e hënë, 13 shtator 2010

Në Valbonë, pranë Bjeshkëve

Nga Lutfi Dervishi - Me Avniun, Adin dhe Nuredinin me ndihmën e sms-ve, vendosëm të shkojmë bashkë me familjet në Valbonë. Rezervimin e dhomave e bëmë përmes Nuredinit, i cili është rritur në Tropojë, por për 15 vjet ka jetuar e punuar në Londër. Atje ka pasur kompaninë e tij të ndërtimit, por ka investuar në Shqipëri dhe ka vendosur të jetojë këtu. Prej vitesh frekuenton familjarisht bjeshkët.

Rruga për në Koman nga ku do të marrim tragetin për të shkuar në Fierzë është lënë pas dore. Arsyen do e mësojmë në traget. Pak kilometra pasi lë pas Vaun e Dejës, udha është në mëshirën e agjentëve atmosferikë. Nxitojmë, sepse trageti niset në orën 9:00. Makthi vjen në rritje, sepse ora ka kaluar dhe ende nuk duket diga e Komanit. Shqetësim i kotë, sepse ne mbërrijmë para tij. Një person na orienton për të ekonomizuar hapësirën dhe për t'u bërë vend edhe makinave që do mbërrinin më pas. Shumica e udhëtarëve që po prisnin në shesh pushim ishin të huaj. Tre furgonë ruletë me targa franceze, disa makina me targa angleze, njëra prej të cilave ishte e ndërtuar vetëm për të ecur nëpër shkëmbinj. "Shumë e mirë, por shumë e shtrenjtë", shtoi Nuredini. Trageti mbërrin me vonesë. Në pritje për udhëtimin shohim ankorimin dhe më pas dy - tre persona që me veprimet e tyre dukej se nuk dinin të bënin gjë tjetër veçse orientimin e shoferëve që dilnin dhe hynin në traget. Këtë gjë e bënin shumë mirë. Me ton të lartë, për shkak të zhurmave të erës që sjell gryka, por gjithsesi të krijonin siguri. Siguri që erdhi duke u lëkundur tek unë, Adi dhe Avniu për shkak se trageti po mbushej dhe ne ende ishim jashtë. Nuredini na dha garanci se patjetër kishte vend për të gjithë. Pagesa prej 200 lekësh e një “takse portale” kthen sigurinë se do të shkojmë në Valbonë. Kanë filluar reshjet e shiut. Makinat tona janë të fundit dhe në traget mezi dallon hapësirë. Paniku rritet në proporcion të drejtë me çdo makinë që zë vend në traget.

- A ka vend për të gjithë? Pyetja është vetëm për katër makinat tona.

- Po, po.

- Varianti i fundit është kthimi sërish mbrapsht dhe marrja e rrugës së Kukësit.

- Pas 45 minutash trageti të ngjan me barkën e Noes. Ka bërë vend për trajlera me ngarkesë, furgona, fuoristrada, makina e sigurisht për të gjithë udhëtarët.

- Rruga e re e Kukësit i ka rralluar udhëtimet me traget, thotë Fisniku, një djalë simpatik nga agjencia “High Albania” në Tiranë, që shoqëron turistë në Alpe. Sipas tij, kjo është një gjë e mirë sepse, liqeni ndotet më pak dhe ruhet “bukuria e egër” dhe “rruga më e bukur në botë”.

Udhëtimi me traget zgjat dy orë. Megjithëse bie shi, kënaqësia e udhëtimit që të ngjall peizazhi që të rrethon është e papërshkrueshme. Uji i gjelbër i liqenit dhe pamja madhështore e mahnitëse e zinxhirit të maleve, njëri më i madh e më i bukur se tjetri, aty-këtu shtëpi të vetmuara në shpate malesh, lëndina dhe rripa të vogla tokash që rrethojnë shtëpitë - kulla dhe poshtë tyre varkat. I vetmi mjet komunikimi për këta banorë që duket se kanë vendosur të mos “braktisin” këto vende. Duhet të ketë një fuqi të madhe magnetike që i mban “të gozhduar” këta njerëz. Gjatë mbrëmjes në Valbonë dhe të nesërmen duke takuar banorë të zonës bindesh se nga këto male njerëzit këtu kanë marrë seriozitetin dhe njëfarë solemniteti që nuk e gjen gjetkë.

Pamja që të shoqëron nga Komani në Fierzë bën që dy orë të duken më pak se 20 minuta. Me një pamje të tillë do të udhëtoja gjithë jetën - thotë një angleze, bashkëshorte e një djali nga Tropoja që ka ardhur edhe ajo për të shijuar Bjeshkët.

Me të mbërritur në Fierzë, pak kilometra më tej në të djathtë të rrugës, ndalojmë në një lokal që duket se është ndërtuar vetëm me gurë lumi. Për drekë peshk, sallatë dhe bukë misri e përgatitur edhe me shëllirë. Këtë bukë misri do ta kërkonte i madh e i vogël nga grupi ynë sa herë uleshim për të ngrënë. E vemja gjë që nuk shkon është një shishe uji në banak. Nuk kishim ardhur për të pirë ujë nga shishet plastike. Kërkuam ujë Valbone. Ky ishte takimi i parë me Valbonën.

Pas 5 minutash udhëtim me makinë, kalojmë Bajram Currin dhe lëmë pas Margegajn. Në të majtë në urën e parë sheh grykën e Dragobisë në për të cilën rrjedh uji i pastër i Valbonës. Rruga për në Valbonë ka një peizazh të mahnitshëm. Këtu malet takojnë retë. Aty-këtu dallon se majat e maleve janë mbi re. Sado profesional të jetë aparati fotografik dhe sado përvojë të kesh me fotografinë e ndien veten amator dhe të pafuqishëm për të rrokur atë që sheh syri. Mali i Dajtit me të cilën mburremi në kryeqytet, duket si maket përballë alpeve. Këtu çdo detaj që sheh duket se Zoti e ka bërë enkas për të kënaqur syrin e njeriut. Vendi është thjesht i mrekullueshëm dhe malet sikur i japin siguri gjithkujt. Këtu është vendi ku takohet mikpritja e njeriut me atë të maleve.

Të nesërmen në barin e “hotelit”, xha Fetahu me origjinë nga Skrapari, që fatkeqësisht vitet më të bukura të jetës i ka kaluar në burgje e internime thotë i habitur: “male ka edhe andej nga ne, por këtu ka bimësi, ka pemë, ka livadhe të mrekullueshme. Edhe malet janë mikpritëse”).

Sapo futemi në Dragobi, një djalosh biond po gjuante (jo me dinamit, por me kallam) peshk. Adi që kishte ndaluar me makinë pak më parë takohet me të. Kur afrohet dalloj Granitin. Afro 10 vjet më parë kemi punuar bashkë në gazetë.

- Po ti?

Graniti kthen pak kokën djathtas dhe tregon shtëpinë që ndodhej 50 metra më tej.

- Këtu është shtëpia ime.

- Po çfarë dreqin ke kërkuar në Tiranë - mërmërita i pasigurt nëse kishte kuptim që Graniti ta dëgjonte - këtë pyetje, që më shumë se pyetje kishte dhe nuanca "mallkimi".

Tani, jo vetëm e kemi afër Tiranën, por shkojmë rehat. Nga këtu dy orë deri te tuneli (rruga kalon përmes Gjakovës - Prizrenit- Kukësit) dhe nga tuneli për dy orë në Tiranë.

- Ai tregoi me gisht tregues një "ishull" me pemë të vogla në mes të Valbonës dhe si të kishte dëgjuar "mallkimin" tim thotë: aty do të ngre një lokal vitin tjetër.

Lokalet mbi lumenj nuk mungojnë as në Jug as në Veri të vendit, por ideja e fillimit të "shfrytëzimit" të lumit më të pastër dhe fakti se rruga është gati për asfalt më kujtoi batutën e Fisnikut në traget. Po e pyesnim për kafshët e egra dhe ndonjë rrezik të mundshëm. Si djalë i gjezdisur në gjithë zonën, aq më tepër me zanatin "udhërrëfyes", fjala e tij kishte autoritetin e një plaku të moçëm.

- Jo mor burrë çfarë kafshe e egër! Kafsha më e egër është njeriu. Nuk ka fuqi kafsha të bëj atë të keqe që i bën njeriu natyrës.

Në mbrëmje, në bar-restorantin e fshatit turistik dëgjova për idenë se mund të ngriheshin hidrocentrale të vogla përgjatë Valbonës! Nuk di se sa do të fitohej nga kjo ide, por e sigurt është se do të dëmtonim në mënyrë të pakthyeshme një nga perlat që aq bujarisht na e ka falur Natyra.

Valbona të shoqëron gjatë gjithë rrugës. Diku zhduket dhe shfaqet sërish. Duke ecur në luginë, nëpër zallin e lumit që nuk ka ujë sapo kalon fshatin Rragam, përballë malit pak më poshtë se mesi i lartësisë sheh duke rrjedhur si katarakt nga shkëmbi ujin e Valbonës. Në majë të malit ende ka dëborë. Uji bie nga lartësia ecën disa dhjetëra metra dhe zhduket nëntokë për t'u shfaqur sërish pas 3 apo katër kilometrash. Ujë bore që filtrohet mes gurëve dhe të jep ndjesinë e akullit sapo përpiqesh të pish një gllënjkë me pëllëmbë. Edhe gurët këtu janë ndryshe. Gjen gurë me ngjyrë të gjelbër apo dhe gurë të krijuar nga 7 apo 8 sendimente të ndryshme. Nga ideja për të marrë suvenire falas hidhemi në praktikë.

Udha është e pastër, pothuaj aq e pastër sa vetë Valbona. Pyetja është a do të vijojë të jetë e tillë tani që po shtrohet rruga dhe do të vijnë gjithnjë e më shumë vizitorë. Turistët e huaj, jo të pakët këtë verë, kujdeseshin për ambientin dhe rrallë të zë syri, qese apo shishe plastike, të cilët të paktën në zonën e Golemit për nga sasia konkurrojnë me rërën.

Përtej malit ku buron Valbona është Thethi. Ndoshta jo më shumë se 10 km. Mirashi, i zoti i fshatit të vogël turistik që po ngrihet në vendin e quajtur Fusha e Gjes, thotë se për 3 orë mund të mbërrish në Theth. Mund të bujtësh një natë atje dhe të kthehesh të nesërmen këtu. Si për ta bërë më të besueshëm dhe më të lehtë rrugën, Mirashi shton se, para do ditësh këtu ishte dhe ministri Olldashi dhe ka ecur e ka bërë vetë rrugën në këmbë. Fisniku, djaloshi nga Tirana që shoqëron turistë (këtë radhë vendas dhe të huaj) thotë se duhen 6 apo 7 orë “të mira”.

- Mirashi, më tha se duhen vetëm 3 orë.

- Me hapin e Mirashit, po- u gjegj Fisniku duke të kujtuar historinë e atij vendasi që i ktheu përgjigje një të panjohuri për destinacionin ku po shkonte vetëm pasi e pa me çfarë "shpejtësie" ecnin këmbët e tij. Për të përforcuar atë që tha Fisniku u referohet atyre që ka shkruar Edith Durham për këtë zonë.

Banorët e zonës “kanë dëgjuar” se Valbona do të lidhet me Thethin. Këtë zonë e shijojnë më shumë të huajt. Potencialisht është zona që mund të thithë më shumë turistë se bregdeti. Shqipëria nuk mund të konkurrojë me plazhet e bregdetit asnjë prej vendeve fqinjë, as Italinë, as Greqinë, as Malin e Zi e as Kroacinë. Një vizitë në këto plazhe të bind se kemi krijuar një mit për bukurinë “e papërsëritshme” të bregdetit të Jugut. Me Valbonën, me Alpet është ndryshe, mund të konkurrojmë të gjithë botën.



Fusha e Gjes



Para se të mbërrish në Fushën e Gjes, vend për të bujtur, të ofrojnë edhe disa hotele të vogla të përfunduara apo drejt përfundimit dhe “Guest house”, shtëpia mikpritëse. Është një zonë që traditën e ka në gjen. “Nuk duhet ‘gërvishtësh’ shumë për të shijuar mikpritjen e zonës. Shtëpia e shqiptarit, e mikut dhe e shtegtarit. Një vizitor nga Gjermania që kish mbërritur në Alpe me motorin e tij, i shëtitur pothuaj kudo në botë, veçon mikpritjen dhe bukurinë e Alpeve. Duket se ka ende për të bërë, thotë ai, duke rrufitur çajin e malit të shoqëruar me mjaltë lulesh. (Për të shkruar për aromën e çajit dhe mjaltit – duhet një reportazh më vete). Turisti gjerman i referohet gjendjes pothuaj natyrore që të shoqëron përgjatë Valbonës. Por nëse zona do të zhvillohet një ditë, në atë kuptim që i japin ndërtuesit në Shqipëri, atëherë kjo do të ishte gjëma më e madhe që mund t’i ndodhë kësaj zone.

Fusha e Gjes, është stacioni i qëndrimit. Tri vileta druri pak të veçuara nga pjesa tjetër e hotelit, pranë tyre kalon një vijë uji, gurgullima e të cilit të shoqëron gjatë fjetjes. Pak më sipër, në të njëjtën vijë uji Mirashi po kultivon trofta. Fshati i vogël turistik, me një kënd për të luajtur fëmijët, po merr formë dhe ambicia është në rritje, pasi punohet paralelisht për të shtuar numrin e dhomave.

Darka është e shijshme dhe më shumë se shërbimi, shija vjen nga ushqimet bio që të serviren. Por, në Valbonë kemi ardhur për natyrën dhe jo për t’i vënë yjet hotelit apo notën kuzhinës. Të nesërmen në mëngjes, të gjithë i vëmë notat maksimale “cilësisë së gjumit”. Duke hamendësuar për “axhendën” e ditës, të kujtohet proverbi se udhëtimi është më i rëndësishëm se destinacioni.

Gjatë gjithë ditës nuk kam oreks. Nuredini e njeh këtë proces dhe duke përdorur metaforën e filtrit të makinës thotë se do të kesh problem pak sa të “download”-osh ajrin e Tiranës. Mushkëritë ende nuk po merrnin veten nga ajri i pastër. Kjo ndodh edhe me fëmijët. Torturës së nënave për të ushqyer nazelinjtë e vegjël i vjen fundi brenda 24 orëve. Edhe më i vogli i ekipit në mbrëmje mbllaçit gjithë shije bukën e misrit me djathë.

Dalim nga bari i hotelit dhe ecim drejt luginës më në Veri. Përtej ndodhet Gucia, pak më në perëndim është Thethi. Tek një pemë është vendosur një tabelë: “Bjeshkët e Bekuara”. Ky është epiteti që meritojnë Bjeshkët dhe jo “Bjeshkët e Namuna” që i kanë thënë ato që nuk mundën t’i merrnin me luftë. Pas 10 minutash, në anë të luginës, është një shkollë e braktisur. Nga dritaret dallohen bankat e vogla dhe dërrasa e zezë. Germat e alfabetit të shkruar me shkumës, për nga bukuria duket se janë bërë me program kompjuterik. Livadhi që rrethon shkollën ka një aromë që nuk mund të përshkruhet. Në një metër katror bar mund të numërosh 8-10 lloje të ndryshme lulesh. Aty kupton pse mjalti ka atë shije të rrallë. Qetësia është imponuese. Mungesa e valëve të celularit bën që të ndihesh vërtet zot i vetes. Ndonjë zile e largët kumone thyen heshtjen e natyrës. Shumë kulla janë braktisur. “Njerëzit kanë zbritur poshtë”. Por ka nisur kujdesi për të rikthyer jetën në kulla. Gjatë muajve të verës, njerëzit kanë nisur të kthehen në shtëpitë e tyre.

Shëtitja në luginë është alternativa e vetme ndaj qëndrimit në kafene. Por këtu nuk ka asnjë kuptim ardhja, nëse nuk shoqërohet me ecjen.

Mirashi thotë se nëse doni, mund t’u jap shoqërues dhe kuaj për të shkuar qoftë në Theth, qoftë në Currajn e Epërm. Curraj i Epërm! Curr, i thonë shkëmbit. Në traget Fisniku na foli gjatë për Currajt e Epërm. Është fshat i braktisur. Ka vetëm kulla, një pjesë të rrënuar, por është fshat i vjetër, nuk mbahet mend qëkur, fshat pa rrugë se kur është krijuar nuk ka pasur nevojë për rrugë. Aty gjen sofër të madhe të bërë nga një trung peme, sofër aq të madhe sa rreth saj ulen 12 persona. Të dy stacionet janë tërheqëse, por për fat të keq, asnjë prej nesh për shkak të angazhimeve në Tiranë, nuk ka shumë kohë në dispozicion.

Dy net në Fushën e Gjes, janë të mjaftueshme për të bërë rikonicionin e terrenit për vizita të ardhshme, për të shkuar në Çerem në bjeshkë, apo në fshatra të tjerë të zonës.

Kthimi është nga Gjakova e Prizreni. Në Prizren, Avniu thotë si me faj se të pata thënë se ky ujë (lumi i Bistricës që përshkon qytetin) është i pastër, por nuk kisha në mendje Valbonën.

Rruga e Kukësit është një tjetër atraksion turistik. Kush ka udhëtuar nëpër të, ka kuptuar se tjetër gjë është politika dhe media dhe tjetër gjë realiteti. Në afërsi të tabelës që tregon Rrëshenin, në të djathtë të rrugës m’u kujtua xha Fetahu dhe dora e tij e djathtë e fryrë nga prangat e burgut. Spaçi! Xha Fetahu, më tha se kur kaloi këtej, uli kokën për të mos e parë. Nga larg Spaçi dukej se vijonte rrënimin nga braktisja. M’u kujtua përshkrimi i papërsëritshëm i At Zef Pllumit tek “Rrno për me tregue’. At Zefi tregon historinë e malësorit që u detyrua të shkojë në shpellë e aty zë një miqësi me një ujk, por pas dy stinësh, ku ujku sillte qengja e dele për “mikun” në shpellë një ditë barinjtë vrasin ujkun dhe ai, ngaqë mbeti vetëm, dorëzohet. Dënohet me 25 vjet burg. Duke tharë kënetën e Maliqit dhe duke provuar çdo ditë egërsinë e gardianëve, malësori që mori arratinë në shpellë, - vetëm pse, sipas zakonit u hapi derën kundërshtarëve të regjimit të ri që po instalohej, -pyet bashkëvuajtësin e tij: “Pash Zotin patër Zefi si asht e mujtun qe kta jan ma zi se ujku”?!.

Xha Fetahu ka gjithë të drejtën të mos e shohë më atë vend tmerri për qindra e mijëra të burgosur të ndërgjegjes të regjimit komunist, por ky vend duhet kthyer në vend pelegrinazhi ku shqiptarët e sidomos brezi i ri, të shohin me sytë e tyre se thënia djalit me emrin Fisnik “nuk ka kafshë më të keqe se njeriu” ndoshta duhet gdhendur në Spaç...

1 comment: