Thursday, July 31, 2008

Dilema per Universitetin e Vlores...

Debati që ka shpërthyer ditët e fundit në Shqipëri, lidhur me emrin që duhet të mbajë Universiteti “Ismail Qemali” në Vlorë, ka vënë në lëvizje mëndjet krijuese të cilat pasi parashikuan vullnetin e pa epur te drejtuesve të këtij Universiteti për ti hequr instituconit emrin e “Ismail Qemalit”. Në adresën time në e-mail, rreth mesditës së sotme mbërritën këto variante për emërtimin që mund të ketë Universiteti i Vlorës, me qëllim ndërkombëtarizimin e tij, për shkak se drejtuesit aktualë, mendojnë se emri “Ismail Qemali”, nuk është edhe aq komercial!!!








Wednesday, July 30, 2008

Gjakmarrja!

Nuk po e kuptonte as vetë përse e lidhte mungesën e babait në shtëpi me ngjarjen që i kishte ndodhur asaj, që kur mori vesh se ajo nuk kishte marrë pjesë në ceremoninë mortore të të atit, e siç i thoshin, nuk kishte derdhur asnjë pikë loti pas vdekjes së tij.
Nëna megjithatë kishte dy ditë që përkujdesej më shumë ndaj tij, duke i kërkuar që të bënte kujdes. Duke përgjuar fshehurazi bisedat që bëheshin në familje, kishte mësuar se sipas Kanunit, kur vajzat nuk merrnin pjesë në varrimin e të afërmit të vrarë dhe nuk qanin me zë të lartë në shtëpi aq sa të dëgjonin të gjithë vizitorët që shkonin për ngushëllim, kjo ishte një shpallje, një deklarim i përbetuar hakmarrje. E kishte menduar disa herë këtë pa bërë asnjë lidhje me saj dhe kujdesit të vërbër dhe acarues dhe kontollit që nëna po ushtronte ndaj tij prej dy ditësh. Një ndryshim i cili e kishte kufizuar ndjeshëm në daljet e tij në qytet, deri atë ditë kur kapërceu oborrin e shtëpisë duke u kujdesur që porta e madhe të mos shkaktonte zhurmë. Ishte muzg, një muzg që dukej se nuk do të përgjumej kurrë. Ai doli matanë rrugës dhe eci në trotuar deri tek kryqëzimi që pothuajse ishte zhdukur nën rrëmujën e ndërtesave, lëvizjes së makinave më tepër se në katër drejtime dhe kazanëve të plehrave që dukej sikur kishin filluar të villnin, ngase ishin tejmbushur prej javësh. Ndodhej në përjetimet e një dileme të përhumbur për rrugën që duhej të ndiqte në kërkim të takimit me miqtë, që dukej se e kishin harruar në ato dy ditë që ai nuk ishte shfaqur në qytet. I kishte ngadalësuar hapat duke aluduar për vendndodhjen e miqve dhe drejtimin që duhej të ndiqte dhe ashtu, me një ecje të penduar kishte kaluar në anën lindore të kryqëzimit duke hyrë në rrugën që të shpinte në lagjen tjetër. I përgjumur në këtë gjendje moskontrolli, ai kuptoi shumë vonë, nga momenti kur fare pranë kishte ndjerë hapat e dikujt. Një krismë e pasuar nga disa të tjera, preu ajrin e nxehur prej diellit përvëlues që po fshihej pas malit. Ai nuk u zgjua asnjëherë, i përgjumur, dëgjoi fjalët e saj para krismës së parë: të dua, por këtë po e bëj për tim atë. Dhe më pas krismat që i shkaktuan një dëshirë për të pakundërshtueshme për tu rrëzuar. Pesha e rëndesës kishte bërë të sajën, organizmi i tij i shkrehur dhe i clliruar prej pushtetit mbajtës të muskujve që kishin vdekur, u shemb. Dy pika loti ranë nga faqet e saj, në tokë, pranë tij. U zhdukën shpejt sikur ti përpinte toka e nxehtë. Ajo u shfaq në fund të rrugicës që të çonte në varreza, po shkonte të varri i babait, e pasigurt nëse ai do ta dëgjonte ndonjëherë, për ti thënë se kishte marrë hak dhe vetëm pas kësaj, kishte derdhur dy pika lot që ishin zhdukur shpejt!

Bashkuar kortezhit që përcjell gënjeshtrën
Drejt varrezave shkon edhe ajo, si gjithë të tjerët
Sozia e kufomës, në funeral se fsheh buzëqeshjen
të gjallë e percjellin si të vdekur, kaq herët!

Ca gra në të zeza mbahen në krahë të përlotura
Ecin pranë burrave, sikur kërkojnë mbështetje
Gurët në rrugë klithin nën peshën e takave të poshtra
Kjo mbrëmje si të tjerat, nuk ngjan aspak me vdekje

Monday, July 28, 2008

Rrumpallë deputetësh!




Ca vite më parë, shtetarët tanë, pra deputetët por jo vetëm ata, miratuan një ligj të quajtur Kodi Rrugor. I cili në një ndër nenet e tij më të qarta thotë se është i ndaluar parkimi i makinave në trotuar. Me ligjin që kanë bërë këta deputetë, policia rrugore më gjobit mua, ty, ata, ato, pra të gjithëve ne, sa herë e kalojmë cakun sadopak, sepse për parkim në trotuar, rrallë ka ndodhur të na ndëshkojnë. Jo se e kemi bërë krimin dhe kemi shpëtuar paq, porse nuk kemi tentuar ndonjëherë të parkojmë në trotuar. Dhe ja, këta deputetët që kanë bërë atë ligjin dhe e kanë miratuar më pas, si i parkojnë makinat e tyre luksoze bash përpara Parlamentit, në qendër të Tiranës. Një rrumpallë luksoze fund e krye! Ngjan me një subjekt të rëndomtë, por po mendoja për kembësorët! Sikur të lëviznin në pjesën e rrugës të caktuar pë makinat, meqë trotuari nuk ka vend për ta. Sa të rrezikuar do të ishin nga këto makina që kur lihen pa pikë meraku në trotuar për orë të tëra, kushedi çfarë i punojne normave të shpejtësisë së lejuar!

Sunday, July 27, 2008

Ku po shkojmë?! 4 mijë maturantë shqiptarë, ngelin në provime

Ministria e Arsimit në Tiranë shpërndau lajmin se mbi 4 mijë maturantë shqiptarë nuk mundën të arrinin nota kaluese ne provimet e maturës dhe provimet me zgjedhje, të vlefshme për kualifikimin e hyrjes në Fakultete. Mbi 7 mijë të tjerë në fakt, kishin mbetur vitet e kaluara, i përsëritën provimet dhe mbetën përsëri “në klasë” edhe këtë vit. Shqetësues është fakti se edhe ata që i kaluan provimet, nuk kanë rezultate për tu dalluar, nota mesatare është 6.3 nga 10-ta që është maksimumi i vlerësimit sipas sistemit shqiptar.
Ku po shkojmë? Ç`është kjo rrugë pa krye në të cilën po ecin shumë prej nesh?!
E di se ky është një lajm që do të kalojë pa vëmendjen dhe trajtesën e duhur, pa shkaktuar atë alarmin e madh që më pas mund të sjellë një kahje njerëzore për kah ndërgjegjësimi për të ndryshuar diçka. Megjithatë jam thellësisht i shqetësuar. Dhe shqetësimi im nuk gjendet në statistikat e frikshme që sjell Ministria e Arsimit dhe as tek numri i naltë i maturantëve që edhe këtë vit do të bredhin kot më kot rrugëve apo do të marrin kurbetin, sepse nuk do të munden të shkojnë në Fakultet. Përvoja e viteve të fundit ka treguar se në rastin më të keq, disa prej tyre, sigurisht një pakicë, por mjaftueshëm sa për të bërë keq, implikohen edhe në krime si vjedhjet apo droga. Besoj se nuk janë të shumtë nga këta tipa “ngelës”, ata që do të kenë durimin dhe mundësinë për të pritur në stres vitin e ardhshëm për të konkuruar sërish. Shqetësimi im pra, qëndron tek e vërteta, parë sipas meje. Tek e vërteta që besoj se gjendet sadopak, tek ata maturantë që njoh, jo domosdoshmërisht të fisit tim. E kam fjalën për gjithë sojin e maturantëve, që prej atyre që për shkak të lidhjeve të gjakut jam në kontakt me ta dhe i dëgjoj të flasin vetëm për telenovela, apo modulet e lojës më të re elektronike në treg, e duke vazhduar më pas me ata maturantë që i shikoj rrugëve të Tiranës me veshjet apo me celularët më të fundit duke transferuar “file” (video porno apo imazhe të tilla në shumicën e rasteve) me teknologjinë bluetooth, e deri tek ata persona të brezit të tyre, që i shikoj tek e harxhojnë kohën kot ndër kafene duke u marrë më së shumti me muhabete pa pikë vlere dhe në rastin më të mirë, me thashetheme. Prej të gjthë këtyre kam pritur në fakt të dëgjoj një bisedë të këndshme për një libër apo për një ngjarje historike, kam pritur ti shikoj rrugëve me ndonjë dyzinë librash ndër duar duke ecur shpejt për në shtëpi nga padurimi për të nisur leximin. Kam pritur ti shikoj me rroba sportive duke u kthyer nga ndonjë veprimtari ku stërvisin trupin dhe largojnë dhjamin e tepërt që i ka kapluar prej ushqimit të fast-foodeve për shkak se nuk kanë kohë as për ushqim, ngase janë të zënë me të rejat e fundit nga moda, hi-tech apo chatet virtuale e krejt parazitare. Por jo! Për fat të keq, kjo nuk ka ndodhur e në fakt, ky është një ndër shkaqet që më bën ta shikoj si alarmant lajmin që shpërndau Ministria e Arsimit. Një lajm i cili vë në diskutim serioz nivelin e qytetarëve të ardhshëm të këtij vendi, çka është shumë e rëndësishme për ndryshimin e dëshiruar që përmendim çdo ditë thuajse në mënyrë platonike. Kam qenë edhe unë maturant. Nuk kam qenë i shkëlqyer, kjo është e vërtetë, ashtu siç është e vërtetë se ka pasur plot raste kur një drekë, një lojë apo një mbrëmje me shoqëinë me ka larguar tinëzisht prej librave. Ndonjëherë më largonin skitë, të cilat vazhdoj ti kem shumë pasion. Por po aq e vërtetë është se kam qëndruar pa gjumë dhe kohën që u kisha vjedhur përkohësisht librave, ua kam rikthyer dyfish. Është po aq e vërtetë se në ardhmen time e kam parë pikësëpari në rezultatet që kam dhënë në klasë, në dërrasë të zezë apo para komisioneve të vlerësimit, dhe në fund fare, tek emigrimi. Nuk kam asgjë kundër emigrimit, por jam partizan i arsimimit, qoftë edhe i arsimimit në emigrim nëse është e mundur. Gjithsesi unë dhe shumica e bashkëmoshatarëve të mi, kishin një ide për të ardhmen e cila siç e konceptonim varet shumë prej nesh, pra sa do të mësojmë ne dhe jo vetëm në shkollë, por edhe jashtë saj, sepse shkolla është pikënisja prej nga mësohen gjërat e rëndësishme në jetë. Sistemi ynë arsimor ka plot të meta, si çdo fushë tjetër, edhe ai po vuan probleme të informalitetit, evazionit, korrupsionit, mungesës së kushteve dhe pajisjeve teknike e të tjera si këto, por mendoj se gjëra të tilla duhet ti konsiderojmë justifikime dhe të kërkojmë që të japim më shumë. Duke qëndruar përsëri tek rrëfimi autobiografik, theksoj se klasat e ftohta apo mungesa e laboratorëve dhe e sallave me kompiutera, qenë një pengesë për shumë nga brezi ynë, megjithatë nuk ishte e pamundur të përvetësonim dijet që nevojiteshin për tu kualifikuar në Fakultet. Sa më shumë vështirësi kemi kaluar, aq më shumë detyrim për rezultate të larta kemi ndjerë, në raport me sakrificat tona. Arsimi për mua ka qenë një sfidë, një fushë ku konceptoja se ndaj gjithë rrethit që më njihte do të tregoja aftësitë dhe vullnetin tim, një veprim që ia dedikoja përpjekjeve dhe mundit të prindërve të mi që sakrifikuan aq shumë për arsimimin tim, të afërmve dhe xhaxhallarëve që u përpoqën po aq, sikur të më kishin fëmijën e tyre. E kam ditur se duke i bërë të ndihen mirë të gjithë këta njerëz të afërt, do ti siguroja vetes një të ardhme, për të cilën vazhdoj të besoj se do të qe shumë më e mirë nëse do të mësoja më shumë.