Monday, August 4, 2008

Tiranës po ja marrin frymën!

“Mjetet zjarrfikëse nuk kishin asnjë mundësi të afroheshin tek pallati 15-katësh që gjendej mes tymit dhe flakëve. Nga distanca në të cilën vepruam, ishte shumë e vështirë të kontrollonim situatën”.
Pedagogët na thoshin në Fakultet, se paragrafi i një artikulli me citim, konsiderohet “kokë dembele”. Megjithatë ata linin të hapur mundësinë që një artikull të fillohet që në paragrafin me parë me fjalë në thonjëza, por vetëm në ato raste kur ajo që themi është shumë e rëndësishme. Në këtë rast, besoj se ajo që thuhet është e rëndësishme jo për shkak se punonjësi i zjarrfikëseve kullonte në djersë teksa thoshte fjalët të cilat i vendosa në hyrje të këtij postimi, por sepse bëhet fjalë për jetën e 200 banorëve të Tiranës.
Pak ditë më parë ata u gjendën papritur në një situatë emergjente. Disa punëtorë që saldonin në bodrumin e pallatit kishin gabuar, shkëndijat dhe temperatura e lartë bënë të tyren, instalimet marën flakë bashkë me materialet tjera. Rreth 200 metra nga vatra e zjarrit ndodhej një depozitë nafte me plot 4 mijë litra, e cila përdoret për furnizimin e gjeneratorëve që vendosen në punë në mungesë të energjisë elektrike. Pallati u mbush me tym, kati i parë ishte në flakë, energjia elektrike u ndërpre bashkë me lëvizjen e ashensorëve.
Nxitimi i zjarrfikëseve, shpeshherë i kritikuar, ishte i kotë. Ato nuk mundën të afroheshin aq pranë pallatit sa të mbulonin me ujë gjuhët e flakëve dhe të izolonin origjinën e tymit që kish ndaluar frymën e mbi 100 personave të cilët kishin mbetur në pallat. Rreth 50 prej tyre arritën të zbresin shkallët gjysëm të asfiksuar dhe morën ndihmën e parë sapo arritën në oborr. Rreth 50 të tjerë ndodheshin në rrezik. Një situatë e tillë duket ishte parashikuar në kohë nga ata që kërkuan ndihmën e repartit të forcave speciale RENEA. “Merimangat” shqiptare u ngjitën me litarë nëpër ballkone dhe arritën të nxjerrin nga rreziku pleq e të mitur që ndodheshin në prag të vdekjes. Mes tyre ishte një 7-vjeçar, të cilin gjyshërit e tij nuk kishin mundur ta ndihmonin për shkak se kishin mbetur në dhomën tjetër të apartamentit të izoluar nga tymi. Ai fëmijë ndoshta do ta harrojë ngjarjen që ndodhi pak ditë më parë, mbase nuk ka qenë fort i ndërgjegjshëm për gjithçka po ndodhte, por e vërteta është se jetën ia shpëtoi ai efektiv i RENEA-s që e nxori nga kthetrat e vdekjes duke zbritur gjashtë kate me litarin që i digjte duart prej nxehtësisë së fërkimit.
Nëse do të ndodhte në ndonjë vend perëndimor, kjo ngjarja pa dyshim do të kishte shkaktuar një debat të fuqishëm publik lidhur me efektshmërinë e zjarrfikëseve, sistemin e sigurisë kundër zjarrit dhe mënyrën si janë ndërtuar dhe po ndërtohen pallatet në Tiranë. Kryeqyteti ynë po betonohet çdo ditë e më shumë. Hapësirat e gjelbërimit dhe të frymëmarrjes po i zënë tonelatat e gurta të betonit aq sa lëvizja, frymëmarrja, shikimi, është bërë tejet i vështirë. Nëse një veturë kalon mes dy pallateve në Tiranë, atëherë duhet patjetër të ndalosh dhe të gjesh vend ku të futesh për të shmangur përplasjen. Ky është një sistem i cili jo vetëm po na kufizon dritën e syve, frymën e mushkërive dhe mundësinë e lëvizjes, por mbi të gjitha po na rrezikon jetën. E cila në rast se po tretet çdo ditë e nga pak si pasojë e ndotjes, mungesës së gjelbërimit dhe orientimit drastik drejt urbanizimit ekstrem, pa dyshim që do të ndodhet para një sfide ekzistenciale në ngjarje të papritura si ajo që ndodhi pak ditë më parë në “Rrugën e Kavajës” në Tiranë.
Një vështrim mbi fëmijën 7-vjeçar që dihaste dhe një prekje në gjoksin e tij, pranë zemrës që rrihte fort në kërkim të oksigjenit që kish filluar të mungonte në gjak, mjafton për të kuptuar sa boshe janë llafet për “Tiranën Europiane”, për “6-fishimin e buxhetit që i dedikohet kryeqytetit”, për “vendosmërinë e KRRTRSH-së për zbatimin e ligjit”, “luftën kundër korrupsionit” dhe “zbatimin e plan-rregullimeve urbanistike” apo broçkullave të tjera që dëgjohen pa fund në këtë vend të sunduar tragjikisht strikt nga kaosi.

1 comment:

drejt tropojes said...

:((
fatkeqesisht eshte e vertete, edhe ti eni, e ke shprehur para do kohesh shqetesimin tend per shperfytyrimin e qendres se Tiranes, e cila eshte vetem nje pjese e kesaj masakres qe po ndodh perdite ne kete vend!