Monday, February 18, 2008

Moj Kosovë mirë se të gjeta!

Moj Kosovë mirë se të gjeta
Shumë prita, sa e gjithë jeta
Shumë kam prit shumë kam durue
Bashkë me vllazën me festue...

Vargjet më lart mu kujtuan këto ditë kur të gjithë shqiptarët po përjetojnë evenimentin historik të shpalljes së Kosovës shtet i lirë, sovran dhe i pavarur. Është vetëm një pjesë e këngës që unë dhe mësuesi im në Gjimnaz, kishim përgatitur të këndonim në qytetin e Pejës në vitin 2001. Atëherë gjimnazi i Tropojës “Asim Vokshi” u binjakëzua me gjimnazin e qytetit të Pejës. Në kuadër të kësaj mardhënie të institucionalizuar mes dy shkollave, një grup artistik i gjimnazit të Tropojës ndihmuar edhe nga artistët e ansamblit “Dardania” u planifikua të kryente një vizitë në Gjimnazin e Pejës me ç`rast u vendos të përgatitej një program artistik. Nuk i harroj asnjëherë ato ditë, ishim maturantë, nuk na ndanin shumë ditë nga provimet e Maturës dhe çdo pasdite linim librat dhe shkonim bënim prova për koncertin që do të mbanim në Pejë. U nisëm që në mëngjes dhe gjithçka shkoi mirë deri në kufi. Aty, në pikën kufitare mes kufirit shqiptaro-shqiptar, ndodheshin forcat italiane pjesë e trupës shumëkombëshe që kishte marrë në administrim Kosovën. Pjesa më e madhe nga ne, gjimnazistë nuk ishim të pajisur me pasaporta. Megjithatë në pikën kufitare ditë më parë kishte mbërritur lista e personave që do të kryenin udhëtimin në Pejë e firmosur nga kryetari i Bashkisë dhe drejtuesit e policisë. Mirëpo siç duket mosha jonë e re, i beri të dyshojnë ushtarakët italianë të cilët me disa orë vonesë na lejuan të kalonim. Nuk më largohen nga kujtesa asnjëherë boritë dhe dritat e ndezura të makinave në rrugët e Kosovës që nderonin autokolonën tonë. Kishim gjashtë makina që ecnin njëra pas tjetrës në drejtim të Pejës dhe në secilën prej tyre kishim vendosur nga dy flamuj shqiptar. Arritëm me vonese në Pejë dhe nuk mundëm të jepnim programin artistik që patëm përgatitur. Megjithatë kaluam disa orë të mrekullueshme në shoqërinë e shumë bashkëmoshatarëve tanë kosovarë dhe mësuesve të gjimnazit të Pejës. Nuk e harroj asnjëherë pritjen e një gruaje në Pejë e cila na than se më në fund i erdhi rasti të shprehte falenderim për hapjen e dyrve që Shqipëria bëri pas largimit masiv të shqiptarëve të Kosovës në vitin 1999. Sapo mësoi se kishim mbërritur nga Shqipëria ajo erdhi pranë kur zbritëm nga makinat dhe na shoi etjen me lëng boronice ndëra na shërbeu fruta nga një arkë e madhe që mbante në duar. Ishte udhëtimi im i parë në Kosovë dhe që atëherë e kam dashur Kosovën. Pjesë e kësaj ndjenje ishte edhe kënga që kisha përgatitur por që nuk munda ta këndoja me çifteli në Pejë për shkak të vonesës në kufi. Kënga më erdhi në mendje këto ditë të lumtura për të githë shqiptarët dhe me shumë dëshirë po e këndoj nga Tirana!

1 comment:

belle_fleur said...

Oh sa bukur....vertet shume faleminderit qe e ndave me ne kete copez kujtimi nga koha kur ke qene maturant. Momente dhe kujtime te tilla behen te paharrueshme sidomos ne keto dite festive kur gjithe populli kosovar celebron fitoren kunder armikut serb.

Gezuar Gezuar Gezuar!