Monday, October 3, 2016

Valbona është identiteti ynë, perspektiva jonë, mos e prekni!

Trazhgim Sokolaj
Nisja e punimeve për ndërtimin e HEC-eve mbi lumin e Valbonës ka ngjallur një reagim të fortë, të menjëhershëm dhe masiv kryesisht në rrjetet sociale por edhe në median tradicionale. Natyrshëm ardhja në vëmendjen e publikut e kësaj teme, më shumë se këdo, na prek ne tropojanëve që veç ndjenjës së pëlqimit dhe dashurisë që kemi për Valbonën, kemi një lidhje me dimensione edhe më të mëdha sesa kaq me zonën në fjalë dhe gjithçka që përmban natyra e ekosistemi i saj. Lumi Valbona apo Lumi i Valbonës ka një gjatësi rreth 50 km dhe përbën ndoshta lumin më të rrëmbyeshëm në Alpet e Shqipërisë veriore. Buron nga malet e zonës së sipërme të Malësisë, në “kurorën e alpeve”diku pranë fshatit Rragam dhe kalon më pas në një varg fshatrash me tokë buke duke ofruar burim për vaditje (gjatë verës kur temperatura e ujit rritet paksa për të mos dëmtuar rrënjët e bimëve) por edhe duke i kthyer këto fshatra, secilin prej tyre në një atraksion turistik për të huaj dhe në një "qoshe" të pakrahasueshme qetësimi shpirtëror për vendasit. Valbona nuk është parë kurrë si një lum nga i cili mund të fitohet. Përhërë është peshkuar në të, por gjithmonë ka pasur sasi të vogël peshku, ama për aqsa ishte, trofta e Valbonës ishte e pa krahasueshme. Pas disa kilometrash nga vendi i burimit, para qytetit Bajram Curri, lumi Valbona ai kthen për nga fshati i Gashit dhe pas Bajram Currit vërshon djathtas drejt fshatit Llugaj, për tu derdhur më në fund në Liqenin e Komanit. Në këtë rrugëtim, Valbona duke kaluar mes terrenesh të forta, shkëmbore e mes maleve, ka krijuar edhe “ngushticën e shtrejtit”, atë pamjen e bukur e të kaltër pa fund mes gjelbërimit përrallor të cilën e kemi parë të gjithë tek Ura e Shoshanit. Prurjet mesatare në Dragobi dhe Gri janë 12.2 m3/sek deri në 33.3 m3sek. Uji i ftohtë e i kulluar si kristali, ujvarat dhe kanjonet piktoreske dhe peshku “troftë” që rritet në ujrat e tij e kan bërë Valbonën një nga lumenjtë më të bukur e më të njohur në të gjithë vendin. Karakteristikë e veçantë e lumit, është kthjelltësia e ujit të kristaltë e cila në varësi të terrenit ku kalon lumi ofron panorama të mahnitshme. Në shkëmbinjtë e egër uji merr ngjyrën e bardhë të shkumës ndërsa në terrenet më të sheshta dhe buzë shkëmbinjve, lumi krijon puse të vazhdueshme të cilat në thellësi sado të vogël marrin një ngjyrë krejt natyrale të kaltër që është e pakrahasueshme me çdo kolor tjetër. Gjithashtu një tjetër element unik i Valbonës, është uji i akullt ku mund të mbash dorën jo më shume sesa numërimi deri në dhjetë. Por për shumë arësye, kjo trajtesë nuk mund të jetë as një shënim gjeografik, as një orvatje për artikull gazetaresk dhe as një reportazh prej së largu. Kjo trajtesë mbi të gjitha është një rrëfim njerëzor e shpirtëror të cilën cdonjëri e bën në jetë për dicka që e konsideron në vetëdije si pjesë të vetën për gjëra me të cilat na lidh jeta, prejardhja, fëmijëria e formësimi e për të cilat nuk kemi asnjë certifikatë përkatësie.   

Lumi si identitet
Lumi i Valbonës është element i identitetit të tropojanëve autoktonë të zonës. Më kujtohen disa ndodhi në gjimnazin “Asim Vokshi” të Bajram Currit, shkolla më e madhe e mesme në krejt rrethin. Shpesh mes moshatarëve tregonim barcaleta të ndryshme sipas të cilave banorët e fshatrave nga kalon Valbona, flasin me zë më të lartë se të tjerët pasi ashtu janë mësuar, zhurma e lumit nuk i ka lejuar të merren vesh mes tyre me zë të ultë. Si një prej të ardhurve nga këto zona kurrë nuk më ka ardhur keq për një krahasim të tillë, përkundrazi. Në situata të tjera jo vetëm në gjimnaz por edhe më pas, jam ndeshur me komente pozitive që krejt vendlindjen tonë, apo origjinën nga vijmë, e etiketojnë me “atë vendin e bukur, mahnitës me lumin e mrekullueshëm”.  Gjatë rrjedhës së tij nga vendi i burimit deri në zonën e Fierzës, lumi i Valbonës ka një numër të pafund livadhesh të rrashfëta me bar që në mungesë të ambienteve sportive, janë përdorur tradicionalisht si fusha për lojëra sportive me top si futbolli, volejbolli, etj. Këto "atraksione sportive mes ajrit të pastër" kanë shërbyer edhe për ta kthyer zonën në vendin ku shkollat 8 e më pas 9-vjecare dhe gjimnazet kanë organizuar historikisht ekskurionet në fund të cdo viti arsimor. Lumi në këtë mënyrë është bërë pjesë e pandashme e formësimit të secilit prej nesh ndër breza. Shumë banorë të zonës, lumin e identifikojnë edhe me fatkeqësi, pasi shpesh ka pasur rënie të personave të ndryshëm që kanë gjetur vdekjen apo që kanë humbur për të mos u gjetur kurrë më në lumin e Valbonës. Në një mënyrë apo në një tjetër, Valbona është kthyer pra në pjesë të pandashme të identitetit të banorëve të zonës.
Përveç këtyre elementëve dhe shumë të tjerëve që mund të rendisë secili, Valbona përbën edhe një fond të pashtershëm shpirtëror të ndjenjave dhe kujtimeve. Nuk e di çfarë do të duhej të mendonim apo të ndjenim të gjithë ne që vijmë nga ajo zonë nëse Valbona nuk do të ekzistonte. Një brengë e madhe, një vorbull, një boshllëk i papërshkrueshëm do të krijohej në kujtimet tona.Dhe jo vetëm. Në të gjitha rikthimet e mia në vendlindje gjatë këtyre viteve të fundit, ka qenë e pamundur të mos konstatoj turistë nga gjithë bota, që nga ata ditorët deri tek vizitorët më të largët nga vende të BE dhe më tej nga SHBA e kontinente tjera që ngjiten deri lart në Valbonë dhe rrugës, ndalojnë me dhjetëra herë. Ata duket sikur duan të mbushen me frymë dhe të "përtypin" mrekullinë alpine që malet e kombinuara me lumin ofrojnë për syrin e njeriut apo kuadrot shpesh surrealisht të bukura për aparatet fotografike të vizitorëve. Pyetja që unë kam sot, për veten dhe për këdo është: A do mrekulloheshim kaq shumë të gjithë ne atje në Valbonë nëse lumi kthehet e tretet në një përrua apo uji turbullohet?!. Koncesioni i dhënë mund të anullohet, por shkatërrimin e Luginës së Valbonës, Park Kombëtar, s`do të mund ta kthenim kurrë pas.   
Vlbona dhe perspektiva
Dëmtimi i lumit të Valbonës, sado i vogël, do të ndikonte për keq në bujësinë simbolike të zonës. Qindra familje të zonës, mbjellin rregullisht tokat kryesisht me misër me të cilin prodhojnë misër për miell dhe lëndë të parë për ushqimin e bagëtive. Dëmtimi eventual i lumit do ti linte pa një burim vaditje gjithë këto zona. Lumi bashkuar me klimën perfekte të freskët në Verë dhe gjelbërimin alpin është shfrytëzuar më së miri vitet e fundit nga banorët vendas në hapjen dhe zhvillimin e bizneseve turistike, pa teknologji të rëndë apo ndikim të madh në mjedis dhe në lumin Valbona, duke e kthyer atë në suvenirin e artë që u frohet turistëve krahas mikpritjes karakteristike të autoktonëve të zonës, ushqimeve bio, çmimeve më të mira në treg dhe një sërë efektesh kurative që ka ajri dhe klima e zonës. Dëmtimi i lumit Valbona do ta shkatërronte turizmin e zonës, duke krijuar një krizë të re punësimi dhe për rrjedhojë edhe një plagë sociale për një nga zonat më të pa zhvilluara dhe më të lëna pasdore pas viteve 90 në vend. Duhet theksuar se hopi i madh turistik që ka ndodhur vitet e fundit ka ndikuar edhe në komunikimin mes kulturave dhe në emancipimin e ambientit shoqëror në një zonë ku sinjali televiziv përfshie dhe TV publik kapet vetëm me anë të satelitit. Për këto dhe shumë arësye të tjera, Valbona nuk duhet të preket. Përfitimi prej saj mund të jetë qindra herë më i madh nëse e lëmë Valbonën ashtu të bukur siç është sot, sesa nëse vendosim komplekse HEC-esh në trupin e saj të kristaltë. Tek ai lum janë kujtimet tona, ai lum është identiteti ynë, është perspektiva jonë. Shkatërrimi i tij nuk do të ishte vetëm dëmtim i një lumi që kalon disa kilometra larg shtëpive tona, por do të ishte një plagë e hapur në ndërgjegjen e të gjithëve ne. Edhe biznesi i interesuar për ndërtimin e HEC-eve, duhet të ndërgjegjësohet se është i nevojshëm një rishikim i qëndrimit dhe një dakordësi me krejt banorët e zonës ku dëshiron të investojë kapitalin e vet në mënyrë që të mos ketë dëme në të ardhmen. Mos vini dorë në mrekullitë që ka krijuar Zoti! Ato mund dhe duhet vetëm ti shijojmë. Dhe për ta bërë këtë, lumin duhet ta lëmë të qetë e në vend të HEC-eve të ndërtojmë baxho, apo pika të përpunimit, mbledhjes, grumbullimit e tregtimit të mjaltit, bimëve medicinale dhe frytave të ndryshme të zonës që janë tepër kurative dhe që shkojnë dëm për mungesë të tregut e të pamundësisë së përpunimit.

No comments: