajetit të Kosovës. Kufiri i vitit 1912 që shkëputi pjesën më të madhe të Kosovës nga Shqipëria la Tropojën në izolim dhe vështirësoi jetën e banorëve. Kufiri la të izoluar edhe ekonominë e Tropojës. Nga çlirimi i Shqipërisë e deri në Luftën e dytë botërore Tropoja së bashku me të gjitha venbanimet e tjera të Tropojës, Hasit dhe Kukësit që kishin mbetur këndej kufirit ishte pjesë e Prefekturës së Kosovës, që ishte një nga 10 zonat administrative të Shqipërisë së lirë. Sot Tropoja është pjesë e Rrethit të Tropojës, të cilit edhe i ka dhënë emrin ndërsa në varësi administrative i përket Prefekturës së Kukësit.

5 comments:

e paditur said...

Tropoja, shumë faleminderit për informacionin. 8 orë udhëtim qënka ca shumë. Dmth, u dashka menduar mirë para se të nisesh, duhet të kesh prenotuar hotel dhe të kesh vendosur ku do të kalosh natën.

Një pyetje kam unë. Po të kesh makinë vetë, e hyp dot ne traget, apo trageti është vetëm për njerëz. Se ashtu i bie që duhet të udhëtosh me furgona, dhe këta nuk i kam qejf unë.

Unë kam qënë disa herë deri në Koman, po kjo para 20 vjetësh, kështu që gjërat kanë ndryshuar patjetër. Sigurisht që do të kisha shumë dëshirë të vija deri në Luginën e Valbonës. Të shoh kur do të mund ta realizoj.

Përshendetje dhe ditë të mbara!

tropoja said...

e paditur, udhetimi me makinen tende, ose me makinen personale te personit qe do te shkoje ne ato ane, eshte teresisht i mundur. edhe trageti ka vend per makinat private nese mund te shprehem keshtu. megjithate ne kete rast, drejtuesi i mjetit duhet te paguaje nje tarife ne traget, sipas madhesise se makines, e cila per veturat shkon deri ne 4500 leke te reja, per fuoristradat apo makinat "familjare" deri ne 5500 leke te reja.
gjithashtu, dite te mbara dhe ty!

e paditur said...

Hmm, çmime të kripura këto. Ndoshta është me ekonomike t'i biesh nga rruga automibilistike atëherë.

Mirë do të ishte të organizoheshe me miq e të ishe një grup, se ashtu mund të bësh dhe ndonjë piknik, ose camping.

Sidoqoftë, ty dhe njeherë shumë faleminderit për shpjegimet e detajuara.

belle_fleur said...

Tropoje, te falenderoj gjithashtu per kete "tour" virtuale qe na ofrove. Tani mbetet vetem qe te vizitoj dhe ta eksploroj ate zone mjaft te bukur.

Kalofsh mire!

Saliasi, Redi said...
This comment has been removed by the author.